E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi, një pasion dhe vuajtje italiane

Nga Bledar Kuka
Nëse nuk do të kishte ndodhur një sherr më 1908, sot Internacionale e Milanos nuk do të kishte ekzistuar, ndërsa në qytetin lombard të modës do të shkohej në stadium vetëm për të parë Milanin. Por më 9 mars 1908, në restorantin "L'Oroloxho" (Ora), u mblodhën 43 disidentë të "Milan Football and Cricket Club", që themeluan Internacionalen. Arsyeja e "skizmës" ishte parimore: të luajnë apo të mos luajnë lojtarët e huaj në skuadrat italiane dhe në Serinë A. Milani nuk ishte dakord, ndërsa themeluesin e Interit, po. Pikërisht, për këtë shkak, u përzgjodh emri Internacionale, pra si shpallje se dëshirohej që të luanin edhe lojtarë jo italianë. Në të vërtetë, ka qenë Milani që ka ecur në drejtimin e interistëve, pra duke pranuar gjithnjë e më shumë lojtarët e huaj në radhët e tij, tendencë që e përforcoi shumë presidenti i tanishëm, Silvio Berluskoni, me të ardhur në fuqi, më 1986. Sidoqoftë, zikaltërit u detyruan të ndërronin emrin në vitet 20-të, pasi partia-shtet e Benito Musolinit nuk mund të pranonte një ekip sportiv që quhej Internacionale, emër i njëjtë me Internacionalen e tretë komuniste. Pasi rezistoi deri më 1928, Interi u detyrua të pranonte vijën e partisë, duke u bashkuar me Bashkimin Sportiv Milanez (USM) dhe duke marrë emrin Societa Sportiva Ambroziana, që ndryshoi në Ambroziana-Inter, deri më 1945. Para dy ditësh klubi i tretë më i madh në Itali, përsa i përket trofeve, festoi titullin e tij të 15-të, duke gëzuar pa masë tifozët e shumtë që ishin mësuar më së shumti me vuajtje, që nga viti 1989. Ashtu sic është normale për Interin, ky titull u shoqërua me rekorde, ndërsa shoqëria krenohet më së shumti me faktin se është i vetmi klub në Itali që ka marrë pjesë vazhdimisht në Serinë A, që kur kjo u bë me një turne të vetëm më 1928. Milani u rrëzua dy herë në Serinë B, ndërsa Juventus një herë, pikërisht sezonin që po vijon. Ndonëse nuk ka vazhdimësinë e Anjelëve tek Juventusi, familja Morati mbetet simboli i Interit. Babai i presidentit të sotëm, Anxhelo, mbërriti në krye të klubit më 1955, arriti të bënte atë gjë madheshtore që u quajt "Interi i Madh", me në krye trajnerin Helenio Herrera dhe me lojtarë si Faketi, Korso, Suares, Macola. Me tre tituj në 4 vjet, dy kupa të kampionëve dhe dy kupa ndërkontinentale, ata shkruan faqen më të ndritur në historinë e klubit. Ndarja e parë me Moratët u bë më 1968, kur iku edhe Anxhelo, edhe Herrera. Presidentë u bënë Ivanoe Fraicoli dhe, më 1984, Ernesto Pelegrini, një tifoz i madh i futbollit gjerman, që bleu Rumenigen, Mateusin, Bremen dhe Klinsmanin. Titujt erdhën me pikatore (1980, 1989), ndërsa problemet nuk mbaronin kurrë. Më 1995, 40 vjet pas babait, i biri Masimo, e ribleu Interin, duke paguar borxhet prej dhjetra miliardë lirash të vjetra italiane. Por, Morati u kthye në një Sizif të vërtetë, duke shpenzuar miliona euro, pa fituar asgjë, edhe atëherë kur dukej se ia kishte arritur qëllimit. Humbjet nisën që më 1996, prej 11.2 milionë eurosh, vazhduan më 1998 (40.4 milionë), më 1999 (20.1 milionë), 2000 (124 milionë), 2001 (41.1 milionë), 2002 (17 milionë), por për të dalë me fitim në sezonet në vazhdim. Për 11 vjet erdhën vetëm humbje, ku sukses mbetet vetëm Kupa UEFA më 1998 dhe Kupa e Italisë. Më 1998 dhe 2002, kampionati humbi në metrat e fundit, ku herën e parë pati diskutime të tmerrshme deri edhe në parlament, lidhur me një penallti të pretenduar nga Ronaldo, në Juve-Inter (1-0), më 26 prill 1998. Morati zgjodhi një argjentinas për trajner, ashtu si i jati. Këtë herë ishte Kuperi, atëherë ishte Herrera. Ceremonia iu përmbajt pikë për pikë asaj që kishte bërë Anxhelo, e njëjta pritje në aeroport, i njëjti restorant për drekim, e njëjta mënyrë për firmosjen e kontratës. Të gjitha këto sollën shumë presion mbi një njeri që kishte marrë nofken "i dyti i përjetshëm", gjë që do ta vërtetonte edhe tek Interi. Nuk është për t'u habitur për Masimon, i cili ka po aq fëmijë sa kishte edhe babai i tij, pesë, madje të lindur me diferenca vjetore të përafërta. Në krah të tij kanë qenë dy personazhe që nuk jetojnë më, Avokati Xhuzepe Prisko (Pepino) dhe ish-presidenti Xhacinto Faketi. I pari ishte një ish-oficer i ushtrisë italane, që luftoi në Luftën e Dytë Botërore në frontin sovjetik, një nga tre oficerët që mbijetuan nga 53 të tillë. Që nga 1963 u bë zv.president i Interit, duke fituar gjithcka dhe duke e ndjekur në cdo ndeshje. I ftuar i vazhdueshëm i "Kotrokampos" në "Italia 1", Prisko ishte i njohur për batutat e tij, por edhe për dashurinë për Xhuzepe Meacën dhe Ronaldon. Madje, ka deklaruar se "i kërkoj falje prindërve të mi, por në mes të fotos së tyre, do të vendos atë të Ronaldos". Faketi ishte ish-kapiteni i madh i viteve 60-të dhe presidenti i fundit, derisa u nda nga jeta. Jo më kot, Masimo ia dedikoi kujtimit të tij titullin e fituar më 22 prill. Me Moratin, tifozët zikaltër shpresojnë të ketë nisur një epokë e re. Dy tituj janë rreshtuar tashmë dhe besimi është i madh se do të ketë të tjerë, radhazi. Një njeriu shumë tradicionalist që, në radhë të parë Interin e ka një dashuri të madhe. Në një intervistë për "L'Espreson", ai shprehej se "gjithcka ndërroi (kur bleva Interin), por jo për keq. Interi është një dashuri dhe një vuajtje e madhe. Edhe vendimi për ta blerë ishte shumë i vështirë, në familjen time askush nuk ishte dakord. Por nuk hoqa dorë. Sepse pasuria vlen edhe për këtë: Për të blerë një pasion".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›