Ku qëndron e veçanta e të djathtës dhe e të majtës shqiptare?
Demokracia pluraliste, si një trup i shëndoshë, ka nevojë për një të djathtë të fuqishme, që të mbështetet te puna e njerëzit e punës, të cilët janë në pakicë nga të pasurit dhe në shumicë nga shtresat e mesme, shtresa këto që, numerikisht, do të vijnë duke u rritur, si dhe nga majtistët e vërtetë evolucionistë, të cilët, kurrsesi, nuk duhet t’i përziemë, me dashje ose nga padia, me punisto-socialistët, që përfaqësojnë miliarderët më të fuqishëm të Ballkanit. Majtistët e vërtetë duhet të jenë në funksion të shtresave në nevojë që, për arsye të shumta, me punën që bëjnë, nuk janë në gjendje për t’i plotësuar nevojat e tyre dhe që, duke qenë mirë të organizuara në partinë e tyre, të mund të aplikojnë ndërhyrje sociale, që të mundë t’u zbusë, sadopak, varfërinë. Këto shtresa, me progresin e zhvillimit shoqëror, numerikisht do të vijnë, duke u zvogëluar.
E veçanta e të djathtës dhe e të majtës shqiptare qëndron në faktin se diktatura komuniste, e cila kishte moto luftën e klasave, e ndau popullin shqiptar në dy klasa antagoniste: në klasën e shfrytëzuesve, që përbënte pakicën, rreth 30-35% të popullsisë, ku futeshin trashëgimtarët e dëshmorëve, veteranët dhe të afërmit e tyre që kishin pushtetin dhe këto kryesisht nga ish-Zona e Parë Operative, si dhe shumica e të arsimuarve nga diktatura komuniste, shtresë kjo e përzgjedhur, të cilët, për të përjetësuar sundimin e tyre mbi popullin, krijuan Partinë e Punës, vazhdim i Partisë Komuniste.
Në klasën e dytë, klasa e të shfrytëzuarve, që përbën shumicën, rreth 65-70% të popullsisë, futeshin të gjithë të persekutuarit, si dhe populli i thjeshtë që, edhe pse nuk ishte i persekutuar, shtypej dhe shfrytëzohej deri në palcë. Në gjendjen më të keqe ishte popullsia fshatare e Veriut. Nga këto shtresa lindi Partia Demokratike e Shqipërisë, si shpresa e tyre e vetme, që do të përmbyste diktaturën dhe do ta shpëtonte popullin nga shtypja dhe shfrytëzimi.
Klasa e parë për të ruajtur privilegjet, si me magji, partinë e tyre “e ndërruan në përrua”, ku lanë partinë me vese, duke e zëvendësuar me partinë me “virtyte”, e shndërruan Partinë e Punës në Parti Socialiste në vitin 1991. Ustallarët e Partisë së Punës e dinin fare mirë se partia e tyre ishte një grumbull shejtanësh, që po t`ua hapësh derën, iknin secili në kokë të tij dhe nuk do të kishin mundësi t`i mblidhnin për t`i riorganizuar. Pikërisht, për këtë arsye nuk e shpërndanë Partinë e Punës në kongresin e saj të dhjetë, por vetëm i ndërruan emrin, për t`iu përshtatur ndryshimeve që kishin ndodhur më 1990 në vendin tonë, si dhe për të ruajtur kompakt elektoratin e tyre. Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 22 marsit 1992, intelektualët e përfshirë rishtas në këtë parti, kur ajo i hapi dyert për ta më 1990, duke i përfshirë në gjirin e saj, jo se i donte, por për të zgjatur ditët e saj, menduan që “nusen plakë”, ta rinovonin. Për këtë mblodhën konferencën e parë të Partisë Socialiste, ku shpalosën dy alternativa. Njëra ishte që Partia Socialiste të ishte vazhdim i Partisë së Punës, forcë e riorganizuar, ndërsa alternativa tjetër ishte që Partia Socialiste të ishte forcë e re majtiste. Ndërsa këta debatonin me njëri-tjetrin, mjeshtrit e vërtetë të Partisë së Punës, vetë dhe fëmijët e tyre, si ustallarë që ishin, u tërhoqën në pamje të jashtme nga skena politike, për të fituar kohë, që të merrnin veten nga grushti i forcave demokratike dhe nga skutat e errëta, ku ishin futur vazhdonin të mbanin frenat e PS-së, nëpërmjet veglave të tyre besnike, sigurimsave e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, për t`u vendosur në krye të PS-së veten e fëmijët e tyre në momentin më të përshtatshëm, se ujku qimen e ndërron, vesin s’e harron. Por, derri i derrit është më i rrezikshëm se derri, më të rrezikshëm se punistët janë fëmijët e tyre, se edhe pse hiqen për të rinj, në mentalitete janë më të vjetër se baballarët e tyre, ngaqë u kujtohet se në diktaturë janë rritur me pekule, në mes të mirave si në përrallë, në një kohë kur bashkëmoshatarët e tyre, që përbënin shumicën, nuk kishin as bukë misri të kalbur, pa le se sa për qumështin, që ishte më se i nevojshëm për moshën e tyre, as që bëhej fjalë. Dhe kjo, jo se kishin prindërit dembelë, por se prindërit e tyre futeshin në shtresën e të shfrytëzuarve, ndërsa të parët i kishin prindërit në shtresën e shfrytëzuesve. Pas vitit 1994 e në vazhdim, ustallarët e vjetër, kapelë-republikasit, vetë dhe me fëmijët e tyre, sa e ndien se kaloi furtuna për bëmat e tyre të mbrapshta që kishin bërë në kurriz të popullit për 50 vjet dhe kishin dalë pa u lagur, vijnë e ulen këmbëkryq në PS, si në bahçen e tyre, duke e kthyer, tashmë, jo vetëm në përmbajtje, por dhe në formë PS në origjinalitet, te Partia e Punës që, si Partia Komuniste, vjen në pushtet me dhunë revolucionare, dhunë që e realizoi më 1997, për interesa vetjake, duke e çuar vendin 10 vjet prapa në rrugën e integrimit. Partia Socialiste është vetë Partia e Punës, prandaj ka përvojë organizative, ku lideri i saj është vetëm instrument në shërbim të kësaj partie, i cili edhe kur bie nuk ndikon në rënien e partisë. Kjo parti, që ka një eksperiencë mbi 60-vjeçare, ka grumbulluar në duar shumë pasuri në mënyrë të pandershme, që i përdor, herë pas here, për të blerë votat e hallexhinjve, që i ka shfrytëzuar dhe po i shfrytëzon me metodat më të rafinuara, si edhe e ka zgjeruar klanin me miqësi, duke u rikujtuar hallexhinjve nderet që mund t`u ketë bërë në kohën e diktaturës, e cila hallet ua sillte me bollëk.
Partia Socialiste e Shqipërisë nuk ka asgjë të përbashkët me partitë socialiste të Evropës Perëndimore, që përfaqësojnë një program të majtë social, se ata dhe elektorati i tyre nuk janë shtresa në nevojë, por shtresa elitare me pasuri dhe të arsimuar e të privilegjuar, si shtresa të diferencuara, që për 60 vjet arritën këtë stad në kurriz të popullit të thjeshtë. Është kjo arsyeja kryesore që elektoratin e tyre e gjejmë në qendrat urbane, ndonëse po të ishte vërtetë Parti Socialiste elektoratin e saj do ta gjenim në qendrat rurale, të cilat, lideri i tyre i quan shpellarë. Partia Socialiste e Shqipërisë, si parti e parinovuar, do të shkojë gjithnjë e më tej drejt eliminimit të saj për sa i përket elektoratit, sepse nostalgjikët e diktaturës sa vijnë e do të rrallohen. Më vjen keq për një grup intelektualësh, që aderojnë në PS, të cilët akoma ëndërrojnë ta rinovojnë PS-në dhe po harxhojnë shumë energji. Këta, ose janë naivë, ose u vjen keq për kohën e gjatë të investimit politik në këtë parti, e cila i përdori deri në fund për vete e jo për ata, që s’e kuptojnë, se PS është pjellë e diktaturës komuniste, është instrument për t’u shërbyer atyre. Partia e tyre është e sëmura me kancer, që s’ka doktor ta shërojë, se asaj po i vjen shpejt fundi, si në të gjitha vendet e Lindjes, ku simotrat e saj kanë “vdekur”. Dhe ajo, herët a vonë, do të vdesë. Historia nuk ka kthim prapa. Kjo zgërdallë e vjetër do të rrëzohet; intelektualët e vërtetë duhet të largohen sa më para nga kjo zgërdallë, që të mos i zërë brenda. Prandaj, me idetë e tyre, qoftë dhe majtiste evolucioniste, të kontribuojnë në demokracinë pluraliste. Elektorati i vërtetë socialist, jo i shtresave të privilegjuara, por i shtresave në nevojë, gjithnjë e më tej do t‘i vishen partisë së LSI-së,e krijuar rishtas si parti majtiste e mirorganizuar, me shtrirje territoriale në gjithë vendin, me elektorat solid në rritje.
Partitë e majta duhet të jenë parti populiste për t’iu përgjigjur shtresave në nevojë, jo si PS, që në kupolën drejtuese ka miliarderët më të mëdhenj të Ballkanit e që përfaqësojnë shtresat e privilegjuara të diktaturës komuniste, që për interesat e tyre meskine sakrifikojnë interesat madhore të vendit, sepse, ndryshe, herët ose vonë, janë të destinuara të eliminohen.
LSI nuk duhet të ketë frikë kurrë, pse nga gjiri i saj largohet ndonjë punist karrierist, që i qe ngjitur momentalisht për interesa personale, se nga largimi i tyre elektorati i vërtetë majtist, i shtresave në nevojë, sa vjen e më shumë do i vishet LSI-së, si forca e vërtetë majtiste. Punistët, kushdo qofshin, s’kanë pse ia qajnë hallin shtresës së të varfërve, se do ngelin të paorganizuar për t‘i bërë ballë diferencimit ekonomik, në një kohë kur për 50 vjet u pinë gjakun shtresave në nevojë dhe tani me metoda më të stërholluara ua pinë gjakun dhjetë herë më shumë.
Klasa e dytë, klasa e të shfrytëzuarve, për të shpëtuar nga shtypja dhe shfrytëzimi, në dhjetor të vitit 1990, e udhëhequr nga Lëvizja Demokratike, u ngrit kundër të shfrytëzuarve në protesta. Në rrugë e sipër, kjo lëvizje, për t‘iu përshtatur gjithnjë e më shumë kërkesave progresiste, po shndërrohej drejt një Partie Demokratike, të cilës, në kundërshtim me PS-në, i mungonte bërthama organizative. Nëse tek PS-ja ishin të afërmit e dëshmorëve, veteranët dhe të afërmit e tyre, të shkolluarit e diktaturës; tek Partia Demokratike, në bërthamë, duhet të ishin të persekutuarit, por këtyre u mungonte shkollimi, sepse diktatura i eliminoi fizikisht intelektualët e kësaj shtrese nga viti 1943, pas Marrëveshjes së Mukjes, e deri në vitin 1951 me incidentin famëkeq të ambasadës sovjetike, si dhe për tre breza nuk i la të shkolloheshin njerëzit e kësaj shtrese. Kjo është arsyeja, që për Partinë Demokratike të Shqipërisë ka rëndësi të madhe organizative, lideri, në këtë rast, profesor doktor z. Berisha, për ta formësuar e organizuar gjithnjë e më shumë këtë parti, për ta bërë të aftë, që ta udhëheqë vendin drejt zhvillimit, mbështetur në punë e dije, e jo të kultivojë përtacinë majtiste, që mbështetet në dogmat e tyre ideologjike, duke e çuar përpara vendin tonë në rrugën e integrimit drejt Perëndimit, duke e futur vendin në NATO dhe BE, me vepra e jo me fjalë, siç veprojnë socialistët, që sa për sy e faqe janë me Perëndimin, se me zemër, ata dhe baballarët e tyre e mallkojnë, se u hoqi privilegjet. Tërë qenia e tyre është e do të jetë me Lindjen.
Diktatura, te i ashtuquajturi “njeriu i ri”, kultivoi vese, si: e shndërroi në spiun, hajdut, të pafe, i mohoi pronën, e izoloi nga bota e qytetëruar perëndimore, për ta shtypur e shfrytëzuar më lehtë. Në këto kushte, populli u ngrit në protesta për të rrëzuar diktaturën, por kur pandehu se shpëtoi nga kjo mortajë, e kuptoi se kishte gabuar, se bisha komuniste, e cila kishte lëshuar rrënjë shumëvjeçare, si farë e keqe rritet shumë, pa e punuar e jo me kur e punon. Ajo vetëm kishte ndryshuar gunën, kishte veshur lëkurën e dhelprës, por ishte po ajo kuçedër e dikurshme, që priste momentin e përshtatshëm për t’u rikthyer në pushtet, që, si e ka zakon, pushtetin e merr me dhunë revolucionare, me grykën e pushkës. Kështu vepruan edhe në vitin 1997, kur e morën pushtetin dhe e mbajtën për 8 vjet e ku mafia majtiste lulëzoi haptas, duke i pirë gjakun këtë radhë 10 herë më shumë se dikur popullit të shumëvuajtur.
Forcat e djathta, në vitin 2005, erdhën në pushtet me votë të lirë pluraliste, me moton “Tolerancë zero ndaj mafias dhe krimit” dhe me punë, në katër vite, ia ndërruan pamjen vendit. U bënë shumë investime në rrugë, spitale, shkolla, krijuan zona industriale, dyfishuan rrogat, pensionet dhe ndryshime akoma më të rëndësishme bënë në aspektin politik, vendi u vizitua nga shumë personalitete botërore, ku veçohet vizita e Presidentit të SHBA-së, z. George W. Bush; u pranuam në NATO, përfundoi Asociimi për në BE, duke e futur vendin në fazën e aplikimit për në BE.
Kam dëgjuar shumë analistë, duke u hequr si teoricienë që, me dashje ose nga padija, e akuzojnë Partinë Demokratike se po ngatërron programin e saj djathtist, duke u mëshuar masave sociale si të ishte parti majtiste, por ata harrojnë se Partia Demokratike lindi si nevojë e shtresave të shfrytëzuara për 50 vjet barbarisht nga diktatura komuniste, duke ndryshuar nga Partia Socialiste e sotme e vendit tonë që përfaqëson shtresat më të pasura e të privilegjuara, e cila për fasadë ka një program majtist që u vu re më mirë se kurrë gjatë tetë vjetëve të qeverisjes së tyre, ku triumfoi mafia e populli u varfërua akoma më keq deri në palcë. Dhe, më keq, gjatë kësaj fushate të re elektorale nuk patën program fare me teorinë e tyre “Përtej së majtës dhe të djathtës”, të djallëzuar, deshën të ishin të lirë ndaj shtresave në nevojë po të fitonin, se ata, faktikisht, përfaqësojnë të pasurit.
Në zgjedhjet e këtij viti, Partia Demokratike u afrua gjithnjë e më tepër me elektoratin e vet, duke synuar të shkojë tek elektorati që ka pasur në mars të vitit 1992, ku merita kryesore i takon lidershipit të saj, z. Sali Berisha, i cili u bë i besueshëm jo vetëm për veprat e realizuara në katër vitet e qeverisjes së tij, 2005-2009, por edhe për programin ambicioz elektoral, si në fushën ekonomike, ashtu dhe në fushën politike që do të arrihet gjatë viteve 2009-2013.
Në veçanti, lidershipit të Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, këto katër vitet e mazhorancës pesha me e madhe i bie tek riorganizimi i Partisë Demokratike për ta shndërruar në një detashment të aftë për ta udhëhequr elektoratin e djathtë gjithnjë drejt fitoreve, edhe kur ky elektorat nuk do të ketë fat të ketë në krye lider z. Sali Berisha, se forcave të djathta, në përgjithësi, jo vetëm tek ne që kemi një përvojë të pakët djathtiste, por edhe në Perëndim, u mungon përvoja organizative. Po ra lideri, bie forca e partisë.
Mbështetur në idetë që shpalosa, për katër vitet e ardhshme, mendoj se elektorati i PS-së, që përbëhet nga nostalgjikët e diktaturës komuniste e pasardhësit e tyre, do të vijë duke u zvogëluar, se të rinjtë e tyre do ta kuptojnë gjithnjë e më shumë se sa e gabuar ka qenë rruga e ndjekur nga paraardhësit, ndërsa kundërshtarët e diktaturës komuniste do të mbështesin gjithnjë e më shumë Partinë Demokratike, si strumbullarin e forcave të djathta, duke e rritur ndjeshëm elektoratin e djathtë drejt 65-70%, por për këtë do të na duhet një rrugë e gjatë për të shkuar drejt një të djathte e të majte reale, mbështetur në programe të qarta me parime djathtiste e majtiste.