Intervista E PLOTE e Arvizu: Retorika kundër prokurorisë ka dërguar erëra të ftohta në Uashington
Më poshtë gjeni të transkriptuar intervistën e plotë të ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dhënë për televizionin pro- qeveritar ABC News. Intervista u keqpërdor nga ky televizion dhe mediat të tjera pranë qeverisë duke shkëputur fragmente të ndryshme për ti dhënë kuptime të tjera. Ambasadori ishte i qartë kur foli për një retorikë të mazhorancës, që ka shqetësuar vetë Uashingtonin. Ambasadori rezervoi edhe një mesazh për politikanët 60 vjeçarë: Me gjithë respektin për politikanët e Shqipërisë që janë në të 50-at e tyre, apo edhe në të 60-at e tyre, është vërtet me rëndësi që të ketë gjak të ri
ABC News: Me një statistikë të thjeshtë, është vizita e dytë në ABC News por dalja e parë publike në të. E ndiqni ABC News?
Ambasadori Arvizu: Absolutisht. Ka shumë konkurrencë, varet nga orari gjatë ditës, por është një buton që e shtyp shpesh në telekomandën time.
ABC News: Natyrisht që është televizion informative, janë sfida shumë të vështira për Shqipërinë. Jemi mësuar të shohim kanale tjera informative ndërkombëtare kështu që po përpiqemi dhe ne për të zënë vendin e duhur në treg dhe me një mentalitet të ri. Kështu që ju falenderoj dhe për faktin që na ndiqni.
Ambasadori Arvizu: Kënaqësia është e imja dhe, përpara se të harroj me siguri do harroja dua tju përcjell urimet më të mira juve për ardhjen në jetë të anëtares më të re të familjes. U përshëndeta me Z. Frangaj, e di që ai dhe Alba sapo mirëpritën edhe ata një anëtare të re të familjes. Pra, ka dashuri në ajër, urime të gjithëve.
ABC News: Periudhë fertile, shpresojmë të jenë të tilla dhe për shoqërinë shqiptare jo vetëm në këtë prizëm. Z. Ambasador, meqenëse po flasim për median, raporti i një ambasadori aq më tepër ai amerikan me median në Shqipëri, ka një tjetër valencë krahasuar me vendet e tjera të botës. E keni sot një shpjegim për këtë arsye për këtë raport kaq të fortë? Dhe në momentin që shfaqeni në ekran shndërroheni në një personazh publik. Sa e vështirë është të ndërtohet dhe të ruhet raporti diplomat personazh publik?
Ambasadori Arvizu: Sigurisht është dashur një përshtatje. Në fillim ishte disi e pazakontë, por unë e shoh vërtet si nder. Tregon konsideratën e lartë që ekziston për Shtetet e Bashkuara dhe, në fakt, një fakt i tillë më frymëzon në punën time. Përpiqem ti përmbush pritshmëritë që kanë njerëzit. Disa njerëz thonë, Duhet të flasësh më hapur, si ambasadori danez! Por, përpiqem të bëj më të mirën e mundshme. Kam edhe shumë ndihmë për këtë.
ABC News: Dhe ky interes i medias mund të interpretohet më shumë si një dëshirë e tyre për të patur ambasadorin amerikan dhe opinionin e tij? Apo keni zbuluar që edhe ju keni një afeksion të veçantë në lidhje me median?
Ambasadori Arvizu: Disa prej personazheve që kam studiuar në Departamentin e Shtetit, të cilët ishin në pozita më të larta se unë, e kam admiruar gjithmonë marrëdhënien që kishin ata me shtypin. Mendoj që marrëdhënia që një zyrtar publik ka me personalitetet kryesore televizive, me reporterët kryesorë, redaktorët është shumë e rëndësishme, sidomos në këtë botë ku jetojmë dhe që ka një cikël 24-orësh lajmesh. Është vërtet e rëndësishme që të mundesh të përcjellësh mesazhin shpejt dhe saktë, ndaj mendoj që asgjë nuk e zëvendëson raportin që një zyrtar mund të ketë me njerëz si ju.
ABC News: Z. Ambasador, ne e nisëm me median dhe natyrisht ishte dhe një formë e butë për ti hyrë një bisede e cila do të këtë tema të rëndësishme për momentin. Por si diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, si do ti konsideroni sot nivelin e marrëdhënieve zyrtare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara? Është partneri ynë më i rëndësishëm strategjik, politik, dhe ushtarak. Por si na shohin ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës në nivelin tone të demokracisë dhe a ka Shqipëria për Amerikën një demokraci funksionale?
Ambasadori Arvizu: Brenda kësaj pyetjeje kishte shumë elementë. Më lejoni të merrem me disa prej tyre dhe ndoshta për të tjerat më vonë. për sa i përket dimensionit strategjik të marrëdhënies, mendoj se është i shkëlqyer. Nga këndvështrimi i Uashingtonit, ne e shohim Shqipërinë si një partner të besueshëm, një aleat, një forcë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Mendoj që kemi pikëpamje dhe perceptime shumë të ngjashme për pjesë të ndryshme të botës, qoftë kjo Kosova, apo Lindja e Mesme. Ndaj, në këtë kuptim, mendoj është shumë pozitive. Mendoj njerëzit më kanë dëgjuar të përgëzoj përparimin demokratik që Shqipëria ka bërë në njëzetë vitet e fundit. Iu qëndroj komenteve që kam bërë më parë që asnjë vend nuk ka bërë më shumë përparim se sa Shqipëria gjatë njëzetë vitet e fundit. Lidhur me pyetjen tuaj specifike A është Shqipëria një shtet demokratik funksional sot? Përgjigja ime është Disa ditë, është. Disa ditë janë më të mira se sa të tjerat. Mendoj që synimi duhet të jetë i tillë ku 365 ditë të vitit ka një demokraci funksionale, ku institucionet janë të forta, ku qytetarët shqiptarë besojnë në sistemin demokratik. Nuk mendoj se kjo është arritur ende, por përparimi është i dukshëm dhe kam besim që do të vazhdojë.
ABC News: Do tju pyes edhe pak më vonë për demokracinë shqiptare, për institucionet e pavarura, raportet midis tyre, dhe raportin e politikës kryesisht me to. Por le të qëndrojmë dhe pak tek marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qëndrimit zyrtar amerikan karshi zhvillimeve në Shqipëri, sa rëndësi merr Shqipëria në vizionin që ka Uashingtoni mbi zhvillimet në Ballkan, roli saj në stabilitetin e rajonit, një faktor i rëndësishëm për shkak të numrit të madh të Shqiptarëve në këtë rajon?
Ambasadori Arvizu: Mendoj se iu referova në pohimin e mëparshëm, ka shumë shenja të prekshme dhe pozitive përparimi. Kur shikon funksionimin e parlamentit, rolin e medias, OJQ-të, faktin që niveli i arsimit në këtë vend, ndërgjegjësimi politik i njerëzve është aq i lartë; niveli i ndërgjegjësimit politik më ka lënë mbresa kudo që shkoj. Fakti që njerëzit më njohin, më tregon diçka për nivelin e interesit për politikën. Kjo është diçka shumë, shumë e mirë. Thjesht mendoj që me forcimin e institucioneve, kapërcimin e mosbesimit që ekziston mes dy kampeve të mëdha politike, nëse me kohë mund të zhvillonin pak më shumë besim, do të ishte edhe më mirë.
ABC News: Aktualisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i viziton Kryebashkiaku i Tiranës, Z. Lulëzim Basha, për