Mbi borxhin tonë të jashtëm
Nga Endrit Avdullari
Borxhi i Shqipërisë është gati 60% e nivelit të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Përveç Kroacisë (ku deficiti është 55%), e cila tashmë është miratuar për të hyrë në Bashkimin Evropian, të gjitha vendet kandidate të rajonit e kanë borxhin nën 40% të PBB-së, sipas rekomandimeve të Bankës Botërore. Mjafton ky fakt për të ilustruar se Shqipëria po jeton në një luks të cilin nuk e përballon dot, të paktën jo për shumë kohë. Megjithatë, shumë do çuditen kur të lexojnë që ne në fakt jetojmë në luks. Infrastrukturë e dobët, shëndetësi dhe arsim problematik, një skemë pensionesh që kërkon reformë, natyrshëm lind pyetja, ku shkojnë gjithë paratë tona?
Të dhënat e fundit vjetore, sipas INSTAT, janë ato të vitit 2010 dhe tregojnë se Qeveria Shqiptare (QSH) shpenzon mbi 360 miliardë lekë në vit, mbi 50% nga ç`shpenzohej në 2005-n. Nga këto 40 miliardë janë interesa! Pra, 11% të të ardhurave tona shkojnë për të financuar këtë borxh. Përveç kredive, kartave të kreditit, apo pagesat me këste që secili mund të ketë personalisht, çdo shqiptar është në borxh mbi 110 mijë lekë.
Administrata shtetërore me pagat dhe shpenzimet e saj kushton 110 miliardë lekë. Gati një e treta e parave tona shkon për të paguar nëpunës që caktohen pa konkurse transparente, që shpesh janë në atë pozicion prej atyre që njohin dhe jo prej asaj që dinë, që kanë probleme me korrupsionin, që është e njohur për kohën e shpenzuar në kafene (apo shikon filxhan siç u shpreh Z. kryeministër) etj. Kam unë një ide për të kursyer para për buxhetin e shtetit: T`i punësojmë shumicën me kohë të pjesshme. N.q.s., rrinë në kafe 4 orë, t`i paguajmë vetëm 4 orë dhe lekët e kafes të mos i nxjerrim nga lekët që u japim NE nën dorë. Për të kuptuar skandalin e madhësisë së kësaj shume, mendoni që është 3.5 herë më e madhe se buxheti që u jepet të gjitha bashkive dhe komunave në të gjithë vendin, gati 7 herë më e madhe se ndihma sociale që jepet për ata njerëz që jetojnë nën minimumin jetik dhe mbi 100 herë më e madhe se ndihma për të papunët edhe pse norma e papunësisë po afron 14%.
Më thjeshtë, arsyeja mbase kryesore pse brezi që vjen do jetë i mbytur në borxhe (më keq nga ç`jemi ne) është se ne paguajmë rroga të larta për një administratë (më pak se) mediokër dhe sepse… kemi shumë borxhe. Qeveritarët kanë fëmijë por qeveritë jo, prandaj ato rrallëherë shqetësohen për të ardhmen. Për këtë arsye këtu importohen plehra, gërryhen lumenj, priten pyje dhe merren borxhe, shumë borxhe. Kemi dy rrugëdalje: ose të shkojmë në bankë dhe të derdhim secili nga ne 3.5 milionë shqiptarët nga 110 mijë lekë, ose të ushtrojmë presion mbi qeverinë që të ulë shpenzimet sepse këto janë në fakt paratë tona dhe burimet tona natyrore që po shpërdorohen.
Marrja e borxheve pa kufi është mënyra e re që kanë qeveritë për të ndërtuar piramida financiare. Kjo po ndodh në Greqi, Itali, Irlandë, Spanjë, Portugali etj. Ama ndryshe nga ata, ne e dimë më mirë se kushdo se si përfundojnë historitë me piramida financiare…