Intervista/ De Kerkove: Në epokën e Facebook jemi të gjithë pinokë
Njihet si trashëgimtari i Marshall McLuhan, ishte nxënës e më pas asistent i tij për më shumë se dhjetë vjet. Ndërmjet viteve 1983 dhe 2008 ishte drejtor i programit McLuhan për kulturën e teknologjinë në Universitetin e Torontos. Gjithashtu, është kanadez i famshëm i klasës së mesme, i cili këtë vit ka festuar njëqind-vjetët e saj. Derrick De Kerckhove, 67 vjeç, sykaltër, me flokë të argjendtë dhe me një fizik të hollë, kanadez ka vetëm vështrimin kritik kundrejt Shteteve të Bashkuara, superfuqisë fqinje. I lindur në Belgjikë, jeton në Nicë, Barcelonë e Napoli, ku jep mësime sociologjie. Flet rrjedhshëm të paktën katër gjuhë, saqë ndonjëherë gjuhët përzihen dhe fjalët e McLuhan bëhen mesazh. Nuk duket të jetë problem për studentët e tij, të cilët e konsiderojnë atë një mësues feje. E kemi takuar në Shtetet e Përgjithshme të Kulturës Popullore gjatë këtyre ditëve në Torino.
“Mjeti është mesazhi” është një shprehje që ende ka kuptim?
“Që nga viti 1961, kur interneti ishte një ëndërr, McLuhan fliste për një medium të ri që “nuk do të përfshihej në TV, por do të përmbante në vetvete, që do të kishte vjetruar organizmin e bibliotekave dhe do të zhvillonte në secilën prej tyre enciklopedinë e mundshme”. Mjafton të mendojmë për Webin e sotëm, me Youtubin e Wikipedian, për të kuptuar që McLuhan kishte parashikuar gjithçka. Sot do të thoshte “Interneti është mjeti”.
Si ndryshon oratoria në kohërat e Webit?
“Gjuha e shkrimit derisa nuk u bë elektronike ishte e heshtur, e brendshme. Sot jemi prodhues të oratorisë sonë, e cila është publike sepse e ndarë në rrjet me shpejtësinë e dritës me një gjuhë në të njëjtën kohë të brendshme e të jashtme. Interneti ndihmon të rikuperohet gjithçka dhe i vjetron bibliotekat: ka ndryshuar përgjithmonë organizmi i dijes. McLuhan kishte parashikuar një instrument si Wikipedia, që rikuperon potencialin tonë enciklopedik dhe deri spiunazhin transparent të WikiLeaksit, që nuk i lejon më të fortëve për të mbajtur masat në errësirë. Është një oratori që ndodh kryesisht me smartphone, që mund të shndërrohet në një bazë të dhënash gjithmonë në dispozicion. McLuhan thoshte se kur je në telefon, nuk e ke më trupin: sipas meje, në realitet bën të mundur klonimin virtual tonin, jo rastësisht kur flasim në telefon bëjmë gjeste sikur personi me të cilin flasim të ishte me të vërtetë përballë nesh. Shoqërizimi, shkëmbimi i informacioneve që ndodh në rrjetet shoqërore është i fuqishëm: pas shumë tentativa revoltash, në Egjipt e para ishte ajo që lindi në Twitter, një sistem që regjistronte biseda të shkurtra (“twit” në anglisht do të thotë “budalla”) që u transformua në një mënyrë për të larguar “budallenjtë në pushtet”.
Siç kishte profetizuar McLuhan, jemi në epokën e “fshatit global”, por aftësia teknologjike e fshatarit të mesëm është e shkëputur. Cili është rreziku për t’u mos shkolluar në epokën e re dixhitale?
“Ekziston rreziku i të qenit dembel, duke ia deleguar vendimet tona instrumenteve gjithmonë e më kompleksë, që i përdorim pa e ditur se si janë bërë. Objekte si iPad, shumë vetave ju duken magjikë. Të përfshirë në vorbullën e kompjuterit dhe rrjeteve sociale, ne jemi Pinokë 2.0”.
Në çfarë kuptimi?
“Në kuptimin antropologjik: Pinoku është tejkalimi i njeriut mbi makinën, lind si rezultat i mekanizimit të gjestit njerëzor, është makina që gënjen mbi kushtet tona dhe në fund kërkon të kthehet humane. Në kohërat e Carlo Collodit, shumë veta braktisnin Toskanën për të punuar në fabrikat e veriut të Italisë. Atje bëheshin jo-humanë dhe kur ktheheshin në shtëpi (Pinoku që hyn në barkun e balenës, metaforë e madhe), nuk dinin më se kush ishin, por atje brenda Pinoku nuk është më makinë dhe del për t’u kthyer në njeri prej mishi e kockash. Në botën dixhitale të sotme 2.0, ku vetja jonë ekziston vetëm në lidhje me gjithë të tjerët, problematika e Pinokut është shumëfishuar”.
Aq sa protagonisti i Avatarit, filmit të James Cameron, zgjedh të rrijë virtual, preferon më shumë botën e makinave se sa atë humane...
“Kjo është ana tjetër e medaljes. Me teknologjinë 3D mund të arrihen ndërtime të mrekullueshme të Pompeit, por kjo nuk na përjashton nga rikuperimi i Pompeit historik. Megjithëse shpejt do të kemi dixhitale të dyfishta, raportet humane prej mishi e kockash nuk do të vjetrohen. Nuk lodhemi duke i kultivuar”.
Si e shikon Italinë në fshatin global?
“Italia është në fund të Europës për qasjen në internet për arsye politik. Kryeministri juaj e di mirë se populli kontrollohet nga mediat: kontrollon italianët me anë të televizionit, duke e reduktuar rëndësinë e internetit”.
Mendon se do të vijë edhe një pranverë italiane, të paktën përsa i përket kulturës dixhitale?
“Po, shenjat janë të gjitha, por do të ketë një luftë brezash. Në Itali mungon dija për ekzistencën e një kulture popullore – “pop” – të ndarë që sot është më pranë Webit, se sa trashëgimisë klasike”.
Jetojmë në një botë pa intimitet, duke u fokusuar në transparencë totale, por edhe në pushtimin e sferës private. A është i nevojshëm krijimi i një Karte për të Drejtat e Njeriut?
“Po. Një sistem i lidhjes globale ka edhe rreziqet e tij. Ne jemi gjithnjë në dispozicion, pra të regjistruar e të kontrolluar. McLuhan thoshte se elektriciteti ashtu si dhe shkollimi, tregon gjithçka që është e fshehur”.
Kjo është një e mirë apo një e keqe?
“Nuk kemi zgjidhje, nuk mund të kthehemi mbrapsht, duhet ta pranojmë dhe të pajisemi për këtë Botë të Re të Guximshme”.
Si mund ta vendosim veten përballë përdorimit të teknologjive të reja të komunikimit?
“Përdor iPhone, Facebook dhe kartëvizita ime përmban kodin QR për realitetin e shtuar, por gjatë mbrëmjes preferoj më shumë të kem në dorë një libër se sa një ebook”.