E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester Siti: Jemi pranë blerjes së Kaka

Interesimi i Mançester Sitit për Kaka është shndërruar në telenovelë. Edhe pse të gjitha palët e përfshira deri më tani e kanë mohuar ofertën milionere, bisedimet vazhdojnë. "Kaka është pranë transferimit te Siti", ka deklaruar për "BBC" zëvendëstrajneri i skuadrës, Mark Bouen. Sipas krahut të djathtë të Mark Hjuxhs, pavarësisht përgënjeshtrimeve, shanset që ylli i Milanit të kalojë në Premiership, për afro 100 milionë euro, janë të shumta. "Besoj se marrëveshja është e mundshme. Kemi shpresa se Kaka mund të firmosë me ne. Shanset për ta parë këtë lojtar te Mançester Siti janë të mëdha", shtoi ai.

Hjuxhs

Në anën tjetër, edhe drejtuesi i stolit në "Istlands" ka konfirmuar se Siti nuk është dorëzuar. "Bisedimet po vazhdojnë", deklaroi Hjuxhs, duke hedhur poshtë zërat se "Abu Dabi Group" ishte tërhequr nga gara për mesfushorin brazilian. Lajmi ishte dhënë nga "arabianbusiness.com", sajti që kishte dhënë i pari lajmin se arabët blenë klubin anglez në orët e fundit të merkatos së verës. "Këtyre personave, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me pronarët apo drejtuesit e klubit, nuk duhet t‘u jepet mundësia që të bëjnë deklarata të tilla, shtoi më tej trajneri. Lajmi se nuk jemi më të interesuar për Kaka është i pavërtetë. Do të ishit naivë po të mendonit se mendimi im nuk merret parasysh në këtë transferim. Momentalisht është e pamundur të thuhet nëse blerja do të realizohet, apo se Kaka nuk vjen te Siti. Do të flasim vetëm kur të ketë të reja konkrete".

Ançeloti

Sipas së përditshmes britanike, "Daily Star", në Mançester po i studiojnë të gjitha mundësitë për të bindur Kakanë që të largohet nga Milani. Njëra prej tyre është Karlo Ançeloti. Sheikët janë të gatshëm që t‘i ofrojnë teknikut italian drejtimin e skuadrës, duke shpresuar se edhe ish-fituesi i "Topit të Artë" do ta ndjekë nga pas. Një tjetër mundësi është edhe bindja e babait të lojtarit brazilian. Të martën, Milani kishte autorizuar Sitin që të fillonte kontaktet me lojtarin, ndërsa një ditë më pas, Kia Jorabkian, menaxheri që përfaqëson klubin britanik, i ka telefonuar babait të mesfushorit, Boskos. Shumë shpejt (mendohet se të hënën e ardhshme), palët do të takohen, e vetëm më pas mund të flitet për shanset reale të transferimit.

Kushtet

Kaka dhe babai i tij, i cili ka edhe rolin e menaxherit, dëshirojnë të mbajnë të hapura bisedimet. Kjo jo vetëm për rrogën prej afro 80 milionë eurosh që 26-vjeçari do të përfitojë në pesë vjet me Sitin. Pagesa në Angli nuk është prioriteti i vetëm i brazilianit, pavarësisht deklaratës "synoj të plakem te Milani". Përfaqësuesit e tij prezantuan disa kërkesa te "Sitizens", ku më kryesorja është administrimi i të drejtave të imazhit. Më tej është kërkuar siguri se sheiku Mansur do të qëndrojë në drejtim të skuadrës për aq kohë sa zgjat kontrata e Kakasë, duke bërë "investime të rëndësishme" në skuadër dhe se në harkun e dy vjetëve Siti do të marrë pjesë në Champions. Sipas "Daily Mail", në javët në vazhdim, lojtari mund të takohet personalisht me sheikun, në pallatin e tij madhështor (Pallati Mbretëror në Abu Dabi), objekt me vlerë mbi tetë miliardë euro. Një vend ideal për të realizuar transferimin më të kushtueshëm në histori.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›