E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Bumçi:Kufizimi i imunitetit kërkon ndërhyrje të pashmangshme në Kushtetutë

Zoti Bumçi kohët e fundit pozita dhe opozita kanë rënë dakord të ndryshojnë projektligjin për imunitetet. Çfarë përmban konkretisht projekti i pozitës i paraqitur qysh në vitin 2005?
Nga ana teknike nëse do të bëhet një projektligj me ndërhyrje në kushtetutë, kjo është
një çështje tjetër që do të diskutohet. Në radhë të parë është vullneti politik. Projektligji tregon vullnet politik që përfaqësuesit e qytetarëve të mos mbrohen pas imunitetit,
nëse ndaj tyre ka akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Kjo është pjesa më e rëndësishme. Problemi realisht nuk ka qenë tek aspekti teknik që ne të diskutojmë një nen të caktuar. Mbi të gjitha ka qenë çështja e vullnetit që e ka mbajtur pezull këtë çështje për dy vjet e gjysëm. Partia Socialiste ka qenë kundër heqjes së imunitetit pra bënte të pamundurën që ne të merrnim një vendim të njëanshëm. Ne i jemi kundërpërgjigjur këtij qëndrimi politikisht duke thënë se ç`do kërkesë që vjen nga Prokuroria për heqjen e imunitetit, PD-ja do ta votojë pro dhe e bëri këtë në rastin e zotit Basha. Nuk i futemi meritave të partisë për paraqitjen e projektit për heqjen e imunitetit, por është një qëndrim politik që në qoftë se ka një personalitet të tillë dhe të gjykohet nga organet e drejtësisë dhe jo të fshihet pas imunitetit. Më vjen mirë që ka pasur sinjale pozitive nga drejtuesit e PS-së që dhe ata pas një kohe të gjatë janë dakord për ta hequr imunitetin. Megjithëse, kjo gjë duhet të konkretizohet. Imuniteti është i përcaktuar në Kushtetutë dhe mënyra më e plotë do të ishte të ishte një ndërhyrje në Kushtetutë. Një asistencë shumë të vlefshme në projektin tonë ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, një komision që ka ndihmuar në hartimin e Kushtetuës së Shqipërisë. Pasi u njoh me propozimet tona, Komisioni i Venecias erdhi me një sugjerim që mund të bëhet edhe me ndryshime Kushtetuese dhe të përfshihet edhe opozita në këto aspekte Kushtetuese. Kjo pastaj është pjesë e një debat tekniki, është pjesë edhe e vullnetit politik, të munguar deri më tani nga opozita.

Një pjesë e deputetëve kanë deklaruar se imuniteti duhet të hiqet vetëm në ato raste, kur ka një shkelje të evidentuar dhe kur kërkohet arrestimi. Cili është komenti juaj?
Në radhë të parë duhet parë se çfarë parashikon Kushtetuta. Në rast se ka një akuzë konkrete ndaj një deputeti dhe Prokuroria mendon se duhet t`i hiqet imuniteti,
për të vazhduar më tej hetimet atëherë kjo gjë duhet të bëhet dhe kjo është ajo ç`ka ne kemi thënë. Ne mendojmë se do shkojmë një hap më tej pasi kjo i shërben drejtësisë, përderisa Prokurorisë nuk do t`i duhet më të kërkojë heqje imuniteti. Kjo nismë duhet parë si një vullnet i Kuvendit i të gjithë palëve për të mos penguar luftën ndaj korrupsionit e vlefshme kjo edhe ndaj zyrtarëve të lartë. Element tjetër i rëndësishëm është se ndërmarrja e kësaj nisme rrit legjitimitetin e Kuvendit, i cili përfaqëson qytetarët shqiptarë pasi niveli i legjitimitetit ndaj deputetëve nga publiku është i ulët. Nga sondazhet del se ata kanë një besim të ulët tek institucionet për arsye të ndryshme, heqja e imunitetit do të rrisë besimin tek ata duke treguar se ne nuk fshihemi pas imunitetit dhe se jemi te barabartë si gjithë qytetarët e tjerë. Tashmë Shqipëria nuk është në fillimet e demokracisë, ku me të drejtë mund të dyshohej se organi i akuzës apo drejtësia mund të përdorej kundër kundërshtarëve politikë, kështu që nuk ka pse të kemi një mbrojtie dhe privilegje më shumë se qytetarët. Kjo është një linjë e përgjithshme në të gjithë Europën që tregohet që nga rekomandimet e Këshillit të Europës, grupi i shteteve kundër korrupsionit dhe nga deklaratat më të fundit të përfaqësuesve të SHBA-së.

Mendoni se do të keni një konsensus më të gjërë me opozitën për këtë çështje më shumë se sa ai për ndryshimet Kushtetuese?
Konsensusi për ndryshimet Kushtetuese ishte shumë i gjërë. Kushtetuta ndryshohet me 2/3 e votave që janë 94 vota, kurse ndryshimet kushtetuese u votuan me 117-118 deputetë që është një numër shumë i lartë. Unë shpresoj që për heqjen e imunitetit të jetë në këto nivele edhe më i lartë aq më mirë, por këto janë nivele shumë të larta ç`ka tregojnë një vullnet të përgjithshëm. Organi i akuzës do të ndjehej shumë i mbështetur nga një vullnet i përgjithshëm politik për të luftuar korrupsionin gjithashtu do të fitonin dhe besimin e qytetarëve për disa pikë që kemi humbur për arsye të drejta ose jo kjo është çështje tjetër.

Pak ditë më parë, USAID publikoi një sondazh ku vërehej një rritje e perceptimit ndaj korrupsionit prej 13 përqind. Si e komentoni këtë situatë?
Ky është një perceptim i gabuar i sondazhit dhe ata vetë që e kanë bërë sondazhin
e thonë shumë qartë që në media ka pasur deformime ose keqinformim i cili mund
të mos jetë bërë me qëllm por nga padituria. Edhe vetë zbatuesit e institutit IDRA
kanë deklaruar se të dhënat e sondazhit janë keqintepretuar, nuk bëhet fjalë për rritje të korrupsionit por për perceptim të korrupsionit dhe perceptimi është një gjë korrupsioni është një gjë tjetër. Ç`ka dëshiroj të them është se brenda sondazhit kishte të dhëna që nuk u cituan asnjëherë nga media. Ka një bllok të dhënash ku qytetarët pyeten: Sa mendoni se është i pranishëm korrupsioni në Shqipëri ? Dhe këtu dalin të dhëna shumë
të larta mbi 90 përqind. Pra ky është thjesht perceptim. Pyetje tjetër ishte: Gjatë vitit të kaluar a ju është dashur të paguani për të marrë një liçensë një leje ? Për këtë pyetje 25% e qytetarëve janë përgjigjur se kanë paguar. Dhe 25% nuk është pak, pasi i bie që 1 në 4 qytetarë të paguaj rryshfet por ka një diferencë si nata me ditën, pasi 90 % është përceptim si mendojnë qytetarët 25% është përvoja e tyre konkrete. Këto të dhëna nuk janë pasqyruar në media, pra ka një hendek të thellë mes perceptimit dhe përvojës së qytetarëve.

Para disa kohësh Kushtetuesja ktheu ligjin për gjobat dhe Presidenti atë të legalizimeve. Mendoni se pozita dhe opozita duhet të konsultohen më shumë me aktorët politikë?
Unë kam thënë që nuk mund të bëhet politikë në drejtim të Gjykatës Kushtetuese dhe këtu ne jemi ndeshur me një propagandë të tërë antiqeveritare që ka marrë si nisëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata shprehet në mënyrë përfundimtare dhe nuk mund të bëhet politikë dhe politika të merret me çështje përfundimtare pasi nuk ka të vërteta përfundimtare në politikë.

 Bisedoi Silvi Tresa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›