E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zhvigaç”, vera e preferuar e Oto Bariçit

Nga Bledar Kuka
Është e ditur që trajneri i sotëm i shqiptarëve, Oto Baric, është qejfli i jetës. Nëse rrëmon gazetat e vendit të tij, shikon disa nga shijet e tij personale, mes të cilave edhe vera e njohur në Kroaci, "Zhvigac". Si të gjitha verërat nga Zagoraci kroat, edhe kjo quhet si shumë e mirë dhe Barici tregon se ka një shije shumë të mirë. Sic shkruan "Jutarnji Listi", 75-vjecari i sotëm kënaqet me këngët tradicionale të vendit të tij, ndërsa nuk heq dorë nga debatet e famshme me Mirosllav Bllazhevicin. Madje, Tomisllav Zhidak, gazetari i "Jutarnjit", shkruan me shaka se "Oto dhe Ciro (Bllazhevici) "luajnë milionerësh" me njëri-tjetrin", duke kujtuar pëlqimin e madh për paranë që kanë të dy trajnerët kroatë. "Në darkë, pasi bën të gjitha këto, - vazhdon Zhidak, - Baric duhet të rrijë edhe me gruan e tij, Zdenkën. Ndaj, pyesim, kur i del koha këtij njeriu që të merret me futbollin?". Njihet mirë se trajneri shkon si macja me miun me gazetarët e vendit të tij. Shpesh herë ai është shprehur se "për mua shkruajnë gazetarët që pijnë dhe që janë jo kompetentë". Po ashtu, shkruhet se Barici flet për gazetarët sikur të bëhet fjalë për spiunë. "Shikoni, - ka thënë një herë ai, - cfarëdo që shkruhet sot në Zagreb, lexohet nesër në Cyrih, Londër, Paris". Kur ishte trajner i Kroacisë, "Oto Maksimales" apo "Oto Nacionales" i doli nami se fliste lirshëm për seksin me lojtarët e tij, njëlloj sikur të bëhej fjalë për ndonjë lojë me letra. "Merruni më shumë me taktikën sesa me seksin", shkruan Zhidak, që thotë se "Barici nuk është kundër as kur lojtarët mund të pijnë cigare të gjata Marlboro". "Humb dhe shkoj në Palma de Majorka" Një tjetër shprehje e famshme e "Herr Otos" është se nëse humb, shkon me pushime dhe i largohet zhurmës. "Cdo të ndodhë nëse humbasim në Euro 2004?", - ishte pyetja e gazetarëve. Dhe Oto përgjigjet: "Nëse humbasim, do të shkoj në Palma de Majorka, për pushime".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›