E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpelancat e LDK’së

LDK pritet të thërrasë në interpelancë Kryeministrin Hashim Thaçi në lidhje me moszabatimin e marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli. Burime brenda partisë më të madhe opozitare kanë thënë se kjo pritet të ndodhë pas 10 shtatorit. Në këtë parti thonë se do të kërkojnë llogari edhe nga Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, për shkak të skandaleve me njohjet.

Lidhja Demokratike e Kosovës menjëherë pas përmbylljes së pavarësisë së Kosovës do të thërrasë në interpelancë Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për moszbatimin e marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli.

Burime brenda LDK’së kanë thënë se nga Kryeministri do të kërkojnë përgjegjësi për moszbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, e cila ishte miratuar pas marrëveshjes së politike PDK-LDK-AKR, e cila ka paraparë afate për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në fund të këtij viti dhe zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.

“LDK do të thërrasë në interpelancë Kryeministrin Thaçi menjëherë pas përmbylljes së pavarësisë për moszbatimin e marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli si dhe për moszbatimin e Rezolutës së Kuvendit mbi këtë marrëveshje”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK’së për Express.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes politike, por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin pesëvjeçar të Presidentes, PDK ka deklaruar se do të respektojë vendimin e Gjykatës para marrëveshjes.

Ndërkohë, Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se nuk e ka në plan të japë dorëheqje dhe t’i hapë rrugë zbatimit të marrëveshjes së vitit të kaluar.

Si pasojë e kësaj, LDK ka braktisur Komisionin për Reformë Zgjedhore dhe Komisionin për Reformë Kushtetuese dhe ka kushtëzuar kthimin në këto procese me zbatimin e marrëveshjes politike të tre liderëve.

Por, nuk do të jetë interpelanca e vetme që do të thërret Partia e Isa Mustafës për Qeverinë.

Kjo parti ka planifikuar që pas ballafaqimit me Thaçin, të thërrasë në Kuvend edhe Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, rreth skandaleve diplomatike që kanë ndodhur sa u përket njohjeve.

“Interpelanca e dytë do të jetë me Ministrin Hoxhaj dhe skandalet në fushën e diplomacisë. Do të kërkohet përgjegjësi për dëmin që i është shkaktuar, loja që kanë bërë zyrtarët e Qeverisë në fushën e diplomacisë”, ka thënë zyrtari i LDK’së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›