Pippo Baudo drejton “E diela shqiptare”
ALMA MILE
Nuk mund ta fshihte mallëngjimin kur një grua mbi të 80-at i shtrëngoi dorën. I çonte të falat e të shoqit, që nuk jetonte më.“Ju na sillnit italishten në shtëpinë tonë dhe për ne ishit si i familjes”, - i thotë e moshuara prezantuesit të madh italian Pippo Baudo, i cili u ndodh në Tiranë, i ftuar nga Ardit Gjebrea, për të mbyllur sezonin e spektaklit “E diela shqiptare”, në TV “Klan”. Ndonëse e kishte dëgjuar edhe më parë që shqiptarët e ndiqnin edhe në atë kohë, kur kjo u kushtonte shtrenjtë, ai nuk mund ta mendonte se ishte aq i pranishëm në shtëpitë e shqiptarëve. Kjo ishte arsyeja pse në ambientet e show-t “E diela shqiptare”, u ndje si në të dielën që drejtonte përtej detit. Publik entuziast, muzikantë të talentuar, këngëtare bukuroshe dhe një studio gjithë shkëlqim, krijuar nga miqtë e tij Gaetano Castelli dhe Franco Ferrara. “Kam vënë në xhep një fjali që kam studiuar: “E diela shqiptare” është e imja. Ardit ik!”, - tha me të qeshur Baudo. Përgjatë një ore ai ka kënduar, ka biseduar e ka bërë shaka me Gjebrenë, i cili nuk mund ta fshihte emocionin teksa ndodhej përballë një prej emrave më të mëdhenj të ekranit italian. Për Baudon ishte hera e dytë që ndodhej në Tiranë. Herën e parë, siç tregoi ai, ishte menjëherë pas rënies së komunizmit dhe Shqipëria po kalonte një periudhë të vështirë. Mori pjesë në një spektakël në Pallatin e Kongreseve, ku gjithçka shkoi shumë mirë. “Ishte shumë emocionuese. Bëmë një spektakël 1 orë e gjysmë duke improvizuar, duke folur me instrumentistët..”, - kujton Baudo. “Kjo është vizita ime e dytë. Por do të ketë edhe një të tretë, një të katërt”, - thotë ai, ndërsa vë në dukje ndryshimet që ka pësuar Shqipëria mes dy vizitave të tij. Gjatë kohës së qëndrimit këtu, i shoqëruar nga Gjebrea, udhëtoi drejt Vlorës, për të parë bregdetin shqiptar, por u ngjit edhe në malin e Dajtit, takoi në një takim jozyrtar Presidentin e Republikës, Bamir Topi, të cilin e quajti “modern e mikpritës”, darkoi me kryetaren e Parlamentit, Topalli, së cilës i vlerësoi më së shumti bukurinë… Ndërsa dje pasdite finalizoi sezonin e një programi binjak me atë që ai drejton në Itali. Në një mënyrë tërësisht të sinqertë e të çlirët, Baudo ka folur për karrierën e tij 50-vjeçare, fillimet e tij, për të vijuar me vështirësitë dhe sulmet e vazhdueshme që i janë bërë. “Jemi figura publike dhe jemi gjithnjë qendër e sulmit, në rrafshin personal, për bindjet politike, por ne duhet të jemi gjithnjë të përmbajtur. Në 50 vite karrierë më kanë sulmuar vazhdimisht, madje doli edhe shprehja “pippobaudizëm”.. Por unë kam rezistuar”, - u shpreh Baudo. Stafi i “E diela shqiptare” kishte përgatitur disa montazhe me pamje nga programet që ka drejtuar Baudo, por edhe momentet e vështira që ka kaluar gjatë drejtimit të spektakleve të drejtpërdrejta, si në rastin e Sanremos, ku i është dashur të përballet me skandale, me sindikalistë që protestonin, një të marrë që ngjitej në skenë e një të ri, që donte të hidhej nga kati i dytë… Tregoi edhe për artistët që ai ka zbuluar e ka nxjerrë në skenë, duke filluar që nga Lorella Cuccarini, Fiorello, Al’Bano, Giorgia, Laura Pausini… për të vijuar me përplasjet me yjet e skenës botërore si Madonna, apo Witney Houston. Për të mbyllur këtë bisedë, e cila me këmbënguljen e tij ishte jashtë çdo lloj zyrtarizmi u mbyll me një performancë në piano, ku ai luajti dhe këndoi njëkohësisht i shoqëruar nga Ardit Gjebrea e Bleona Qerreti. Në shenjë mirënjohjeje, stafi i “E diela shqiptare” i bëri atij një dhuratë. Nuk ishte ndonjë trofe, por një “kanoçe”, nga ato që dikur shqiptarët bënin gjatë viteve të diktaturës, për të ndjekur programet e Pippo Baudos.
50 vjet karrierë
Për karrierën e tij të gjatë dhe suksesin e pamohueshëm është quajtur edhe “Superpippo”. Pippo Baudo ka lindur në 7 qershor 1936. Nisi qysh i vogël të merrej me teatër, deri sa një ditë u largua nga Catania drejt Romës, ku nisi rrugën e spektaklit. Gjatë 50 viteve ka drejtuar një mori spektaklesh të suksesshme, mes të cilave “Domenica In” dhe festivalin e Sanremos.