E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni: Komente pas xhiros së 27-të

ASA (Albania Sport Agency)- Renova vazhdon të tregojë ndeshje superiore. Viktimë e radhës ishte Vardari i Shkupit, të cilët nuk arritën që tu hakmerren xhepcishtasve, as në fushë të vet. Goli i Argjent Beqirit ia humbi shpresat skuadrës vendase, se mund të fitojnë të tri pikët.
"Ishte një distancë tepër e largët. Ishte edhe harkim, por edhe goditje e drejtpërdrejtë në portë e Vardarit dhe topi hyri në rrjetën e kuqezinjve", komenton golin sulmuesi Beqiri.

"Pas golit të shënuar futbollistët e Vardarit patën rastet e tyre, por edhe ne kishim tre raste ideale. Stankoviq ishte ballë për ballë me portierin shkupjan. Fisnik Nuhiu pati një rast të mirë, ndërsa edhe unë e pata një goditje me parabolë drejt portës së Vardarit", u shpreh Beqiri.
Sipas tij mbrojtja e Renovës ishte në nivelin e duhur, duke arritur tu bëjë ballë sulmeve të Vardarit. "Ata kanë një skuadër të re. Nuk është ajo skuadër që ka qenë më parë. Këtyre futbollistëve u mungon eksperienca dhe u duhet kohë deri sa të arrijnë atë nivel", shtoi golashënuesi i vetëm i ndeshjes, Beqiri.
Në ndeshjen e ardhshme Renova në Tetovë luan me Makedonija nga Gjorce Petrovi. "Me fitoren ndaj Vardarit kemi kryer gjysmën e punës. Tani kemi edhe dy takime me Makedonijën dhe Rabotnickin, ku do të mundohemi të nxjerrim maksimumin", përfundoi Beqiri.

Gjyqtarët e dëmtuan Shkëndijën
- Skuadra e Shkëndijës nuk arriti që të shënojë fitore, edhe pse e kishte rezultatin në favor të saj deri në dhjetë minutat e fundit të takimit. Sipas fjalëve të futbollistëve të "kuqezi" loja e treguar nga ata ishte në nivel, por edhe njëherë janë dëmtuar nga referët, të cilët e ndryshuan rrjedhën e takimit. "Treguam një lojë të mirë. Rezultati ishte në favor tonin, por gjyqtarët pas presioneve të shumta që patën nga ana e vendasve (të cilët nuk gjenin mënyra për të arritur te fitorja) ndryshuan rrjedhën e takimit", shprehet golashënuesi i Shkëndijës, Idrizi.
"Golin e barazimit që e shënoi Napredoku ishte dhuratë e arbitrit. Pasi që
u bë gjuajtja e lirë dhe portieri ynë filloi sërish lojën, referi e ktheu sërish goditjen e lirë dhe ata shënuan golin e barazimit. Këtu ndryshoi rrjedha e takimit", përfundoi Idrizi.
Ndërkohë, lidhur me gjykimin në Kërcovë, sekretari i përgjithshëm i klubit të Shkëndija'79, Vloran Bexheti ka konfirmuar se në procesverbalin e ndeshjes është shënuar ankesë, të cilën në ditët në vazhdim duhet ta shqyrtojnë organet përkatëse të FFM-së.
Skuadra e Shkëndijës të dielën e ardhshme luan me Sileksin në Kratovë.

Mbrojtja fajtore për humbjen
– Në përballjen e drejtpërdrejtë të skuadrave që luftojnë për të siguruar ekzistencën në elitën e futbollit të Maqedonisë, në Kumanovë, Sileksi i Kratovës ka mposhtur Bashkimin me rezultatin 1:4. Golat për skuadrën udhëtuese i kanë shënuar Stupiq 45', Natkov 50', Todorovski 57' dhe Tancevski në të 86-ën, ndërsa golin e vetëm për
kumanovarët e shënoi Stojkoviq në minutën e 68'. Ishte kjo njëra ndër humbjet më të thella të skuadrës së Bashkimit dhe njëra nga paraqitjet më të dobëta të tyre. Sidomos në repartin e mbrojtjes së Bashkimit nuk funksiononte asgjë. Ata thjeshtë u lejonin mysafirëve që me depërtime të lehta të rrezikonin portën e Ajdinit.
"Pësuam humbje me gabimet e mbrojtjes sonë, e cila në këtë takim pranoi gola shumë të thjeshtë. Pranë rezultatit 3:1u përpoqëm me të gjitha forcat ta kthejmë paqartësinë në rezultat, por nuk i realizuam rastet. Më pas futbollistët e Sileksit me dy gola të tjerë na dënuan, duke i marrë të tri pikët në fushën tonë", është shprehur i dëshpëruar nga loja e futbollistëve të tij, trajneri Hysni Maxhuni. Pas kësaj humbjeje Bashkimi edhë më shumë e ka vështirësuar pozitën e vet në tabelën e klasifikimit edhe pse shpresat për ti ikur barazhit ekzistojnë. Në javën e ardhshme, kumanovarët luajnë me Vëllazërimin në Kërcovë, ndërsa më pas në prani të publikut të vet do të takohen Bregallnicën, të dy këta skuadra që i kanë thënë lamtumirë ligës së parë.

Rezultat e ndeshjeve

Rabotnicki K. 5 - 0 Vllazrimi
Baskimi 1-4 Sileks
Makedonija 4-0 Bregalnica Stip
Vardar 0-1 Renova
Napredok 2-1 Shkendija
Pobeda 3-1 Pelister

Tabela
1. Rabotnicki 58
2. Makedonija Gj.P. 56
3. Pobeda 53
4. Vardar 51
5. Renova 46
6. Pelister 42
7. Napredok 36
8. Bashkimi 30
9. Sileks 29
10. Shkëndija 29
11. Bregallnica 10
12. Vëllazërimi 9

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›