E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista-shok e Edi Ramës: “Po mendojmë të shembim një pjesë të ndërtimeve pa leje”

08-07-2013 / Gazeta 55

Në një deklaratë për prestigjiozen italiane, “Corriere della Sera”, Edi Rama thotë se po mendon një aksion për prishjen e atyre ndërtimeve pa leje që prishin projektet e tij për urbanistikën, ndërkohë që rithekson problemet e rënda që ai ka me Vdekjen dhe Historinë

Në një intervistë për gazetën prestigjioze italiane, “Corriere  della Sera”, Edi Rama i rikthehet edhe një herë temës aq të dashur kohën e fundit, vdekjes. Gazetari italian Paolo Conti e pyet rreth problemit të tij me vdekjen dhe historinë, të cilën e ka theksuar më parë për gazetën franceze “Le Courrier des Balkans”. Edi Rama i përgjigjet se ai nuk ka frikë nga vdekja si e tillë por i trembet  procesit të vdekjes: “E kam thënë këtë në një moment konfidencial. Ka dy motive të mundshme për të hyrë në politikë. E para është të pasurohesh. E dyta është nevoja për të lënë një gjurmë. Po, unë kam nevojë të lë një gjurmë, në këtë mbetem një artist. Përsa i përket vdekjes, siç thoshte Indro Montanelli (gazetar italian), nuk është vdekja, por procesi i vdekjes që më tremb”.
Më pas intervista përqendrohet tek Edi Rama si artist dhe për punën e tij në Bashkinë Tiranë, me lyerjen e fasadave bashkë me Anri Salën. Kuratori i Bienales së Artit në Venecia, Francesco Bonami vlerëson se, “Edi Rama e ka bërë artin një strategji politike dhe një politikë arti. Për ne italianët ai (Rama) është një figurë shumë e çuditshme, le të themi e pakuptueshme. Nga ai kaos i Shqipërisë mund të dalin figura krijuese, siç është ai. Ky është një bast i madh”.
Duke qëndruar tek arti, gazetari i gazetës “Corriere della Sera” e pyet për ngjyrën “mavi” që ka përdorur përgjatë fushatës. Edi Rama i përgjigjet se ngjyra vjollcë e purpurt është ngjyra e bashkimi kombëtar. “Forcat tona politike gjithmonë kanë qenë të përfaqësuara nga bluja dhe e kuqja, por të kundërvëna. Unë mendova që ajo ngjyrë mund të kishte një kuptim preciz: bashkimi i  dy ngjyra themelore i jep jetë një të trete, pra paqësimit kombëtar. Unë jam një artist viziv, punoj shumë me ngjyrat: kemi parë shumë të bardhë dhe gri, në këto vite”. Sipas gazetarit italian Paolo Conte, “polemika e Edi Ramës kundrejt sistemit të pushtetit të Sali Berishës është politik dhe estetik”. 
Ndër të tjera, Edi Rama flet edhe për ndryshimet demografike të vendit që ka bërë të mundur një migrim të popullatës në kryeqytet dhe qytetet e mëdha duke ndërtuar shtëpi pa lidhje me arkitekturën dhe që janë jo ligjore. “Ndryshimet demografike të vendit tonë kanë qenë të mëdha. Shumë njerëz kanë lënë fshatrat ruralë më të varfra për t’u derdhur në kryeqytet dhe në qytetet e tjera të mëdha. Kjo ka sjellë ndërtimin e ndërtesave pa leje, me një mungesë të lidhjes me traditën tonë arkitekturore, dhe me një projektim me cilësi të keqe. Ndërtimi ka qenë një nga levat e zhvillimit tonë, por e kemi paguar këtë zhvillim me efekte katastrofike në mjedis”.
Edi Rama e ka një zgjidhje për këtë çështje të ndërtimeve pa leje. Sipas tij një pjesë do të legalizohet dhe një pjesë tjetër do të shembet. “Do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Në disa raste do kërkojmë mënyrën për t’i legalizuar, për t’i futur brenda rregullave. Në raste të tjera, do t’i shembim. Nuk mund të vazhdohet kështu. Duhet të kontrollojmë territorin”. Për gazetën italiane “Corriere della Sera”, fjalët e Edi Ramës se do të shembë ndërtesat pa leje nuk janë një risi, pasi si kryetar Bashkie ka shembur më shumë se 500 ndërtesa pa leje në Tiranë. PO ashtu në intervistë theksohet fakti që Edi Rama është një artistit militant dhe babai i tij, Kristaqi, ishte një skulptor.
Sidoqoftë në të njëjtën faqe gazete të “Corriere della Sera”, gazetari italian kishte vendosur edhe një shkrim tjetër për piktorët që kanë hipur në pushtet. Gazetari Paolo Conte përmenden piktorë të dështuar që kanë hipur në pushtet si Hitleri apo Frankon, por edhe shumë të tjerë që kanë qeverisur me përgjegjësi.     

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›