E Shtunë, 31 Tetor 2026

I penduari Coli: Si ekzekutuam Marsel Sotirin dhe Ed Ongarin



I penduari i “Bandës së Durrësit” vijon dëshminë e tij para togave të zeza, si dhe përballë të pandehurve, dikur miq të tij. Gjatë seancës së djeshme që vazhdoi për më tepër se 5 orë, Adriatik Coli vijoi rrëfimin aty ku e kishte ndërprerë ditën e hënë, pikërisht tek momenti kur ai dhe e fejuara e tij janë plagosur gjatë një atentati të kryer nga Erion Lame. Pasi ka dhënë detaje rreth atij atentati, Coli rrëfeu me detaje si arritën të fusin në kurth Marsel Sotirin, ekzekutimin e tij, çfarë i shtyu të ekzekutonin edhe Ed Ongarin, më pas Dritan Dishën, për ta ndërprerë dëshminë e tij në këtë moment dhe për ta vijuar në seancën e radhës, ditën e hënë. Ndonëse e zhvilluar sipas vendimit të ndërmjetëm të gjykatës me dyer të mbyllura si seancë, sipas burimeve të besueshme mësohet që i penduari ka rrëfyer këto episode kriminale: plagosjen e tij nga Erion Lame, si mësoi për vrasjen e dy miqve të tij, Ilir Xhungës dhe Arben Pajën, planet për vrasjen e Ongarit, Sotirit dhe Tan Dishës.

Ekzekutimi i Xhungës dhe Pajës

Një ditë, gjatë verës së vitit 1999, nuk e mbaj mend me saktësi, unë po bëja stërvitje me një shokun tim tek shtëpia e tij, e cila ndodhet në lagjen “Stani”, sipër muzeumit. Ka qenë ora rreth 17:00 kur dëgjuam krisma që zgjatën rreth 5 minuta pa ndërprerje. Zbritëm menjëherë poshtë, morëm taksi dhe shkuam tek shtëpia e re e Lulit, e cila ishte afër me shtëpinë e Plarentit. Sa shkuam aty, pamë Klodin që po qante. E pyeta se ç’kishte ndodhur dhe ai më tha që kishin vrarë Ilir Xhungën dhe Arben Pajën, rreth 50 metra pa hyrë në Spitallë. Aty mora vesh që çunat ishin qëlluar nga Gaxhai dhe Viktor Ymeri, të shoqëruar nga Marsel Sotiri dhe disa të tjerë që banonin në Durrës. Të gjithë këta persona kishin qenë të strehuar tek shtëpia e Eduart Ongarit. Klodi na tha të marrim armët dhe të shkojmë të qëllojmë Gaxhain, ku të jetë, por nuk e la Luli. Dy ditë më pas, unë isha tek shtëpia e Klodit, së bashku me Plarentin dhe Lulin. Aty u bisedua sesi kishte ndodhur ngjarja. Pas kësaj ngjarjeje, u arrestua Gaxhai dhe ujërat u qetësuan. Në të njëjtën kohë u kthye nga Italia Indrit Taullau, i cili e kishte shtëpinë në Spitallë. Unë rrija tek shtëpia e Lulit, që e kishte marrë me qira Plarenti, ndërsa Klodi e afroi në shoqëri Indritin. Gjatë takimeve tona, ne bisedonim se kë do të vrisnim më pas. Muhabetet tona i drejtonin Luli dhe Klodi, por edhe ne futeshim në bisedë. Në atë kohë, çunat vendosën që të vrisnim Ed Ongarin, pasi ishte ai që kishte strehuar vrasësit e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës në shtëpinë e tij...

Ekzekutimi i Ed Ongarit

Në korrik të vitit 1999, unë shkova në shtëpinë e Lulit. Aty ishte edhe Plarenti. Luli na tha të merrnim dy armët “Skorpions” dhe një kallash që i kisha mbrapa në bagazh dhe një paruke të kuqe dhe t’i çoja tek shtëpia ime, pasi do t’i binim Ed Ongarit. Unë ashtu bëra dhe po prisja gati në shtëpi. Mora edhe një “Benz 240”, që ma dha Luli për ta përdorur për vrasjen. Këtë makinë, ai nuk e ka përdorur më parë. E kam parë vetëm atë ditë që e mora unë. Pas një ose dy ditësh, Plarenti, Luli, Klodi dhe Indriti ishin tek shtëpia e një të afërmes së Lulit. Ai më mori në telefon dhe më tha që të marr makinën, “Skorpions”-in dhe kallashin dhe të shkoja tek “5-katëshi”, në hyrje të lagjes. Shkova aty dhe gjeta Klodin, Indritin dhe Lulin. Hipëm të katërt tek “Benz”-i jeshil. Luli hipi në timon, Klodi në vend të parë, ndërsa unë me Indritin u ulëm mbrapa. Në atë moment, Luli vuri parukën e kuqe, ndërsa Klodi vendosi kapelën dhe u nisëm. Armën “Skorpions” e mori Klodi, ndërsa kallashnikovin e kishim ne mbrapa, unë me Indritin. U nisëm me makinë dhe kur u afruam afër lokalit, Luli më tha që të zbrisja dhe të shikoja sa vetë ishin në lokal dhe t’ia bëja me shenjë. Kur zbrita dhe iu afrova lokalit, pashë që jashtë në karrige ishin ulur Edi me dy veta të tjerë. Në atë moment i bëra me shenjë Lulit, duke i treguar me gisht që janë tre veta. Menjëherë zbriti Luli me parukën e kuqe në kokë dhe me kallash në dorë, ndërsa Klodi kishte vënë kapelën e zezë me strehë të gjatë para dhe me automatikun “Skorpions” në dorë. Edi ra përmbys në tavolinë, ndërsa Luli me Klodin hipën në makinë dhe u larguan. Unë ika në këmbë deri në shtëpi. Ata e lanë makinën afër rajonit të policisë, në një rrugicë që të nxjerrë te tregu industrial dhe më vonë erdhën në këmbë te shtëpia ime. Në shtëpinë time s’kishte njeri dhe i pyeta gjatë muhabetit për makinën. Më treguan se ku e kishin lënë, bashkë me të gjitha armët dhe paruken. Pas disa minutash, një makinë erdhi para shtëpisë, që nuk e mbaj mend se çfarë dhe kush ishte dhe nga shtëpia ime ikën Indriti dhe Klodi, ndërsa Luli iku në këmbë. Pas disa minutash shkova për të marrë makinën, pa më thënë njeri dhe e solla afër muzeumit mbrapa shtëpisë sime, ndërsa armët dhe parukën i mora dhe i fsheha në një ferrë aty afër. Makinën e mbylla.

Ekzekutimi i Marsel Sotirit

Një javë pas kësaj ngjarjeje, në korrik të vitit 1998 erdhi një djalë që nuk mbaj mend kush ishte dhe më mori te shtëpia, duke më thënë se të kërkon Luli. Shkova me të dhe më dërgoi tek një shtëpi njëkatëshe e vjetër, që ndodhej tek unaza e plazhit. Aty ishin Plarenti, Luli, Klodi dhe Indrit Taullai dhe një tjetër që tani është në Amerikë. Sa hyra brenda, më thanë: “Sot do palosim Marselin”. Unë i thashë “ishalla” dhe po vij po gjuaj edhe unë, se më la gjysmë njeriu. Kur u bënë planet, Luli tha të merrnim “Benz”-in jeshil që përdorëm tek vrasja e Ed Ongarit dhe t’i çonim tek shinat e trenit, që del tek plazhi “Iliria”. “Vetë do të rrish sipër te kodra dhe kur të dëgjosh krisma, do vish menjëherë aty ku na le dhe do të bllokosh rrugën nga krahu i “Plepave” që të kemi të lirë kalimin për në Durrës pas vrasjes”, - më tha. Me t’u errësuar koha, unë mora “Benz”-in dhe u nisëm bashkë me Lulin, Plarentin, Indrit Taullain e Klodin. Me vete morëm një mitraloz të rëndë “Kolinov”, një mitraloz të lehtë me rrotaçile, ku futëm fishekët, një kundratank dhe katër automatikë kallashnikov, ku njërin e mora unë. Shkova dhe i lash çunat të ura dhe vetë u ktheva mbrapsht dhe qëndrova buzë rrugës, në faqe të kodrës. Pas 30 minutash pritjeje, dëgjova krisma të shumta armësh dhe menjëherë shkova te makina te ura, ku më thanë ata. Mora kallashin, dola nga makina dhe e bllokova qarkullimin e rrugës nga drejtimi i rrugës Plepa– Durrës, që të kishim rrugën e lirë për të ikur. Pas rreth 10 minutash, aty erdhi në këmbë Luli me Plarentin. Luli kishte në dorë kallashnikovin, kurse Plarenti nuk kishte gjë. Kur po vinin, unë i pyeta ku është Klodi. Luli thirri dy herë “o Klodo, o Klodo”. Pastaj hipëm në makinë dhe u larguam, shofer isha unë, ku me të mbërritur tek shinat e trenit tek unaza që merr për në Durrës, ata zbritën. Luli mori kallashin tim dhe më tha kthehu: Merr Klodin. Ata vetë ikën mes shinave ndërsa unë nuk u ktheva, se kisha frikën e policisë, por vazhdova drejt. Kalova Nish-Gomën e re dhe vazhdova nga këneta, ku lashë makinën dhe u ktheva në këmbë.

Çarja e parë Saliu-Berisha

Të nesërmen, kur dola nga shtëpia pashë në afishe se kishte vdekur Marsel Sotiri dhe shkova e mora makinën. Pas dy ditësh u mblodhëm bashkë unë, Luli, Klodi e Indrit Taullai dhe biseduam për ngjarjen. Në muhabet e sipër, Klodi i tha Lulit: “Po ti si ike dhe më le vetëm? Luli i tha që unë të thirra dy herë, por ti nuk u përgjigje dhe e dija se ke ikur. Klodi kishte ikur me Indritin nga kodra dhe kishin shkuar në Spitallë. Pas disa ditësh, kur isha te shtëpia e Klodit, ky më pyeti se si ndodhi muhabeti që ikët me Lulin atë ditë. Unë i tregova që erdhi Luli dhe unë i thashë: Ku është Klodi? Ai thirri dy herë dhe më tha hip në makinë dhe ec. Klodi nuk foli. Më vonë e mora vesh nga çunat se Marseli atë ditë që u vra kishte një makinë BMW të blinduar. Pastaj çunat filluan të lëviznin, se vdiq Marseli.

Përfshirja në trafiqe

Luli mori një anije me qira 500-tonëshe nga një fierak, që nuk më kujtohet emri dhe ia dha A. Sh. për të punuar. Ai çonte klandestinë dhe drogë në Itali. Këtë gjë unë e di, sepse e shihja atë që vinte tek shtëpia e Lulit dhe jepte çdo muaj lekët e punës. Ndërkohë, Plarenti kishte ndërtuar një shtëpi trekatëshe përballë shtëpisë së tij të vjetër në pallat dhe ne atje mblidheshim. Unë aty dëgjova për herë të parë emrin e një femre, që nuk e njihja se kush ishte. Më vonë e mora vesh nga Klodi emrin e plotë. Ajo kishte qenë e dashura e Klodit që ky e kishte përdor si karrem për ta tërhequr në pritë Marsel Sotirin. Vajza u bë e dashura e Marselit dhe njoftonte Klodin për lëvizjet e tij. Ditën e atentatit, ajo kishte qenë me Marselin dhe njoftoi Klodin kur po ktheheshin për në shtëpinë e saj, që ndodhej afër vendit ku u vra Marseli. Më pas u nisën për në Itali Luli me Klodin me anije. Pas rreth dy javësh, me të njëjtën anije ikën në Itali Plarenti, Indrit Taullaj dhe ish-e dashura e Klodit. Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, kur iku Klodi, Indrit Taullai e zuri dashnore. Për këtë, Klodit i ngeli qejfi pak, por nuk tha gjë. Pas një muaj kur ikën çunat, edhe unë ika për në Itali. Shkova tek vëllai ku kam qëndruar tre muaj dhe kam punuar si ndihmës murator. Pastaj u ktheva përsëri në Shqipëri dhe mësova që Klodi, Luli, Plarenti dhe Indrit Taullai kishin jetuar në Ravena të Italisë. Luli kishte nxjerrë në punë si prostitutë vajzën nga veriu. Po ashtu, mësova se Klodi kishte gjetur disa lidhje për t’u marrë me drogë. Rreth muajit maj e qershor 2000, u kthye në Shqipëri Klodi. Më pas erdhi edhe Plarenti e Indrit Taullai. Dy ditë pas ardhjes së tyre në Shqipëri, Lulin e arrestoi policia italiane, për një punë droge dhe e mbajtën në burg më shumë se një vit. Gjatë kësaj kohe, unë e forcova shoqërinë me Klodin dhe në atë kohë u fut në shoqëri edhe Indrit Dokle, i cili ishte si çerr i shkathët, i vogël. Por gjatë kësaj kohe, edhe Plarenti rrinte shumë me Klodin.

Vrasja e Tan Dishës

Rreth fillimit të muajt korrik 2000, E. L. vrau Mehmet Saliun, këtë muhabet e mora vesh nga çunat. Ne shkuam në varrimin e Mehmetit dhe aty u bisedua që Metin e kishte vrarë një çerr i vogël, që na vajti mendja se ishte E. L. Dua të them se Lul Berisha e kishte fis të largët Mehmet Saliun. E. L. gjatë kësaj kohe shoqërohej me Tan Dishën, i cili kishte lidhje me Marsel Sotirin. Vendosëm ta vrisnim Tan Dishën, meqë shoqërohej me ata që thashë më lart dhe këtë detyrë ma ngarkuan mua dhe Indrit Dokles. Klodi më thirri një javë pas vrasjes së Mehmet Saliut, ku aty ishte Indrit Taullai që e thërrisnim Indriti i madh dhe Indrit Doklen e thërrisnim Indriti i vogël, Plarenti dhe Klodi. Klodi i tha një personi që kishte një furgon, që do na merrte ne dhe të na dërgonte deri në Shënavlash. Ai pranoi. Unë bashkë me Indritin e vogël morëm nga një kallash tek shtëpia e Klodit dhe u nisëm. Shkuam në Shënavlash tek shtëpia e Mehmet Saliut, ku pritëm sa u errësua pak. Kishim lënë një djalë, që nuk e di se kush ishte, për ta ruajtur tek lagjja Tan Dishën se kur do të dilte Tani për në Durrës. Dolëm me makinë dhe zbritëm poshtë. Shoferi iku. Unë me Indrit Doklen dolëm dhe zumë pritë rreth 300–400 metra larg shtëpisë së Tan Dishës, kurse Indrit Taullai shkoi 500 metra para nesh që kur të kalonte Tani, të na lajmërojnë me një të shtënë pistolete. Ne e kishim planifikuar që kur të vinte Tani Disha të sinjalizoheshim nga dy shokët dhe të dilnim në rrugë e ta qëllonim. Pasi kemi ndenjur rreth 30 minuta aty, në të dyja anët e rrugës afër një gardhi, ku kishte parkim makinash në krahun e Kënetës, dëgjuam të shtënën e pistoletës që na sinjalizonte për ardhjen e Tan Dishës. Indrit Dokle doli në rrugë, ndërsa unë isha pak para tij, në anën tjetër të rrugës. Sa pashë dritat e makinës që po afrohej, e lashë të afrohet rreth 20 metra dhe fillova të qëlloj me automatik në drejtim të makinës deri sa mbarova karikatorin e kallashit. Makina doli nga rruga dhe ra në kanal. Unë iu afrova me karikatorin rreth 1–2 metra dhe e qëllova përsëri Tanin me breshëri. Pastaj ne u larguam në këmbë nga këneta dhe armët i hodhëm në kanalin e madh, që kalon aty afër. Pastaj, shkuam në Spitallë, takova Klodin, Plarentin e Indrit Taullain. Ata më pyetën: “Vdiq?”, Unë i thashë: Po, po. U shpërndamë në shtëpitë tona. Në atë kohë, Luli ishte në burg në Itali.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›