E Diel, 1 Nëntor 2026

Interpoli shpall në kërkim ndërkombëtar Delin Hajdaraj

Vrasja e tre pushuesve në Vlorë, autori ende në arrati

Delin hajdarajTiranë/Interpol Tirana shpall në kërkim ndërkombëtar të dyshuarin për masakrën e ndodhur në plazhin e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pasditen e 28 gushtit. Tashmë fotografia dhe të dhënat personale të Delin Hajdaraj, 22 vjeç, banues në qytetin bregdetar dhe me precedentë të mëparshëm penalë, gjendet në faqen zyrtare të Interpolit. Pas më shumë se një muaji hetimesh dhe ndjekjeje në vend, hetuesit janë bindur se Hajdaraj mund të jetë arratisur jashtë vendi dhe kanë kërkuar ndihmën e policive të vendeve që aderojnë në Interpol. Përpos dy fotografive të Hajdaraj, jepen të dhënat personale, mosha, atësia, gjatësia 180 centimetra, karakteristikat juridike, akuza e vrasjes së trefishtë dhe armëmbajtjes pa leje, si dhe rrezikshmëria shoqërore. Në fund të faqes shkruhet se për cilindo që disponon informacione rreth vendndodhjes së të dyshuarit, duhet të telefonojë në zyrat e policisë së atij vendi.

Akuzat për Delin Hajdaraj

22 vjeçari me banim në Vlorë, akuzohet për vrasjen e Sokol Isufajt, 34 vjeç, nga Roskoveci i Fierit, Diana Ademit, 53 vjeçe, nga Vlora, por banuese në Gjermani me familjen prej 20 vitesh, dhe 17-vjeçarit nga Përrenjasi, Serdi Bajlozi. Të tre viktimat ishin të pafajshme në konfliktin që Hajdaraj dhe shoku i tij, Leo Osmëni, tashmë i arrestuar dhe burgosur, kishin me një grup të rinjsh nga Fieri. Shkak ishte ngacmimi i motrës së Osmani, edhe ky me precedentë penalë. Grindja në lokalin e resortit turistik përfundoi në përdorimin e armës. Hajdaraj, i informuar për grindjen, ka mbërritur me një makinë, e pa u interesuar për shënjestrën ka qëlluar nga distanca e afërt me breshëri, tek shkallët, duke lënë në shezlon tre pushues të vdekur.

Hetimet

Sipas dëshmive nga personat në vendngjarje, të zbardhura nga grupi hetimor, pas krimit dy të rinjtë janë arratisur me një fuoristradë, por një prej tyre u kap pak orë pas ngjarjes. Në polici u shoqëruan edhe dy pronarët e resortit, që nuk denoncuan për sherrin në lokal mes të rinjve. Fillimisht u deklarua se autorët kishin objektiv të riun Sokol Isufaj, nga Roskoveci, por më pas u sqarua se edhe ai ishte viktimë e pafajshme. Diana Ademi kishte ardhur me pushime në Vlorë, atë ditë ishte e vetme në plazhin e Kalasë dhe Serdi Bajlozi gjendej tek të afërmit në Ujin e Ftohtë për pushime. Policia arrestoi Leo Osmanin dhe gjykata e la në burg si bashkëpunëtor dhe iniciator i tragjedisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›