Internet falas në të gjitha kampuset universitare
Kryeministri Berisha i kërkoi sot ministrit të Arsimit nisjen e projektit për ofrimin e internetit falas në çdo qendër universitare të vendit. Këtë propozim, Kryeministri e bëri dje në mbledhjen e qeverisë, si një shqetësim të evidentuar nga vetë studentët. Berisha premtoi që do të shpërndajë internet falas në të gjitha korpuset e kampuset universitare të Republikës së Shqipërisë. “Qyteti Studenti dhe qytezat studentore, kudo që janë, duhet të kenë internet falas. Një pjesë e siguron Posta Shqiptare, pjesën tjetër do ta sigurojë qeveria. Ndaj të merren masa për këtë. Një student ngriti një shqetësim, ku më thotë se deri para një muaji sallat e internetit ishin pa pagesë, ndërsa tani e kanë kthyer me pagesë. Pas interesimit tim, nuk ishte Posta, pasi ajo e ka shërbimin e internetit pa pagesë, por gjithsesi Posta nuk mund t’u shërbejë të gjithë studentëve, për shkak të mjediseve të vogla”, tha Kryeministri. Sipas tij, studentët duhet të kenë salla interneti dhe ata duhet t’i subvencionojnë. “Në të gjitha korpuset e kampuset universitare, interneti duhet të ofrohet falas nga qeveria. Ministria duhet të fillojë ta projektojë këtë ide, që përbën interes dhe rëndësi për të rinjtë shqiptarë. Aktualisht numërohen rreth 138 mijë studentë, të cilët duhet të kenë akses sa më të madh në internet, me qëllim përmirësimin e kushteve për t’u arsimuar në mënyrë efikase”, tha Kryeministri.