E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës

(E plotësuar) Me 98 vota për, 10 kundër dhe një abstenim janë miratuar amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Me votimin e amendamenteve si pako kanë hyrë menjëherë në fuqi dhe ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Të gjitha grupet parlamentare kanë përkrahur këto amendamente, përveç Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka dhënë arsyet e kundërshtimit të këtyre amendamenteve, duke votuar edhe kundër.

Këto amendamente i kanë përkrahur edhe komunitetet pakicë me 22 vota për, që në bazë të kushtetutës është dashur edhe 2/3 e votave të komuniteteve për të hyrë në fuqi.

Gjatë kësaj pike nuk është lejuar debat parlamentar, pasi që kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se është marrë vesh me shefat e grupeve parlamentare për mos me u zhvilluar debat.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kërkuar që të votohet ratifikimi i marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për mandatin e EULEX-it, e më pas amendamentet kushtetuese, por një gjë e tillë nuk është lejuar nga kryeparlamentari Krasniqi duke vazhduar seancën sipas rendit të ditës.

Më pas, kryetari i komisionit Ad-hoc për amendamentimin e kushtetutës, Arsim Bajrami ka thënë se amendamentet në bazë të kushtetutës hyjnë në fuqi në momentin e miratimit dhe me këtë përfundohet legjislacioni primar të përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Më pas kanë filluar deklarimet e grupeve parlamentare. Me këtë rast, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i ka dhënë mbështetjen këtyre amendamenteve kushtetuese.

“Grupi Parlamentar i PDK-së ka përcjell punën e Komisionit përmes përfaqësuesit tonë. Kemi dhënë vërejtjet dhe sugjerimet tona dhe i kemi dhënë mbështetje aprovimit të këtyre amendamenteve dhe sot i bëjmë thirrje kolegëve që t’i aprovojnë”, ka thënë Grabovci.

Ndërkohë, edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, fillimisht ka shfrytëzuar rastin të uroj deputetët për 7 shtatorin, 22-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e njohur ndryshe si Kushtetuta e Kaçanikut.

LDK vlerëson se përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare është një fazë e rëndësishme në shtetndërtimin e vendit. Sipas Beqirit, roli i LDK-së dhe presidentit historik, Rugova është i rëndësisë së veçantë në procesin e ndërtimit dhe krijimit të raporteve me SHBA-të dhe BE-në.

Madje, ai ka thënë se nuk ka vend për festime të mëdha, sepse siç ka thënë ai festa duhet të shndërrohet në punë.

Beqiri ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin që të respektohet marrëveshja mes liderëve, ndërkohë amandametet ka përkrahur.

“LDK-ja asnjëherë nuk e ka lidhur këtë proces të përmbylljes së pavarësisë me marrëveshjen e arritur vitin e kaluar. Ne vazhdojmë dhe insistojmë që këto dokumente të respektohen. LDK-ja nuk është bllokuese e asnjë procesi. LDK do të votojë për amendamentet kushtetuese që janë në rend dite. LDK dhe Isa Mustafa do të vazhdojë edhe më tutje kontributin në të mirën e vendit. Ne do t’i votojmë këto amendamente kushtetuese të propozuara sot”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se kjo kushtetutë ka pasur probleme themelore, që po vazhdojnë të mbesin edhe me ndryshimet kushtetuese tani.

“Kjo kushtetutë i ka pasur disa probleme themelore një pjesë e të cilave po mbesin edhe pas këtij amendamentimi. Kjo kushtetutë mohon identitetin tonë kombëtar. Shqiptarët 95% vendosen në nivelin e njëjtë juridik dhe politik me të gjitha bashkësitë kombëtare. Nuk është kushtetutë që ia njeh të drejtat pakicave, por e cila e nënvendos shumicën në pakica.

Ne, sot, me këtë përmbyllje që po ia bëjmë procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë, po heqim ato nene ku përmendet përfaqësuesi civil ndërkombëtar ndërsa në pikën 2 po ia vazhdojmë misionin EULEX-it”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka thënë se në këtë moment nuk po bëhet një hap historik për të shpallur FSK-në ushtri të Kosovës.

Po ashtu, ai ka shtuar se kjo kushtetutë e ka mohuar gjyqësorin e pavarur. Prania ndërkombëtare e ka një pushtet ekzekutiv mbi gjykatat tona.

Sipas tij, kjo kushtetutë e mohon barazinë para ligjit, që do të thotë shqiptarët nuk i konsideron si individë, por si bashkësi etnike.

Deputeti Ymeri ka thënë se në këtë moment që po quhet historik, po humbet shansi historik që kjo kushtetutë të bëhet tamam kushtetutë e Kosovës dhe e qytetarëve të saj.

Ndërkaq kryetari i Grupit Palrmantar të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se AAK mendon se populli i Kosovës në më shumë se dy dekada prej Kushtetutës së Kaçanikut ka kaluar në faza shumë të vështira dhe të dhimbshme.

Edhe ai i ka dhënë mbështetjen këtyre ndryshimeve, në mënyrë që të hiqet mbikëqyrja e pavarësisë.

“Ndryshimet që do t’i votojmë sot janë edhe një moment të një rruge të gjatë të Kosovës. Mendojmë se do të duhet shumë punë edhe në të ardhmen që mundësia që hapet të bëhet realitet. Nga Kushtetuta e Kosovës po i heqim provizionet të cilat në mënyrë kushtetuese e bëjnë Kosovën të mbikqyrur dhe nuk është diçka që duhet të mëvetësohet. AAK do t’i votojë. Kosova ka mësu që të mos e fusë në luftë përfekten me të mirën”, ka thënë Gjini

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar SLS, Sasha Mirosavleviq ka kritikuar kryetarin e komisionit Ad-hoc, Arsim Bajrami për komentet se pakicat me kërkesën e tyre edhe për dy mandate po kërkojnë shumë.

“E demantoj kryetarin e komisionit, Bajramin se pakica serbe me kërkesat e tyre për mandate po kërkojnë shumë. Përkundër, të vetëdijshëm dhe në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare kemi marrë vendim të votojmë amendamentet. Ju kujtojmë që ky nuk është fundi i reformave”, ka thënë ai.

Më pas, deputetët kanë kërkuar debat, por kjo nuk është lejuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se është marrë vesh që nuk do të ketë debat.

“Debat nuk ka. Kryetarët e grupeve i thanë fjalët e tyre dhe konsideroj se hymë në procedurën e votimeve. Ju njoftoj që grupet kanë dhënë fjalën e tyre dhe në hyjmë në procedurën e votimit”, ka thënë Krasniqi.

Duke u bazuar në nenin 144, paragrafi 2 i Kushtetutës, çdo ndryshim kërkon miratimin e 2/3 të deputetëve dhe 2/3 e vendeve të rezervuara. Votimi i amendamenteve është bërë në një pako, përfshirë këtu edhe propozimin e komisionit për amendamentin 17.

Me 98 për, 10 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi ka miratuar amendamentet Kushtetuese që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ndërsa komuniteti serb ka dhënë 22 vota për./kosovapress/

EULEX deri me 2014

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen me Bashkimin Evropian për mandatin e EULEX-it deri në qershor të vitit 2014. Ndërkohë që ka aprovuar edhe ndryshimet kushtetuese me të cilat përmbyllet faza e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Kryetari i Komisionit për ndryshimet Kushtetuese, Arsim Bajrami e cilësoi këtë si një ditë historike për Kosovën, që koincidon edhe me 20 vjetorin e nxjerrjes së Kushtetutës së Kaçanikut e cila përcaktonte qysh në atë kohë, Kosovën si shtet të pavarur e sovran.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, ndryshimet kushtetuese, por edhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it e kanë mbështetur edhe dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se problemet e shumta me të cilat ballafaqohet Kosova e zbehin këtë ditë. Andaj, ai tha se LDK do t’i mbështes si ndryshimet kushtetuese ashtu edhe mandatin e EULEX-it, por rikujtoi qeverinë se nuk ka vend për festë.

Subjekti i vetëm parlamentar që ka qenë kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it në formën se siç kanë vepruar institucionet e Kosovës ishte lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie politike, Visar Ymeri tha se me këto ndryshime kushtetuese nuk po përmbyllet mbikëqyrja, por po fillon një fazë e re e saj.

Procedura e miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe ratifikimi i marrëveshjes më Bashkimin Evropian për mandatin e EULEX-it kanë kaluar përmes votimit me mbi dy të tretat e votave të deputetëve.

Heqja e mbikëqyrjes ndërkombëtare ishte një vendim edhe i Grupit Drejtues Ndërkombëtar në përbërje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia, i cili kishte konstatuar paraprakisht se Kosova ka përmbushur obligimet kryesore që i kishte me zbatimin e Planit të Ahtisarit- që njihet edhe si marrëveshja për statusin e Kosovës.

Kurse mandati shtesë i EULEX-it edhe për dy vjet të tjera ishte rezultat i disa marrëveshjeve që qeveria dhe presidentja e Kosovës i kanë arritur me Brukselin, përkatësisht me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton. (REL)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›