E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama e quan Shpëtim Gjikën “ndërtim pa leje”

08-07-2013 / Gazeta 55

Kryqëzata e Edi Ramës i drejtohet situatës së tmerrshme në bashkinë e Vlorës, e cila është fryt i situatës klienteliste të kryebashkiakut Gjika. Klithja e hakmarrjes drejtohet edhe ndaj kryetarëve të Fierit, Beratit, Pogradecit, Durrësit e të tjera qyteteve bregdetare apo turistike, të cilët s’kanë shpërndarë përqindjet dhe do t’i nënshtrohen “tatimit të jashtëzakonshëm” të kryeministrit në ardhje

Nisja e çdo kryqëzate morale apo politike bëhet në një vend simbol të njohur për të gjithë për valencën e saj të fortë. Për shembull, Fatos Nano e nisi katharsis-in e tij moral në Partinë Socialiste nga fshati Pezë i Tiranës, simbol i bazës soc-komuniste të Myslym Pezës. Ndërsa Edi Rama kryqëzatën e tij kundër “ndërtimeve pa leje” e nisi nga qyteti bregdetar i Vlorës, simbol i ndërtimeve pa fre me lejen e kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Në fakt, qytetet bregdetare janë të keqmenaxhuara prej disa vitesh nga kryetarë Bashkish të ardhur nga Partia Socialiste. Nuk është vetëm Durrësi që ka probleme me ligjin dhe shpërdorimin e saj, po ashtu Kavaja, Pogradeci, Vlora dhe Saranda janë nën presione të mëdha klienteliste e aferash të dyshimta. 
Pavarësisht se do t’i duhet të presë edhe dy muaj, për të marrë drejtimin e qeverisë, kjo nuk e ka penguar Edi Ramën të nisë nga paralajmërimet, duke hartuar strategjinë e goditjes së ndërtimeve pa leje, në bregdetin e Vlorës. “Në vijën bregdetare të Shqipërisë do të bëjmë çka bëmë me Lanën në Tiranë. Pas katër vjetësh, ndërtimi pa leje në breg do të jetë një ëndërr  e keqe”, ka paralajmëruar kryeministri i ardhshëm i vendit, të gjithë ata, që kanë guxuar të ndërtojnë apo planifikojnë të ndërtojnë gjatë vijës bregdetare. Edi Rama paralajmëron në radhë të parë klientët e Shpëtim Gjikës, që janë vënë në shënjestër për mungesë besnikërie gjatë fushatës.  Kryqëzata e Edi Ramës i drejtohet pikësëpari situatës së tmerrshme në bashkinë e Vlorës, e cila është fryt i situatës klienteliste të kryebashkiakut Gjika.
Megjithëse klithja e hakmarrjes do ti drejtohet edhe ndaj kryetarëve të Fierit, Beratit, Pogradecit, Durrësit e të tjera qyteteve bregdetare apo turistike, të cilët s’kanë shpërndarë përqindjet dhe do t’i nënshtrohen “tatimit të jashtëzakonshëm” të kryeministrit në ardhje.  Dhe këtë do ta bëjë me krijimin e një Agjencie Kombëtare të Bregdetit dhe një ligj të posaçëm për vijën bregdetare, që do të favorizojë klientët e tij.
Arroganca e Ramës nuk do të ketë brinj, por ajo do të shfaqet me gjithë furinë e saj në babëzinë e klientelizimit dhe zbatimin e planit të biznesit të biznesmenëve të Partisë Socialiste.  Në një vëzhgim të listave të 140 deputetëve që dolën nga këto zgjedhje PS-ja ka numrin më të madh të biznesmenëve me 14 të tillë si Anastas Angjeli, Fidel Ylli, Tom Doshin, Paulin Sterkajn, Koço Kokëdhima, Sadri Abazi, Parid Cara, Dashamir Peza, Artan Gaçi, Rakip Suli etj. Padyshim çdo biznesmen  e ka një plan biznesi për të zhvilluar. Dhe Edi Rama nuk mund të bëjë asgjë përballë kërkesave miqësore dhe armiqësore të deputetëve të tij.
Sido që të jetë, beteja e parë e Edi Ramës kundër Shpëtim Gjikës dhe rezultati i saj do të jetë vijë përcaktuese për të vendosjen e regjimi klientelist sundues. Disa deputetë biznesmnëve të qarkut të Vlorës nuk i kanë kërkuar Edi Ramës që ëtë bëhen ministra, por që ai t’u japë leje për të përzgjedhur drejtorët e rinj rajonalë në këtë qark, në mënyrë që të  gëzojnë pushtetin sa më mirë. Pritet zhvillimi i kësaj beteje të parë për të parashikuar nënshtrimin e Shpëtim Gjikës ndaj orekseve të Edi Ramës dhe deputetëve të tij.      

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›