Intervista/Hill: Qysh në vitet ’90, dihej se Mitrovica do ishte një problem
Në intervistën për emisionin “Sy më Sy” të RTV21, ambasadori amerikan Christopher Hill deklaron se qysh në vitet ‘90, kur ai ishte i dërguar special amerikan për Kosovën, dihej se Mitrovica do të ishte problem. Ai u sugjeron institucioneve të Kosovës që të angazhohen për krijimin e brendit të ri, në mënyrë që Kosova të mos mbahet mend vetëm nga bombardimet e NATO-s
Ambasador ju jeni bashkuar departamentit amerikan të shtetit në vitin 1977, por për opinionin e Kosovës jeni i njohur si i dërguari special amerikan gjate viteve 1998-1999. Ju poashtu keni qene pjese e ekipit negociuar për arritjen e marrëveshjes paqësore për Bosnjën, si zëvendës i Riçard Hollbrukut, ne marrëveshjen e Dejtonit. Unë do të citoj diçka që ju keni thënë në vitin 1995. Keni thënë :“Negociatat me Boshnjakët, Serbët dhe Kroatët ishin të suksesshme pasi që të gjitha palët ishin të gatshme për zgjidhje”. Por një gjë të tillë nuk keni mundur ta thoni në vitin 1999 për çështjen e Kosovës apo jo?
Jo nuk kam mundur. Mendoj se ishte situatë shumë e vështirë në vitin 1998 – 1999. Jam përpjekur të gjejë një bazë për arritjen e marrëveshjes, por më e rëndësishmja që donim të arrinim ishte t’iu dëshmojmë të gjithëve se jemi të gatshëm të provojmë çdo zgjidhje diplomatike dhe për këtë kemi punuar. Kemi provuar gjithçka dhe për këtë arsye, njerëzit e respektuan marrëveshjen për të vazhduar fushatën ajrore të NATO-s.
Çfarë mendoni sot për rajonin, për Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë dhe të gjitha luftërat që ndodhën në ish Jugosllavi?
Kanë kaluar 10 vjet prej se unë isha i angazhuar këtu. Patjetër se kur kthehesh pas 10 vjetësh, sheh progres. Unë mendoj se po shoh më shumë progres se sa ata që jetojnë këtu dhe çdo ditë përballen me probleme. Unë shoh më shumë përparim se sa probleme. Por natyrisht, e kuptoj se ka shume çështje që kërkojnë zgjidhje. Mendoj se në Bosnjë vazhdojnë të kenë probleme me qeverisjen, probleme për arritjen e konsensusit për krijimin e qeverisë. Në Kosovë vazhdojnë të jenë çështjet e ndërtimit të kapaciteteve por përgjithësisht mendoj se njerëzit duhet të jenë më optimist nga ajo që kanë kaluar.
Ju i keni përcjellë nga afër ato çfarë kanë ndodhur në rajon për periudhë të gjatë. Besoj se jeni shumë mirë i informuar për zhvillimet më të fundit në pjesën veriore të Kosovës. Serbët vazhdojnë të mos kenë vullnet për përfshirje ne institucionet e Kosovës, ata refuzojnë të ndiejnë realitetin e ri dhe tani po i barrikadojnë rrugët. Si i komentoni këto veprime të serbëve të Kosovës?
Edhe para 10 vjetësh e dinim se Mitrovica do të ishte problem, në kuptimin e pranimit të realitetit të ri. Unë mendoj se kjo është një çështje për të cilën duhet punuar dhe atë përmes një procesi, një proces me mjete paqësore dhe demokratike. Besoj se do të vijë koha kur do të kuptojnë se secili duhet të ec përpara. Ajo që është shumë e rëndësishme për Kosovën është të tregoj durim dhe të bashkëpunoj me qeverinë e Serbisë. Ndonjëherë, duhet më shumë kohë për të kuptuar çështjet. Komunikimi më i mirë me Serbinë është gjithmonë ide e mirë.
Institucionet e Kosovës po përpiqen të vendosin rendin dhe ligjin ne veriun e vendit dhe atë 12 vjet pas përfundimit të luftës. Serbët në atë pjesë, siç edhe e përmenda, nuk kanë vullnet për integrim dhe në të njëjtën kohë e kanë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe liderëve serb të Beogradit. Çka mund të bëjë Prishtina për integrimin e tyre jo vetëm ne institucione por edhe në shoqëri?
Është shumë më lehtë të tregosh problemin se sa te gjendet zgjidhja. E di se këto janë probleme por në të njëjtën kohe e di se këto çështje nënkuptojnë edhe bindjen e njerëzve se ja vlen të jenë pjesë e këtyre struktura të reja, realitetit të ri. Mendoj se Kosova jo vetëm që duhet të vendos rendin dhe ligjin në veri por duhet të vazhdoj të përmirësoj sundimin e rendit dhe ligjit në pjesën tjetër të Kosovës. Mendoj se duhet të ketë bisedime. Duhet të ketë bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë e Serbisë për tu siguruar se ajo e kupton situatën këtu. Mendoj se do të vijë koha kur ju do të keni marrëdhënie te mira fqinjësore me Serbinë. E di se Mitrovica është çështje e vështirë, e di se me disa njerëz atje asnjëherë nuk do të jetë e lehtë të negociohet. Por duhet të këmbëngulni për këtë.
Këtyre ditëve kemi parë e dëgjuar propozime se ndoshta zgjidhja më e qëndrueshme për veriun në rrethana aktuale është administrimi nga ndërkombëtaret. Çfarë mendoni për këtë ide, duke pasur parasysh se kemi tri vjet që funksionojmë si shtet i pavarur dhe si ka mundësi që dikush tjetër, ndërkombëtarët të administrojnë një pjesë të Kosovës.
Jam shumë i lumtur që jam kthyer në Kosovë pas 10 vjetësh. Pikërisht pse jam këtu për dy ditë, nuk mendoj se jam unë ai që duhet të paraqes mendimin tim për mënyrën se si do të duhet të menaxhohet kjo pjesë. Është e qartë se është proces delikat, është e qartë se nuk duhet të detyrohen njerëzit por duhet të binden ata, ndërsa për ti bindur shpesh duhet me shumë kohë. Nuk dua të jap mendimin tim edhe pse e kuptoj frustrimin e njerëzve të Kosovës. E kam ditur gjithnjë se Mitrovica do të jetë pjesa më e vështirë për ta bindur se Kosova është shtet brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Mbi 80 shtete e kanë njohur pavarësinë në kufijtë ekzistues. Të gjithë duhet të kemi më shumë durim.
Por Beogradi zyrtar po kërkon ndarjen e Kosovës. A ka shanse që një gjë e tillë të ndodhë?
Ju e dini se qëndrimi i qeverisë tone është shumë i qartë rreth ndarjes. Nuk e shoh si të mundshme. E di se është më e lehtë të fajësohet Beogradi për qëndrimin që ka rreth Mitrovicës, e kuptoj pse e bëni këtë, por duhet të shikoni se sa përpara ka shkuar qeveria ne Beograd. Kur unë punoja për Kosovën, në Beograd ishte dikush me emrin Sllobodan Millosheviq. Prandaj mos të harrojmë se Serbia ka lëvizur mjaftë. Poashtu të mos harrojmë se në të ardhmen, Shqipëria dhe Serbia duhet të kenë marrëdhënie të mira.
Në të njëjtën kohë qëllim i Beogradit është të diskutojë për veriun dhe mundësinë e ndarjes apo shkëmbimin e territoreve me Luginën e Preshevës, si pjesë e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Cili do të duhej të ishte qëndrimi i qeverisë së Kosovës a do të duhej të diskutoheshin edhe çështjet e ndjeshme politike edhe pse dialogu është teknik?
Nuk dua të vendosem ne pozitën e këshillëdhënësit dhe të jap mendimin tim për çështje komplekse. Qëndrimi i qeverisë së vendit tim është shumë i qartë. Ne e kemi njohur Kosovën, brenda kufijve të saj ndërkombëtarë. Mund t’iu them se ndryshimi i territoreve nuk është ndonjë proces i lehte e as i këndshëm. Unë do t’i inkurajoja njerëzit të ulen dhe të bisedojnë, pasi që ashtu ka mundësi që të arrihet ndonjë marrëveshje pa prekur vijat e kuqë të të dyja palëve. Procesi është në fillim, e di se shumëkush është i frustruar por nuk duhet të humbni durimin lidhur me këtë çështje.
Natyrisht se ju jeni në favor të dialogut si metodë e zgjidhjes së të gjitha problemeve. Ne këtë drejtim keni bëre shumë punë, një dekadë e angazhimit tuaj ne Ballkan për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve. Ju përmendet se liderët e Kosovës duhet të bisedojnë drejtpërdrejtë me liderët e Serbisë.
Unë besoj se duhet të ketë një proces të dialogut me fqinjët, duhet të jeni në kontakt. A do të gjeni një pikë të përbashkët rreth Mitrovicës nuk e di, nuk e di nëse ka një pikë të përbashkët fillimi, por e di se ja vlen të provoni. Të gjithë në Kosovë duhet ta kuptojnë se Serbia ka ndryshuar, ata që thonë të kundërtën nuk i kanë shikuar rrethanat sot dhe nuk i kanë krahasuar më ato para 10 vjetëve. Unë po i shikoj gjërat se si ishin dikur, kur unë merresha më këtë çështje. Pra, e para është të shohim progresin, ndërsa e dyta është se nuk është në të mirë të Kosovës që të ketë marrëdhënie të këqija me fqinjët verior. Provoni të keni më shumë durim, mos u ngutni, mos kërkoni që diplomatet e huaj të mbajnë qëndrime të cilat do të mund të përdoreshin nga njëra ose pala tjetër. Në këtë çështje duhet të punohet më kokë të qetë...
Në karrierën tuaj diplomatike, ju keni qenë ambasador në Maqedoni, Poloni, Kore jugore dhe Irak. Nëse shikoni prapa çka do të mbani mend nga këto misione. A kishin diçka te përbashkët apo secila kishte veçoritë e veta?
Çështjet ishin të ndryshme, sfidat dhe problemet ishin të ndryshme, por ju them se kishte një gjë të përbashkët dhe ajo ishte pritja. Të gjithë, qoftë irakianët, koreano veriorët apo jugorët, të gjithë mendonin se SHBA duhet të jenë të përfshira në zgjidhjen e çështjeve. SHBA-të kanë rol të rëndësishëm në botë, në përpjekje për të ndihmuar. Jo duke kërkuar nga te gjithë, jo duke treguar me gisht, por duke u përpjekur të ndihmojnë. Në të gjitha këto situata dhe rrethana të ndryshme ata shikonin nga SHBA-ja dhe SHBA-ja duhet të përgjigjet.
Marrë me shkurtime