E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitingu i PS saboton shfaqjen e Çanit në Durrës

 

Prej një jave posterat e shfaqjes së tij kanë mbushur qytetin e Durrësit. Nuk bëhet fjalë për ndonjë kandidat për zgjedhjet elektorale, por për Arian Çanin, gazetarin e njohur, i cili kishte parashikuar të mbyllte sot turin e shfaqjeve të spektaklit të tij “Onë man show” - “Ej, mos ia thuaj njeriu!”, në qytetin e Durrësit. Shfaqja është parashikuar në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në orën 20.00. E ndërsa biletat janë mbaruar me kohë, mitingu i kandidatit të PS-së, Blendi Klosi rrezikon shfaqjen e Çanit. Edhe pse ishte parashikuar të zhvillohej në një tjetër vend (Vollga), papritur mitingu është zhvendosur në sheshin para Teatrit “Aleksandër Moisiu” në orën 19.30. Normalisht atmosfera e zhurmshme që pritet si në çdo rast mitingu, e bën gati të pamundur shfaqjen e spektaklit të Çanit. Mësohet se kjo përplasje nuk është krejt e rastësishme. Burime nga qyteti bregdetar informojnë se për organizimin e kësaj shfaqjeje ka ndihmuar shumë kandidati i LSI-së për Durrësin, Lefter Koka dhe pritet që edhe mes publikut të ketë shumë përkrahës të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërsa kryetari i bashkisë, në varësi të së cilit është edhe teatri, i përket Partisë Socialiste. Si duket përplasjet mes dy partive të majta arrijnë deri në sabotimin e një shfaqjeje në teatër. Deri më tani nuk është folur për anulimin e spektaklit. Nëse ajo nuk do të zhvillohet sot, atëherë do të shfaqet nesër dhe pasnesër në të njëjtën skenë dhe në të njëjtën orë. 
Pas suksesit në skenën e Teatrit të Metropolit në Tiranë, “One man show” - “Ej, mos ia thuaj njeriu!”, u ngjit në skenat e Korçës, Elbasanit, Vlorës, Fierit, Beratit, Poliçanit, ku është pritur në mënyrë të jashtëzakonshme nga publiku i këtyre qyteteve. Kurioziteti dhe adhurimi për gazetarin e “Zonës së lirë”, mbushi plot sallat e teatrove. Biletat e shitura dëshmojnë për të njëjtën pritje edhe në skenën e Durrësit. Duke iu përmbajtur idesë së tij të fillimit të “thyerjes së ca tabuve”, duke përfshirë edhe ditën e shfaqjeve, Çani e mbyll këtë tur, pikërisht ditën e hënë dhe të martë. Duke treguar se një shfaqje interesante nuk është e thënë të ndiqet vetëm në fundjavë dhe se publikun është i gatshëm të thyejë programin e vet “rutinor” për të parë diçka të veçantë. Shfaqja “Ej mos ia thuaj njeriu” ishte për gazetarin dhe moderatorin e njohur të “Zonës së lirë”, një mundësi më shumë për të ndarë ca shqetësime me njerëzit, me publikun, pa praninë e kamerave. Një mundësi që ekrani i televizionit nuk ta mundëson. E Çani kishte nevojë për një komunikim të drejtpërdrejtë, për të ndierë reagimin e publikut, të qeshurat, pëlqimin, fundja edhe mospëlqimin. Në spektaklin e tij Çani trajton 10 tema, që trajton ca gjëra të përditshme, të cilat i prekim, i shohim dhe kemi krijuar një ide të caktuar. Çani ofron këndvështrimin e tij tërësisht personal për politikën, për modën, për turizmin, për reklamat, etj. Ashtu siç thotë vetë Çani, qëllimi i tij është që publiku të dalë nga skena me një pikëpyetje dhe këtë e ka arritur.

Shfaqja

“One Man Show”– Shfaqje me një aktor të vetëm në skenë.
Titulli: “Ej mos ia thuaj njeriu!”
Ideja dhe skenari: Arian Çani
Aktor: Arian Çani
Regjia: Hervin Çuli
Grafic designer: Kliton Kuka
Muzika: Dj Çerri
Fotografia: Geliand Kaleci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›