E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Japan Tobacco International” mbështet gazetarinë ekonomike

Ceremonia Unioni i Gazetarëve ndan çmimin “Vangjush Gambeta”

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi për të dytin vit radhazi konkursin për çmimin “Vangjush Gambeta”, për raportin më të mirë ekonomik në media. Ky aktivitet, ashtu si dhe një vit më parë, u mundësua nga “Japan Tobacco International” (JTI).

Në ceremoninë e rastit, presidenti i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, nënvizoi garën e fortë dhe seriozitetin me të cilin u paraqitën konkurrentët në këtë konkurs që tashmë po ndërton traditën e tij në Shqipëri. Presidenti rajonal i “Japan Tobacco International” (JTI), Martin Bradock, u shpreh në fjalën e tij se në vizionin e përgjegjshëm të biznesit që ai drejton, një media që i shërben publikut është një investim shumë i mirë social.

“‘Japan Tobacco International’ ka qenë dhe mbetet një dëshmitare e rëndësishme e rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe promovues i vendit në 120 tregjet ku vepron”, deklaroi Bradock. Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, ish-gazetar i njohur, përmendi në takim përvojën e tij personale me Vangjush Gambetën, emrin e të cilit mban çmimi prestigjioz i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë. Këtë vit çmimin “Vangjush Gambeta”, për raportin më të mirë ekonomik të vitit 2010 e morën Klodian Tomorri në zhanrin televiziv, Ervin Qafmolla për shtypin e shkruar dhe Amarildo Topi në produksion radio. Çmimet e karrierës iu dhanë Briseida Memas, gazetare e shquar pranë AFP dhe gazetarit Arben Andoni. Çmimi “Vangjush Gambeta” u dha për herë të parë vitin e kaluar (2009) me mbështetjen e JTI për tre gazetarë efektivë të ekranit, radios dhe shtypit të shkruar.

Vangjush Gambeta ishte një gazetar i shquar dhe publicist, i cili pati rol të spikatur në shtypin shqiptar. Në vitet 1956-1975 ai drejtoi sektorin ekonomik në gazetën “Zëri i Popullit” – më e madhja e epokës ku më vonë shërbeu edhe si zv/kryeredaktor. Paralelisht në këto vite ai ishte pedagog i ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Për shkak të qëndrimeve të tij liberale dhe frymës perëndimore në ekonomi, ai u internua për 15 vite, duke e mbyllur karrierën qysh në vitin 1975. Në vitin 1990 ai ishte bashkëthemelues i Partisë Republikane dhe drejtues i gazetës së saj “Republika”. Ai ndërroi jetë në vitin 2008. JTI është sponsor i këtij aktiviteti dhe gjithashtu ka mbështetur Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, për të botuar Manualin e Etikës së Gazetarit si dhe monografinë “Në mbrojtje të të drejtave të komunitetit profesional të gazetarëve”.

“Japan Tobacco International” është divizioni ndërkombëtar i “Japan Tobacco Inc.”, një prodhues kryesues botëror i duhan- cigareve, me një treg botëror prej 10,5%. Kompania punëson 25,000 punonjës në 89 zyrat e saj në të gjithë botën dhe në të 26 fabrikat. Produktet e kompanisë gjenden në 120 vende të botës. JTI është aktualisht mes 500 kompanive më të mëdha të globit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›