Intervista/Sejdiu: SHBA ka investuar shumë për demokracinë në Kosovë
Gjatë një interviste për VOA-n, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ndalet tek mbështetja e paçmueshme që SHBA-ja i ka dhënë pavarësisë së Kosovës, por edhe tek investimi i saj më i ri që ajo po bën, për ndërtimin në Kosovë të një demokracie funksionale
Z.President, cilat janë përshtypjet e tuaja për takimin e parë me administratën e re amerikane?
Kjo është një vizitë mjaft e rëndësishme, të cilën mund ta quaja edhe historike, sepse për ne është nder i veçantë për faktin se kjo administratë që ka pak më shumë se një muaj që ka marrë përgjegjësinë e udhëheqjes të presë delegacionin më të lartë të shtetit të Kosovës. Ky është edhe një qëndrim i fuqishëm i Amerikës për shtetin e ri dhe demokratik të Kosovës, ku këto ditë kemi festuar njëvjetorin e pavarësisë. Për ne është me rëndësi se gjithmonë është një politikë konstante e Amerikës e të gjitha administratave karshi Kosovës, një politikë mbështetëse për lirinë njerëzore si dhe për parimet qe do të vendoseshin në një shtet demokratik, dhe për pavarësinë tonë, ku SHBA-ja ka investuar më se tepërmi për vendosjen e demokracisë në Kosovë. Amerika ka ndihmuar popullin e Kosovës nga zhbërja totale dhe rreziku i gjenocidit që i kanosej nga Serbia. Natyrisht krahas kësaj Amerika ka ndihmuar Kosovës në ndërtimin e një shoqërie vërtet demokratike bashkëkohëse me të cilën matet edhe theksi i karakterit të shoqërie multietnike, të kujdesit të shumicës ndaj pakicës , rigjenerimit ekonomik të vendit si dhe mundësinë e përfitimit më të madh të akcesimit në mekanizmat ndërkombëtarë deri në OKB. Në të njëjtën kohë jemi të angazhuar për një stabilitet afatgjatë dhe të qëndrueshëm në tërë vendin. Këtë e kemi dëshmuar gjer më tash në relacion të mirë me fqinjët tanë, natyrisht do të kemi marrëdhënie edhe me vende tjera e në këtë kuadër edhe me Serbinë.
Kosovën, tashmë e kanë njohur më se 55 vende, ku morët garanci nga administrata amerikane për zgjerimin e këtyre njohjeve. Megjithatë Beogradi me sfidat e saja e ka quar çështjen në gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë. Ka zëra se kjo do ti vonojë njohjet e reja për Kosovës. Cili është plani juaj në këtë drejtim?
Unë them edhe njëherë se ishte një mbështetje e fuqishme edhe në kuptimin e nxitjeve edhe në vendet tjera mike të SHBA-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës, sidomos ato që janë në largësi gjeografike dhe e dyta është një triumf i ri i fuqisë ndërkombëtare karshi kësaj sfide të vogël që Serbia përpiqet t’ia bëjë Kosovës për procesin e njohjeve të reja për shtetin tonë, pas dërgimit të lëndës në GJND, me kërkesën e padenjët të saj që të vë në bankë të zezë drejtësinë njerëzore, bashkë me Kosovën dhe aleatet e saj. Unë them se nga ky fakt mund të ketë ndonjë vend që mund të mbetet peng i propagandës së Serbisë për pak kohë, mirëpo drejtësia ndërkombëtare dhe njerëzore gjithmonë do të jetë në anën e atij që e ka të drejtën e vet legjitime. E drejta e natyrshme e Kosovës është qe te jetë e lirë dhe në këtë kuadër ne e kemi dëshmuar këtë me ecjen dhe zhvillimet tona të deritashme. Ne mendojmë të ofrojmë provat tona të lidhur me segmente të shumta nga gjeneza e deri tek zhvillimet e fundit. Kosova zotësinë e saj e ka arrit falë sakrificës së vet të gjeneratave të shumta dhe të njëjtën kohë falë një procesi të rëndësishëm ndërkombëtar ku kanë qenë të involvuara vende të shumta i mbështetur edhe nga OKB, projektin Ahtisari dhe procesin e mëvonshëm të treshes ndërkombëtare me të cilat kemi dëshmuar të gjitha argumentet që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran. Kosova është jetësisht e interesuar që të jetë pjesë e BE-së, NATO-s, ku falënderojmë SHBA-të, BE-në dhe vendet tjera që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë krah i Kosovës në misionet tjera të rëndësishme të Kosovës.
Është një proces i paqartë në veri të Kosovës, i cili është kërcënim edhe për rajonin. A është ky një rrezik për ndarjen e Kosovës, dhe a ka fuqi Prishtina që të vendosë një afat kohor për shtrirjen e EULEX-it?
Unë mund të them se atje procesi është i qartë edhe pse ka probleme të cilat fatkeqësisht vazhdojnë të ushqehen nga qeveria e Serbisë. Në fakt ato nuk janë asgjë tjetër veçse një vazhdimësi e atyre truprojave që kanë bërë krime në Kosovë, atyre që kanë bërë krime në Kroaci dhe Bosnjë, por herët a vonë ato do të dalin para drejtësisë. Është e natyrshme se ka probleme sepse kjo situatë është e trashëgueshme tash e nëntë vjet. Ata njerëz nuk duan të ballafaqohen me drejtësinë, realitetin dhe stabilitetin, prandaj edhe bëjnë probleme të caktuara. Me rëndësi është se ka filluar shtrirja e EULEX-it, ku ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë, dhe ku ne kishim një vonesë, mirëpo në këtë drejtim janë vënë nën kontroll dy pikat doganore të cilat ishin djegur po nga këto forca. Në ecje e sipër në shohim proceset pozitive të ecjes duke përfshirë instalimin e gjykatave dhe doganave, të cilat janë shoqëruar edhe me hapa të mirë që janë duke bërë policia e Kosovës. Është diçka e mirë se qytetarët tanë kanë dëshiruar që të lirohen nga dogmat e Beogradit, i cili i ka mashtruar qytetarët serbë. Qeveria e Kosovës është i vetmi autoritet garantues për të gjithë qytetarët, pra edhe për serbët të cilët do të kthehen në vendbanimet e tyre, krahas së cilit do të bëjmë edhe kthimin e qytetarëve shqiptarë në shtëpitë e veta atje. Kjo është një garancë e asaj qe është progresive. Mos harroni se ne asnjëherë nuk kemi bërë fajësime kolektive për serbët, po fajësojmë ata që kanë bërë krime, ashtu siç ka thënë edhe ish-presidenti Klinton se ‘Kosova nuk mund të harrojë atë që ka ndodhur’, por në të njëjtën kohë jemi të angazhuar qe për të mirën e qytetarëve tanë, të gjeneratave që vijnë, prandaj do të bëjmë punë në këtë drejtim në mënyrë që të shuajmë retorikën e ashpër jo racionale dhe luftënxitëse. Duhet të kujtojmë se jemi në shekullin e ri, atë të zhvillimeve teknologjike, të nivelit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Kosova e ka këtë vizion dhe do ta bëjë më të mirën të mundshme që të arrijmë një perspektivë për të gjithë.
Pas pavarësisë sfida kryesore për qëndrueshmërinë e Kosovës është ekonomia. Duke marrë për bazë krizën globale dhe reflekset e sajë në Kosovë. Sa të efektshme kanë qenë planet qeveritare në këtë drejtim?
Unë them se ne e kemi sfidë të veçantë rigjenerimin ekonomik të vendit, duke marrë parasysh se kemi pasur potencialet e shkatërruara tërësisht. Serbia si një faktor është përpjekur edhe pas pavarësisë të shkatërrojë perspektivën tonë. Është shumë e rëndësishme se janë shënuar rritje në zhvillimin ekonomik ku qytetarët kanë filluar të shohin perspektivën e tyre në Kosovë. Është e rëndësishme qe këto probleme ti shohim me syrin real. Me rëndësi është të përballemi me sfidat ashtu siç janë. Deri tash nuk mund të themi se ka reflekse të krizës globale në Kosovës, pavarësisht se mund të themi se s’mund të ndikojnë në të ardhmen, mirëpo ne do të bëjmë më të mirën të mundshme në këtë drejtim, në mënyrë që të disiplinojmë krizën ekonomike në vendin tonë. Në këtë aspekt do të jemi të afërt me FMN-në, BB-në dhe vendet tjera mike që janë të zhvilluara ekonomikisht. Jo të dalim dhe të bëjmë lëvizje të pakontrolluara të cilat mund të kthehen si bumerang në fytyrën tonë. Kosova ka arritur një të mirë në të mirë të zhvillimit, ku ne kemi shtuar buxhetin e vendit nga tetëqind e tre milionë, këtë vit kemi një miliardë e katërqind milionë, të cilit i shtohen edhe ndihmat tjera nga konferenca e donatorëve.