E Diel, 1 Nëntor 2026

ALUIZN-i, vetëm 284 pronarë shtëpie kanë paguar detyrimin

17/07/2009  Kreu i agjencisë thirrje për 4 mijë objektet e miratuara

Po ecën me ritme shumë të ngadalta pagesa për objektet e ndërtuara pa leje në zonat informale në Durrës. ALUIZN-i ka bërë të ditur se procesi i legalizimit të këtyre objekteve në nivel qarku po shkon sipas të gjitha parashikimeve deri tek detyrimi që ka çdo pronar i ri për të paguar taksën dhe tarifën për të marrë më pas certifikatën e pronësisë. “Vetëm 284 objekte kanë marrë certifikatë nga 4065 objekte që kanë përfunduar të gjithë procesin ligjor”,-ka thënë drejtori ALUIZN-it në Durrës Andi Lila. Bashkia e Durrësit ashtu si dhe disa njësi të tjera vendore kanë dhënë tregues pozitiv, pasi është kryer pjesa më e madhe e volumit të punës. Janë regjistruar tashmë 18.400 objekte për aplikime dhe deri në fund të dhjetëditëshit të parë të muajit korrik kanë përfunduar matjet në zonën informale të Kënetës, Shkozetit 1, 2, Kodër Vilë, Spitallë dhe Porto Romano. Lila ka thënë se dixhitalizimi ka përfunduar në më shumë se 9000 objekte në Kënetë dhe 1000 objekte të tjera në Shkozet 1. “Ka kaluar pronësia me VKM për 6200 objekte apo 1/3 e numrit të përgjithshëm”,-ka vijuar Lila. Në rastin kur dosja dhe lista ka marrë edhe miratimin me VKM, atëherë mbetet vetëm pagesa e faturës për taksën e ndikimit në infrastrukturë, detyrimi i shërbimit dhe derdhja e parave për të marrë dokumentin e pronësisë. Sipas Lilës, e gjithë procedura që i përket ALUIZN-it për 4065 objekte ka përfunduar dhe se pritet vetëm interesimi dhe veprimi konkret i pronarëve të objekteve për të shkuar drejt hipotekës. Nisur nga praktika e deritanishme qytetarët nuk i janë përgjigjur me të njëjtin vullnet ligjit për legalizimin e banesave, vullnet që në fazën e aplikimit dhe mbushjes së formularëve ishte shumë i lartë dhe u mbyll në kohën e parashikuar. Punonjësit e Drejtorisë së Legalizimit në këtë qark kanë shpërndarë të gjitha faturat e përgatitura për fazën finale, atë të pagesës së ndërtimit deri më tani pa leje. Ndonëse ligji parashikon pagesë me këste, pagesë me afrimin e letrave me vlerë dhe ulje në disa për qind për rastet e pagesës së të gjithë shumës, pak pronarë objektesh kanë trokitur tek arka. Faturën e shërbimit e kanë paguar 14.122 shtetas që presin legalizimin e ndërtimit pa leje, kurse taksën e ndikimit në infrastrukturë e kanë paguar në bashkinë e Durrësit 8320 qytetarë. Drejtori Andi Lila ka pohuar se janë krijuar të gjitha lehtësitë si dhe është bërë e gjithë puna e duhur e agjitacionit paraprak për të bindur me ligj qytetarët të zhbllokojnë asetet e tyre të ngurtësuara. Çmimi më i ulët për vlerën e tokës në Durrës është 3600 l për m2, çmimi më i lartë 38 mijë lekë për m2 dhe në zonë elitare 44 mijë për m2. Vetëm në hapësirën prej 50.1 ha me 1008 objekte të skeduara nga CO-Plan në ish-Kënetë mbahen të ngurtësuara 150 milionë euro vetëm për vlerën e tokës pa përfshirë këtu vlerën e objektit. Kjo sipërfaqe e Co-Plan është vetëm 1/15 e të gjithë hapësirës së zënë me troje e ndërtime në ish-Kënetë. Janë miliarda lekë si vlerë financiare e bllokuar në Durrës që pret të kapërcejë këtë prag vetëm pas përfundimit të legalizimit dhe pagesës përfundimtare të të gjitha detyrimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›