E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu: Shqipëria realizoi reformë kushtetuese të admirueshme

“Shqipëria ka bërë progres dhe reformat e ndërmarra janë të admirueshme”. Vlerësimi ka ardhur nga vetë kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Luis Maria de Puig në takimin që ai zhvilloi dje në mesditë me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli në selinë e Këshillit të Europës. Gjatë takimit me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, De Puig, Kryetarja Topalli e njohu atë me reformat më të fundit të ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë, duke u fokusuar në reformën fiskale. “Ditët e fundit, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese në një klimë shumë të mirë bashkëpunimi dhe konsensusi midis dy forcave më të mëdha politike në vend. Unë jam shumë e kënaqur me këto ndryshime kushtetuese, pasi ato shmangin krizat dhe krijojnë stabilitet politik në vend”, u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se Shqipëria ka sfida të tjera përpara dhe është e vendosur për t’i përballuar me sukses. Nga ana e tij, kreu i Asamblesë Parlamentare të KE-së, De Puig u shpreh i kënaqur për progresin që Shqipëria ka bërë. “Reformat kushtetuese nuk janë të lehta për t’u bërë në të gjitha vendet, por reforma kushtetuese e Shqipërisë është e admirueshme,” tha z. De Puig. Ndërsa lidhur me situatën në rajon, Kryetarja Topalli tha se “pavarësia e Kosovës sjell stabilitet dhe paqe në rajon”. “Ne urojmë që së shpejti Kosova t’i bashkohet vendeve anëtare të KE-së”, theksoi kryeparlamentarja, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, po zhvillon një vizitë zyrtare në Strasburg për të marrë pjesë në Konferencën politike të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, ku do të jenë të pranishëm 47 kryetarët e Parlamenteve të shteteve anëtare të Këshillit të Europës, si dhe kryetarët e Parlamenteve me statusin e vëzhguesit pranë Asamblesë Parlamentare të KE-së (Kanada, Izrael, Meksikë) si edhe të Asambleve Parlamentare Ndërkombëtare( OSBE, IPU, NATO, PABSEK, CEI etj). I organizuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, Konferenca Europiane e Kryetarëve të Parlamenteve do të shqyrtojë praktikat e mira që mundësojnë influencimin e shoqërisë civile në politikë dhe në debate nëpërmjet proceseve parlamentare dhe do të synojë të forcojë lidhjet e ligjbërësve me Këshillin dhe vlerat e tij. Në këtë konferencë janë të ftuar edhe krerë të organeve parlamentare ndërkombëtare, si dhe kryetarët e parlamenteve me statusin e vëzhguesit pranë Asamblesë Parlamentare të KE-së (Kanada, Izrael, Meksikë). Priten rreth 300 pjesëmarrës.Në vijim të hapjes së konferencës nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE-së, Lluís Maria de Puig, do të mbahen referate mbi temat e konferencës nga krerët e Parlamentit Kombëtar të Hungarisë, Parlamentit të Suedisë, Parlamentit të Shqipërisë dhe Senatit Hollandez..Gjithashtu do të ketë edhe një takim të Sekretarëve të Përgjithshëm të parlamenteve pjesëmarrëse Konferenca e parë e kryetarëve të parlamenteve të Europës u mbajt në vitin 1975. Ajo mbahet njëherë në dy vjet dhe organizohet në Strasburg ose në kryeqytetin e një vendi anëtar të Këshillit të Europës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›