E Diel, 1 Nëntor 2026

Interpelanca, Bizhga: Policia jonë, me uniforma italiane

Tenderi për uniformat e policisë ka vënë dje përballë në Kuvend ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani dhe anëtarin e komisionit parlamentar të Sigurisë, deputetin socialist Gazmir Bizhga. Ka qenë ky i fundit ai që ka thirrur ministrin në një interpelancë të posaçme, që të japë llogari për gjendjen në të cilën ndodhet policia shqiptare dhe duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek çështja e tenderit të uniformave të policisë. “Të pranosh sot që t’i veshësh Policisë së Shtetit shqiptar uniformë me modele dhe elementët përbërës të saj, ato të një shteti tjetër, është njësoj si të pranosh që je një komb pa identitet”, - tha deputeti Bizhga, duke sjellë në vëmendje se çdo gjë nisi me anulimin e tenderit të prodhimit të uniformave të policisë të vitit 2009. Anulimi i këtij tenderi, sipas Bizhgës është bërë edhe për qëllime të abuzimit me fondet e përcaktuara për këtë uniformë. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani në përgjigjen e vet deklaroi se tenderi për uniformat e policisë ishte i hapur dhe u zhvillua në përputhje me ligjin. “Të gjitha hapat e ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për uniformat e reja ishin konkurruese, transparente dhe në përputhje të plotë me ligjin”, - tha Nishani. Ministri theksoi se kontrata me kompaninë fituese duhet të realizohet në një afat 4-vjeçar, duke mos rënduar buxhetin e shtetit. “Deri tani zbatimi i kontratës po ecën në drejtimin e duhur, pasi ka ardhur lënda e parë, është autorizuar përdorimi i saj dhe po vazhdon prodhimi i produktit të gatshëm. Në përputhje me parashikimin e kontratës, firma zbatuese do të bëjë dorëzimin e produktit në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit 2012 çdo punonjës i policisë do të ketë të veshur uniformën e re të Policisë së Shtetit”, - u shpreh Nishani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›