E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista e Pacollit për "Ora News", PLK: Pacolli dizinformoi publikun

Partia Liberale e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të AKR-së, Behxhet Pacolli, ditë më parë në televizionin "Ora News", ku sipas kësaj partie, Pacolli ka dezinformuar opinionin publik duke thënë se AKR është anëtare e ELDR-së (Grupit të Partive Liberale Demokratike te Evropës). "Kjo është gënjeshtër e radhës e Pacollit, siç ndodhi me rastin e lirimit të Shqipe Habibit, paralajmërimin e njohjes më 2 qershor të Kosovës nga El Salvadori, e cila nuk ndodhi fare, apo paralajmërimin e njohjeve të shumta të Kosovës gjatë muajit të Ramazanit, njohje të cilat nuk ndodhen. Përkundër edhe takimit të tij të dëmshëm dhe të panevojshëm në Libi me diktatorin Gadafi", ka deklaruar lideri i PLK-së, Gjergj Dedaj.
"PLK i kujton Pacollit se AKR nuk është anëtare e ELDR-së dhe se PLK-ja është i vetmi subjekt politik nga Kosova i anëtarësuar në ELDR, prandaj çështjet politike dhe statusi i pavarësisë së Kosovës nuk janë çështje komerciale, biznes, apo meritë personale e askujt, por meritë e sakrificës mbinjerëzore të popullit të Kosovës", thuhet në reagimin e kësaj partie.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›