E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi para “provimit” Shevçenko, fitorja detyrim

Fillimi me dy barazime (një i mirë kundër Barcelonës dhe një më pak i mirë kundër Rubin Kazanit) kanë bërë që kjo e sotmja të jetë një ndeshje “për jetë a vdekje”. Dhe megjithë rrezikun Shevçenko, misioni është mëse i realizueshëm.

Në fakt, do të luhet edhe për t’i dhënë fund serisë prej shtatë ndeshjesh pa fituar në Europë. Hoze Mourinjo nuk fiton prej pothuajse një viti në Ligën e Kampionëve, më saktësisht që prej 22 tetorit të vitit të kaluar, kur mposhtte Anortosis Famagustan 1-0 në “San Siro”. Që atëherë, katër barazime dhe tre humbje.

Duket se trajneri portugez e ka të qartë formacionin që do të hedhë në fushë. Do ta nisë nga fitorja e fundit 5-0 ndaj Xhenovas në kampionat dhe nuk është keq t’ia nisësh nga ajo ndeshje. Pra, “I veçanti” do të përdorë sërish skemën në formën e pemës së Krishtlindjes, me dy lojtaë mbështetës për sulmuesin e vetëm të mirëfilltë.

I vetmi ndryshim do të jetë Samuel Eto në vend të Balotelit të skualifikuar. Edhe pse jo në formën optimale, mungesa e alternativave të tjera në repartin e avancuar, mund të bëjë që kamerunasi të shihet si zgjidhja më e mundshme.

Eto ka tipare të ndryshme në krahasim me Balotelin, por ka gjithashtu edhe një mal me përvojë më tepër se 20-vjeçari në kompeticionet europiane. Rikthimi i tij do të jetë një gjë e bukur për portugezin, por edhe për publikun në “San Siro”.

I vetmi dyshim mbetet Kambiaso. Për të do të merret një vendim përfundimtar vetëm pak orë para ndeshjes. Mesfushori argjentinas ndihej mirë mëngjesin e sotëm, megjithatë po i nënshtrohet ende terapive riaftësuese të stafit zikaltër.

Vetë Kambiaso e ka premtuar: “Do të bëj çdo gjë që është njerëzore për të qenë në këtë ndeshje”. E ndien në një mënyrë të veçantë “aromën” e Ligës së Kampionëve dhe ndien keqardhje që nuk ishte kundër Barcelonës.

Nëse “El Kuçu” nuk ia del, Mourinjo ka gati kartën Vieira. Kjo do të ndodhë nëse ai nuk vendos të përdorë mesfushën në formë rombi, me Stankoviçin para mbrojtjes, Shnajderin si fantazist dhe dyshen Suazo-Eto përpara.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›