E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpoli ekstradon nga Italia dy të dënuar për vrasje

17/07/2009  Gjykatat e Vlorës dhe të Shkodrës kanë dënuar Hysajn dhe Katicën për krimin e vrasjes

TIRANE- Ekstradohen nga Italia dy persona që kanë kryer vrasje në Shqipëri dhe më pas për t’ju fshehur drejtësisë janë fshehur jashtë vendit. Ata janë shtetasit Edmond Hysaj nga Vlora dhe Taip Katica nga Shkodra. Duke ju referuar burimeve zyrtare pranë policisë së shtetit mësohet se për 38-vjeçarin Edmond Hysaj Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin nr. 114, të vitit 2001, e ka dënuar atë me 20 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”. Sipas vendimit të gjykatës më 5 mars 1999, rreth orës 15:30, në fshatin Picar të rrethit të Vlorës, i pandehuri Edmond Hysaj ka qëlluar me thikë shtetasin Et’hem Çaushi, duke i shkaktuar vdekjen këtij të fundit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti që ka lindur për motive pronësie midis autorit të krimit dhe viktimës. Menjëherë sapo ka kryer vrasjen i pandehuri Hysaj është larguar nga vendi i krimit, duke mundur t’i shpëtojë prangave të policisë së asaj kohe. Pas qëndrimit i fshehur në fshatrat e tjerë të Vlorës, 38-vjeçari ka mundur të largohet me skaf në Itali. Ai ka qëndruar për gati 10 vjet në qytetin e Milanos, derisa agjentët e Interpol Romës në bashkëpunim me Interpol Tiranën, kanë lokalizuar vendndodhjen dhe më pas kanë kryer prangosjen e tij. Nga shkëmbimi i informacionit midis dy shteteve si dhe plotësimi i procedurave ligjore, drejtësia italiane ka vendosur që Edmond Hysaj të vuajë dënimin në Shqipëri. Ndërkohë që ekstradimi tjetër bën fjalë për shkodranin Taip Katica, të cilin të gjithë e mbajnë mend, se së bashku më vëllain e tij, Gencin, kanë ekzekutuar në mes të Shkodrës shtetasin Jetmir Dhampiri. Vrasja e këtij të fundit është cilësuar nga dy autorët si aksidentale, pasi objektivi i tyre ishte shtetasi Ardian Bregasi me të cilin ata kishin hasmëri. Lidhur me këtë ngjarje gjykata e Shkodrës, me vendim nr. 217, të vitit 2008 ka vendosur ndaj 53-vjeçarit Taip Katica masën e sigurisë “arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje në bashkëpunim” dhe “armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Krimi i rëndë ka ndodhur më 8 prill 2000 në lagjen “Partizani” në Shkodër, ku përballë bilardos së shtetasit Rasim Katica, është vrarë me armë zjarri shtetasi Jetmir Dhampiri, i cili udhëtonte me automjetin e shtetasit Ardian Bregasi. Ata janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe më pas janë fshehur në Itali. Mirëpo në datën 9 tetor të vitit të kaluar agjentët e Interpolit kanë mundur të arrestojnë në Breshia, dy vëllezërit e kërkuar. Më pas atyre iu është komunikuar akuza e vrasjes së kryer me dashje në bashkëpunim. Para arrestimit të dy vëllezërve për këtë akuzë, policia italiane kishte arrestuar Genci Katicën, për trafik dhe shitje droge në veri të Italisë, por deri në arrestimin e vëllait tjetër, për të drejtësia italiane kishte kërkuar që ai të lihej në arrest shtëpie. Pikërisht survejimi i tij ka sjellë edhe zbulimin e vëllait tjetër, i cili aktualisht është ekstraduar në Shqipëri. Ndërkohë pritet që në ditët në vazhdim të ekstradohet edhe Genci Katica, për të cilin drejtësia italiane po zhvillon një proces gjyqësor, pasi ai akuzohet për trafik dhe shitje droge.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›