E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpoli ekstradon trafikantin e fëmijëve

Ditën e djeshme, më datë 18.11.2008, nga Zyra Qëndrore Kombëtare e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano/Itali, drejt Shqiperise i shtetasit Xhemal Korra, lindur më 08.11.1980, në Elbasan. Ekstradimi i tij, u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.315, datë 14.10.2003, ka vendosur masën e sigurisë « Arrest në burg », për shtetasin Xhemal Korra, për kryerjen e veprës penale të « Trafikimit të fëmijëve », në bashkëpunim, parashikuar nga neni 128/b, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr.14, datë 25.06.2004, e ka dënuar këtë shtetas me 16 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të « Trafikimit të fëmijëve », në bashkëpunim, parashikuar nga neni 128/b, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Sipas vendimit të gjykatës, shtetasi Xhemal Korra në bashëkpunim me të atin Agron Korra, gjatë periudhës 1999-2000, kanë trafikuar në Greqi të miturit D.F dhe Xh. F, me qëllim shfrytëzimi si lypësa. Fillimisht është shfrytëzuar i mituri D., i cili ka qenë 12 vjeç në periudhën që është dërguar në Greqi dhe më pas e motra e tij e mitur Xh. Të ardhurat që siguronin duke lypur të miturit ia jepnin të pandehurve Xhemal dhe Agron Korra, të cilët ushtronin mbi to dhunë fizike dhe psiqike, ku i mituri D. ka ende shembje në këmbë. Rreth 300.000 dhrahmi në muaj ata ia dërgonin prindërve të të miturve. Shfrytëzimi ka vazhduar për dy vjet dhe në disa raste janë kapur nga policia e janë dërguar në Shqipëri por me ndihmën e të pandehurvë janë rikthyer në Greqi deri në momentin kur i dëmtuari D. është goditur nga një makinë në semafor dhe është shtruar në spital. Më pas është dërguar në një shtëpi fëmijësh e quajtur « Papaf » së bashku me motrën e tij. Si rezultat i bashkëpunimit te Interpol-Tirana me Interpol Romën, u bë arrestimi dhe ekstradimi i tij. Në aeroportin e Rinasit ky shtetas i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›