E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista “Menaxherët shëndetësorë, të krijohet Fakulteti i Shëndetit Publik”



“Vendi ynë ka nevojë urgjente për ngritjen e një Shkollë të Shëndetit Publik”, - argumenton profesor Bajram Hysa, shef i departamentit të Shëndetit Publik në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Në një intervistë për “standard”, Hysa shpreh domosdoshmërinë e trajnimit të të gjithë punonjësve të shëndetësisë në shkollat e shëndetit publik në mënyrë që të përballin me sukses sfidat e mëdha të sistemit shëndetësor. Sipas tij, përvoja e të gjitha vendeve perëndimore tregon që vetëm shkollat e shëndetit publik janë në gjendje të ofrojnë një trajnim bashkëkohor dhe të formojë brezat e rinj të specialistëve të shëndetit publik si dhe menaxherët e ardhshëm shëndetësor. Profesor Bajram Hysa shprehet se “një nga mangësitë themelore të sistemit shëndetësor në Shqipëri është mungesa e kuadrove në trajnimi dhe menaxhim shëndetësor që do të jetë një nga përparësitë kryesore të kësaj shkolle”. Më tej, Hysa shton se të gjithë drejtorët e shëndetit publik apo të spitaleve QSUT duhet të kenë elementët bazë të menaxhimit në mënyrë që të përballojnë sfidën e madhe të mbulimit të shërbimit shëndetësor me burime sa më të kufizuara. “Nga kjo pikëpamje Shkolla e Shëndetit Publik do të ofrojë edukim dhe trajnim të një brezi të ri menaxherësh dhe aktorësh që shërbejnë në sistemin shëndetësor në nivel parësor, dytësor dhe tretësor”, - thotë Bajram Hysa, shef i departamentit të Shëndetit Publik në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

Rekomandimet e organizmave botërorë shëndetësorë gjithnjë e më shumë po këmbëngulin në promovimin për parandalimin e sëmundshmërisë në popullatë. Nisur edhe nga lëvizja e lirë e njerëzve nga një vend në një tjetër po shtohet rreziku i përhapjes së sëmundjeve. Sa i ekspozuar është vendi ynë përballë këtij rreziku dhe a mendoni se ka strukturat e domosdoshme për të përballuar?

Domosdoshmëria e krijimit të tij departamenti lidhet edhe me historitë e sëmundjeve epidemiologjike të përhapura shumë kohë përpara, pas çlirimit. Domosdoshmëria e kurimit të mjaft sëmundjeve bëri të domosdoshëm jo vetëm krijimin e Institutit të Shëndetit Publik, i cili merret me propagandimin, kurimin, e mjaft sëmundjeve epidemike por edhe me përgatitjen e kuadrove të aftë për të shërbyer në sferën e shëndetit publik, pasi departamenti i Shëndetit Publik është një nga 17 departamentet e Fakultetit të Mjekësisë. Ndaj, dhe dy vite me parë ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Genc Pollo, miratoi degën e shëndetit publik e cila fillimisht u nis një kërkesë për krijimin e Shkollës së Shëndetit Publik. Përpjekjet për krijimin e kësaj shkolle në Shqipëri kanë filluar që në vitin 1996 nëpërmjet një nisme të Bankës Botërore të zbatuar nga Universiteti i Monte Realit, Kanada. Më pas, janë bërë përpjekje serioze edhe nga Universiteti Bielefeldit, Gjermani, si dhe nga shumë shkolla dhe universitete ndërkombëtare. Nisur nga këto nevoja emergjente në vitin 2003 Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë bëri propozimin dhe miratoi në parim ngritjen e shkollës së shëndetit publik.

Ju thatë që tashmë keni një projekt për hapjen e kësaj shkolle. Por realisht çfarë po ndodh me të? Në çfarë faze ndodhet ai?

Pas disa përpjekjeve që u bënë nga ana e senatit të universitetit dhe fakultetit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e pa të arsyeshme që fillimisht të krijojë degën e Shëndetit Publik. Kjo degë është një ndër katër degët që ka Fakulteti i Mjekësisë. Hapja e Shkollës së Shëndetit Publik ngatërrohet me hapjen e Universitetit të Mjekësisë, por që në të vërtetë nuk kanë lidhje, pasi nuk është kusht krijim i Universitetit të Mjekësisë për hapjen e Shkollës së Shëndetit Publik. Eksperiencat në botë për krijimin e Universitetit të Mjekësisë janë të pakta. Ndërsa eksperiencat për krijimin e shkollave të shëndetit publik janë të shumta. Madje shumica e vendeve të Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkolla të shëndetit publik. Aktualisht në degën e Shëndetit Publik çdo vit janë pranuar 80 studentë, por këtë vit është kërkuar një reduktim i numrit të studentëve për arsye se duhet menduar edhe për tregun dhe për mundësinë e punësimit të tyre. Gjithsesi, kjo është një ndërprerje e përkohshme. Dega e Shëndetit Publik është ngritur sipas Kartës së Bolonjës, këtë vit do të mbarojnë 74 veta nga të cilët më të mirët me mesatare mbi 8 do të vazhdojnë specializimin dy vitet e tjera ku dhe do të fitojnë një master të nivelit të parë.

Si do të funksionojë Fakulteti i Shëndetit Publik dhe cilat do të jenë programet e reja që do të hapen?

Shkolla do të ketë kohëzgjatjen bazuar edhe në mënyrën që përcakton mjaft qartë edhe Karta e Bolonjës. Kjo shkollë do të fokusohet kryesisht në formimin e një grupi punonjësish të shëndetit publik me njohuri të thella bashkëkohore në fushat e menaxhimit dhe planifikimit shëndetësor. Për të arritur këtë objektiv trajnimi i studentëve do të përqendrohet në këto drejtime: në planifikim shëndetësor, probleme të shëndetit publik, vlerësim të programit shëndetësore, menaxhim të burimeve njerëzore, menaxhim financiar. Zbatimi në praktikë i njohurive të fituara në shkollë do të kontribuojë në vlerësimin e kapaciteteve planifikuese dhe menaxheriale të sistemit tonë shëndetësor.

Në qoftë se është thënë shpesh dhe është parë me mjaft seriozitet nga qeveria aktuale krijimi i gjeneratës së menaxherëve shëndetësorë jam i mendimit që këta nuk mund të krijohen nëpër kurse që mund të ngrihen në MSH në ISHP por si në gjithë botën juridiksionin e përgatitjes së menaxherëve të tillë e kanë fakultet nën juridiksionin e MASH. Programi që zbatohet aktualisht në degën e shëndetit publik por edhe në shkollën e shëndetit publik është i ndarë në dy nivele, janë nivel universitar dhe dy vjet pasuniversitare. Nëse do të hapet Fakulteti i Shëndetit Publik, mendohet se do të funksionojë në 5 departamente. Një departament do të jetë ai i epidemiologjisë, biostatistikës, promocionit, ekonomisë e shëndetit dhe menaxhimit shëndetësor si dhe për studimin e problemeve të mjedisit.

A do të ketë rritje të kuotave të studentëve që do të pranohen?

Hapja e Shkollës së Shëndetit Publik me pesë departamente që ne propozojmë, do të ketë edhe rritje të numrit të pedagogëve natyrisht që do të mbulojë dhe një numër shumë të madh studentësh. Vitin e ardhshëm ne do të propozojmë rritje të kuotave, pasi sot ne kemi 9 pedagogë efektivë dhe 40 pedagogë të jashtëm. Dhe duke qenë në presion nga disa struktura jashtë fakultetit ne ngritëm problemin e reduktimit të numrit të studentëve që do të pranohen. Ne gjykojmë se me gjithë domosdoshmërinë për ngritjen e Shkollës së Shëndetit Publik ne nuk mund të themi që nuk po përgatisim specialistë të tillë. Por, kjo është e pamjaftueshme. Duke futur një program 5-vjeçar, pastaj mastera dhe doktoratura përgatitet një brez i tërë specialistësh.

Një nga degët që përmendet është edhe krijimi i menaxherëve shëndetësorë. Janë kurrikulat e domosdoshme mësimore për përgatitjen e menaxherëve të tij shëndetësor?

Sigurisht. Një nga shkollat me të cilat ne bashkëpunojmë, është ajo e Shëndetit Publik në Ren të Francës. Shkolla e Shëndetit Publik në Francë ku ne kemi qenë dhe kemi lidhje të vazhdueshme me ta. Shkolla e Shëndetit Publik përgatit disa lloj menaxherësh, madje të gjitha strukturat drejtuese që janë nën juridiksionin e Ministrisë së Shëndetësisë. Që nga drejtorët e spitaleve, shefat e shërbimeve, infermierët, laboratorët si dhe mjaft kategori të tjera. Të gjithë shefat e shërbimeve në të gjitha spitalet e vendit duhet t’i nënshtrohen një trajnimi të vazhdueshëm në këtë shkollë të shëndetit publik. Ne po përballemi me një rritje të sëmundjeve të reja ndoshta të panjohura më parë ose më të përhapura sot për shkak të mënyrës së re jetesës që lidhet me një mirëqenie më të lartë, por që kërkon vëmendje më të lartë të kulturës shëndetësore të njerëzve, siç janë sëmundjet kardiovaskulare që vijnë për shkak të obezitetit apo diabeti, kërkojnë njohjen e epidemiologjisë së tyre. Sëmundshmëria kardiovaskulare që është një ndër shkaqet më madhore të vdekshmërisë dhe të paaftësisë afatgjatë për femrat dhe për meshkujt kërkon edhe njohjen dhe parandalimin e këtyre sëmundjeve. Këto sëmundje kanë kosto, prandaj një nga objektivat e kësaj shkolle është të japë një ndihmesë të gjitha spitaleve në drejtim të llogaritjes së kostove për sëmundje të caktuara. Duhet një ndërhyrje nga këta specialistë që të japin kontributin e tyre në nivel parësor, dytësor dhe tretësor, gjë e cila mundëson reduktimin të incidencës, depistim të hershëm, trajtim të menjëhershëm dhe parandalimit të vdekshmërisë kardiovaskulare. Shëndeti publik nëpërmjet promocionit mund të parandalojë aksidentet rrugore, helmimet mjedisore, vrasjet dhe vetëvrasjet. Një nga mangësitë themelore të sistemit shëndetësor në Shqipëri është mungesa e kuadrove në trajnim dhe menaxhim shëndetësor që do të jetë një nga përparësitë kryesore të kësaj shkolle. Mendoj se të gjithë drejtorët e shëndetit publik apo të spitaleve QSUT duhet të kenë elementët bazë të menaxhimit në mënyrë që të përballojnë sfidën e madhe të mbulimit të shërbimit shëndetësor me burime sa më të kufizuara.

Të gjithë higjienistët, epidemiologët apo punonjësit shëndetësorë në nivel rrethi apo komune duhet t’u nënshtrohen kurseve rifreskuese të shëndetit publik. Këta persona që trajnohen kanë vende pune si në komuna, si në rrethe dhe në të gjitha qendrat shëndetësore që merren sot me trajtimin e shëndetësisë. Nga ana tjetër mund të themi që për këta ka vende edhe si politikëbërës, në drejtoritë e shëndetit publik apo edhe në Institutin e Shëndetit Publik. Nga kjo pikëpamje Shkolla e Shëndetit Publik do të ofrojë edukim dhe trajnim të një brezi të ri menaxherësh dhe aktorësh që shërbejnë në sistemin shëndetësor në nivel parësor, dytësor dhe tretësor.

Pak më sipër thatë që këtë vit është kërkuar reduktim i numrit të pranimeve, duke e lidhur këtë me tregun. Po në rast se hapet Fakulteti i Shëndetit Publik, mendoni se ka kapacitet tregu për t’i thithur të diplomuarit?

Por, mund të ketë prespektivë që tregu të liberalizohet dhe të ketë edhe institute private, ata normalisht që do të kërkojnë specialistë në këtë fushë. Gjithashtu, gjykoj se studentët që dalin nga dega e Shëndetit Publik mund të punojnë edhe si punonjës socialë për të ofruar shërbime direkt me grupet me risk të lartë, duke bërë mundësinë e rehabilitimit psiko-social të atyre personave që janë të prekur nga sëmundje të caktuara apo për të bërë parandalimin e mjaft sëmundjeve të tjera që përbëjnë rrezikshmëri. Shkolla e Shëndetit Publik e rrit tregon madje krijon mundësi punësimi, sepse kategoritë e personave që përgatiten në degën e Shëndetit Publik apo në Shkollën e Shëndetit Publik do të jenë me specialitete të ndryshme. Do të jenë sociologë, inxhinierë sanitarë, ambientalistë, biologë, infermierë, ekonomistë, psikologë; të gjitha këto kategori që do të përgatiten në Shkollën e Shëndetit Publik, sidomos me programet pasuniversitare, do të krijojnë natyrisht mundësi punësimi qoftë edhe privatisht.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›