Kina feston 60-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore
Me një paradë të madhe ushtarake dhe kremtime masive, Kina feston më 1 tetor, 60 vjetorin e themelimit të Republikës Popullore. Ardhja në pushtet e Partisë Komuniste, ështe përkujtuar me një paradë gjigande ku dhjetë mijë ushtarë marshuan para udhëheqjes komuniste me në krye Presidentin dhe kryetarin e partisë Hu Jintao. Ky i fundit theksoi në fjalën e tij përshëndetëse se Kina ka marrë përsipër një zhvillim paqësor. Republika Popullore kërkon bashkëpunim me vendet e tjera në bazë të respektit reciprok, të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe jo përzierje në punët e brendshme. Pas fitores së komunistëve në luftën civile kundër nacionalistëve, ish- udhëheqësi Mao Ce Dun shpalli më 1 tetor 1949 Republikën Popullore. Në paradë përmes Pekinit, kanë parakaluar linja të gjata tankesh, ushtarakësh, dhe raketa hedhës, por edhe flota ajrore. Presidenti Hu Jintao është shfaqur në tribunë në Sheshin Tiananmen i veshur me një xhaketë të zezë të stilit tunik, që sipas analistëve shihet si një simbol i kontrollit dhe dominimit të tij ushtarak. Bashkë me të, ishte edhe paraardhësi i tij Jiang Zemin, Kryeministri Ëen Jiabao dhe liderët tjerë të lartë të Kinës. Pas përshëndetjes me 60 armë, flamuri kinez u ngrit zyrtarisht në qendër të sheshit historik , ku lideri revolucionar, Mao Cedun shpalli themelimin e Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949. Parada ushtarake, e cila ishte parashikuar që të prezantonte teknologjinë e raketave të patreguara më parë, u pasua nga një inspektim i forcave të armatosura nga ana e presidentit i cili ndodhej në një makinë dhe gjatë kësaj kohe, Jinato ka mbajtur edhe një fjalim ndërsa ka vlerësuar progresin e Kinës. Presidenti, duke folur nga i njëjti vend ku Mao Zedong kishte qëndruar 60 vjet më parë, deklaroi se Kina kishte një të ardhme të ndritshme, se ajo kishte bërë përpjekje për përmirësimin e ekonomisë globale dhe se do të bashkojë të gjitha kulturat dhe etnitetet brenda saj. Me rastin e 1 tetorit, forcat e sigurisë ishin dislookuar në të gjithë Pekinin. Masa të rrepta sigurie u ndërmorën nga autoritetet. Rreth 30,000 njerëz u ftuan për të parë nga afër në sheshin Tiananmen, aktivitetin e programuar për këtë ditë, ndërsa të tjerët janë njoftuar dhe lutur që të qëdrojnë në shtëpi dhe këtë paradë madhështore ta shikonin nga ekrani i televizionit, për të shmangur komplikacionet. Forca policie të armatosura u pozicionuan në segmentet dhe pikat kryesore në kryeqytet, ndërsa në çatitë e ndërtesave janë vendosur edhe snajpera. Shumë rrugë janë bllokuar, ndërsa është mbyllur për këtë rast edhe aeroporti ndërkombëtar dhe metroja. Po kështu dyqane dhe biznese janë mbyllur përgjatë rrugës dhe sheshit ku do të vijonte parada. 60 vjet më parë, Mao Cedun shpalli krijimin e Republikës Popullore kineze, pas njëqind vjetëve të vështira të luftës, kur u arrit edhe suksesi i revolucionit kinez.