E Diel, 1 Nëntor 2026

Neglizhimi i papranueshëm i dorës që Malajzia i ka shtrirë ekonomisë së Kosovës

28-09-2011 / Nga Jeton Mehmeti

Kosova mund të mësojë shumë nga përvoja e Malajzisë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe arsimit. Janë pikërisht ekonomia dhe arsimi që kanë ndihmuar në ngritjen e shtetit të Malajzisë nga një vend i pazhvilluar në një faktor të rëndësishëm politiko-ekonomik në rajon dhe më gjerë. Malajzia është i vetmi shtet që ka njohur pavarësinë e Kosovës në mesin e shteteve të Azisë Juglindore. Edhe para njohjes së pavarësisë, më 30 tetor 2008, Malajzia u gjet pranë popullit të Kosovës. Policët e saj shërbyen si forca paqeruajtëse, u ndanë donacione për të ndihmuar spitalet në Kosovë, dhe një numër studentësh përfituan bursa nga qeveria e saj për t’u shkolluar në universitetet më të mira të vendit, kryesisht në fushën e ekonomisë dhe teknologjisë informative, aty ku më së shumti shquhet ky shtet. Në vitin 2000 Malajzia u bë shteti i parë i Azisë, dhe i gjashti në përgjithësi, që hapi konsullatën e saj në Prishtinë. Malajzia ka dëshmuar respektin e saj për Kosovën edhe vitin e kaluar kur ftoi ish-presidentin Sejdiu që të flasë para përfaqësuesve shtetërorë të 62 vendeve të botës pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Islamik Botëror. Të gjitha këto lënë përshtypjen se ekziston një miqësi e fortë në mes të dy shteteve. Fatkeqësisht është një miqësi jo edhe aq solide. Qeveria e Kosovës nuk është treguar mjaft entuziaste që të përforcojë marrëdhëniet me këtë shtet. Madje në disa raste është treguar paksa edhe neglizhuese. Malajzia ka njohur Kosovën jo rastësisht. Nga një mik imi pata mësuar se si Mahatir Muhamed, në cilësinë e ish-kryeministrit, kishte përgatitur një plan lobues menjëherë pas njohjes së Kosovës në mënyrë që t’i bindë edhe shtetet e tjera në rajon që ta njohin Kosovën. Si duket entuziazmi i tij ra kur Kosova nuk dërgoi ndonjë sinjal për përforcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Si për ironi, vetëm katër ditë pas njohjes së pavarësisë, ministri i atëhershëm i Kulturës shkoi në Malajzi për të marrë pjesë në një kongres të sportit dhe nuk zhvilloi asnjë takim me qeveritarët e vendit. Që atëherë kanë munguar vizitat zyrtare të Qeverisë në Malajzi, nuk ka pasur kërkesa atyre për bashkëpunim apo iniciativa të tjera. Mbyllja e konsullatës së Malajzisë në Prishtinë nuk është ndonjë shenjë e mirë diplomatike. Serbia, shtet ky me të cilin Malajzia kishte ndërprerë çdo marrëdhënie diplomatike për 17 vjet, tani ka një strategji të re bashkëpunimi me Malajzinë.
Para disa ditësh ministri i Jashtëm i Malajzisë u prit në Beograd nga presidenti i vendit, ministri i Jashtëm dhe ai i Mbrojtjes. Të dy palët u morën vesh për të ngritur bashkëpunimin në shumë fusha. Ministri malajzian tha se kishte mbetur i impresionuar ‘me mikpritjen e ngrohtë të qeverisë serbe’. Edhe Shqipëria me kujdes ka ruajtur marrëdhëniet e mira me Malajzinë dhe vazhdon ta bëjë këtë. Në dhjetor të këtij viti, në Kuala Lumpur pritet të mbahet Forumi Ekonomik Malajzi-Shqipëri, i cili organizohet nga Oda Ekonomike Malajziane-Shqiptare. Pjesëmarrjen në këtë forum e ka paralajmëruar edhe Kryeministri i Shqipërisë, i cili pritet të udhëtojë bashkë me dy ministra të tij. Qëllimi kryesor i forumit është që të bashkojë aktorët politik dhe ata të biznesit të te dyja vendeve, për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në mes të dy shteteve. Një platformë e tillë është padyshim në të mirë të Shqipërisë. Por edhe Kosova mund të përfitonte nga ky rast. Qeveria e Kosovës duhet të konsiderojë pjesëmarrjen në ketë forum, dhe krahas saj të zhvillojë disa takime me qeverinë e vendit. Kosova duhet të inkurajohet, pikë së pari, nga vetë roli konstruktiv që ka luajtur Malajzia karshi Kosovës. Takimi i zyrtarëve kosovar me homologët nga qeveria e Malajzisë do të ndihmonte në përforcimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Kosova ka nevojë për miq nga kjo pjesë e Azisë, dhe Malajzia mund të jetë një mik mjaft i dobishëm. Malajzia është një ndër anëtarët themelues të Organizatës së Konferencës Islamike (OKI) dhe ka një ndikim të madh politik dhe ekonomik në shtetet anëtarë të OKI. Të përkujtojmë se vetëm 24 nga 57 shtete të OKI e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Malajzia gjithashtu është anëtare themeluese e Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore e njohur si ASEAN. Nëntë nga dhjetë shtetet anëtare të ASEAN nuk e kanë njohur Kosovën, përfshi këtu edhe dy shtete me ndikim si Singapori dhe Indonezia. Malajzia mund të ndihmojë në shtimin e njohjeve nga shtetet anëtare të këtyre organizatave. Por, këtë favor duhet ta kërkojë Kosova. Pjesëmarrja e Qeverisë në këtë forum do të ishte e dobishme edhe në aspektin ekonomik, duke pasur rastin që të promovojmë ambientin tonë për investitorët e huaj. Kosova mund të mësojë shumë nga përvoja e Malajzisë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe arsimit. Janë pikërisht ekonomia dhe arsimi që kanë ndihmuar në ngritjen e shtetit të Malajzisë nga një vend i pa zhvilluar në një faktor të rëndësishëm politiko-ekonomik në rajon dhe më gjerë. Malajzia ka një GDP prej $383 miliard, duke e renditur atë në mesin e 30 shteteve me GDP më të lartë në botë, kurse niveli i papunësisë është vetëm 5%. Duke njohur mentalitetin e diplomacisë aziatike, jam shumë i bindur se vizita e Qeverisë së Kosovës në Malajzi do të çmohej dhe do të ishte frytdhënëse. Lobimi për shtimin e njohjeve, rivënia e lidhjeve diplomatike, promovimi i ambientit të Kosovës për investime të huaja direkte, lehtësimi i marrëdhënieve tregtare në mes të dy shteteve, bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe teknologjisë, janë disa nga temat që mund të diskoheshin me Qeverinë e Malajzisë.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›