E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista/Topalli: Ftesa për në NATO shtysë tjetër për procesin e ndryshimit të kushtetutës

Zonja Topalli, Shqipëria mori javën e kaluar ftesën për anëtarësimin në NATO, çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Së pari do të thotë që ke hyrë në shtëpinë së cilës i përket, në familjen e së cilës je ndierë gjithmonë por që ndoshta të tjerët nuk e kanë kuptuar ose i është dashur të shohin shumë sprova për të të pranuar në ambjentin e tyre. Do të thotë që pas 17 vitesh po ta mendojmë ku ishte Shqipëria në periudhën e transformimeve të mëdha në fillim të viteve 90’, e gjeti tashmë veten pranë vendeve më të fuqishme të globit. Ta gjesh veten pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve europiane të zhvilluara dhe vetëm dy vite pas zgjerimit të pestë të NATO-s, kur hynë Estonia, Letonia, Lituania, Sllovakia, Bullgaria, Rumania ishte vërtet diçka e jashtëzakonshme. Besoj se vjen si rezultat i një transformimi të jashtëzakonshëm që vendi ynë ka pasur gjatë kësaj periudhe 17 vjeçare, si një rezultat i rritjes së përgjegjshmërisë të politikës në vitet e fundit, si rezultat i reformave jashtëzakonisht të guximshme që janë ndërmarrë, patjetër shtuar kësaj edhe një avokati që i është bërë këtij procesi gjatë kësaj periudhe. Besoj se për dy-tri muaj do të mbyllet procesi i negociimit që do të jetë me dy raunde: një teknik dhe një politiko-teknik  dhe, pas një nënshkrimi formal që do të bëhet, do të  fillojë procesi i ratifikimit. Procesi i ratifikimit do të bëhet sipas një procedure që ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Do të realizohet në të 26 vendet anëtare, duke filluar nga Kongresi Amerikan e me radhë.

A kanë nisur kontaktet për këtë, por dhe për të pasur një lobing në mënyrë që procesi të ketë një shtytje?
Në të gjithë këtë proces, parlamenti ka pasur rolin qendror kryesor, themelor dhe vendimtar.Do  t’ju kujtoj  disa momente. Sikur në Parlamentin shqiptar, në korrik të vitit të kaluar, mos të dilte me sukses bërja e vendit me President, sot realisht vendi nuk do të kishte marrë ftesën për NATO. Ishte një sukses i parlamentarizmit shqiptar i pjekurisë së forcave politike dhe të gjithë deputetëve, të cilët bënë të mundur që vendi të bëhej me President, pra që hyri  në rrugën e tij kushtetuese dhe të gjithë e kujtojmë se sa ka vuajtur ky parlament për faktin se kandidatë pretendues për president nuk pranonin të regjistroheshin, duke e lënë  gjithë procesin jashtë shinave kushtetuese. Mendoj se ka qenë një vuajtje e jashtëzakonshme dhe ndonjëherë mendoj dhe një lloj jopërgjegjësie në nivelin e duhur pasi njeriu më përpara duhet të mendojë për vendin  dhe më pas për partinë dhe në fund, më e parëndësishmja, për emrin apo për individin.

Çfarë ka qenë tjetër vendimtare në Parlament?
Ka qenë reforma për drejtësi, e cila filloi në ditët e para të janarit dhe erdhi si rezultat i negociatave të përditshme, të forta mes Partisë Demokratike dhe Socialiste dhe një konsensusi që u gjet dhe fillimit të procedurës së kalimit në Komisionin e Ligjeve. Sikur Presidenti të mos ishte zgjedhur në korrikun e kaluar dhe kjo reformë mos kishte filluar në janar, Shqipëria nuk do të kishte marrë ftesën në NATO. Shtuar kësaj dhe faktin që Shqipëria 2 vjet përpara ishte pothuaj jashtë axhendës së europianëve në përfitimin e ftesës në Samitin e NATO-s, shtuar dhe faktin se shanset tona para 7 muajsh, ishin 50 për qind me 50 përqind. Ndaj dhe them që është dicka e jashtëzakonshme dhe që kërkon pas mbylljes së negociatave,  fillimin e punës së jashtëzakonshme për ratifikimin në parlamentet e vendeve anëtare.

Me cilat vende për shembull kemi një strukturë të ngritur?
Me të gjitha vendet europiane ne kemi marrëdhënie, deputetët, përfaqësuesit e delegacioneve të ndryshme, kanë marrëdhënie shumë pozitive. Çështja do të varet dhe nga situatat  e brendshme të vendeve të veçanta, pasi parlamentet kanë prioritetet e tyre dhe pastaj vijnë çështje jashtë kufijve të  tyre nacionale, por unë mendoj se do punojmë mirë.Gjithsesi unë e di që vendet e tjera, procesin e ratifikimit e kanë bërë për një periudhë dy ose tre vjeçare. Dhe ky përfundim, brenda kësaj periudhe, do të ishte diçka shumë e mirë. Ndërkohë zëdhënësi i NATO-s, Apaturai tha se këto vende mund të jenë anëtare që në vitin e ardhshëm, i cili  përkon me 60 vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut.

Ndërkaq në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar disa propozime për ndryshimin e Kushtetutës të cilat kanë ngjallur mjaft debat. Cili është mendimi juaj për to?
Një gjë duhet të kemi të qartë. Reformat e mëdha dhe ky vend ka nevojë për reforma të mëdha që ju quani “detyra të shtëpisë”, gjithmonë ngjallin debate. Ndodh shpesh herë të keqkuptohen, ndonjëherë bien ndesh me interesat e x-sit apo ypsilonit. Ndaj reformat e mëdha, e përsëris shpesh, bëhen vetëm nga lidershipe të fuqishme, lidershipe të fortë që kanë kurajon për të kapërcyer vështirësitë, sepse reformat kërkojnë të ndryshojë tërësisht diçka që duhet parë në një vizion krejt tjetër për të ardhmen. Është e vërtetë që në Parlament janë depozituar disa propozime për ndryshime kushtetuese. Njëra prej të cilave kërkon ndryshim në sistemin zgjedhor, duke e projektuar në sistemin proporcional rajonal. Ka edhe disa propozime te tjera për të çliruar institucionet tona nga hyrja në kriza ciklike, që vijnë si rezultat i problemeve që ka Kushtetuta, që kanë të bëjnë edhe me atë që folëm bashkë, me rrezikun e  krijimit  të momenteve të vështira në procesin e zgjedhjes së Presidentit, por edhe me përmirësimin e disa kapitujve të veçantë, që lidhen me insitucionin e Prokurorit, mocionin ndaj Kryeministrit, apo me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Pse proporcional rajonal, pse një zgjidhje e tillë?
Besoj se 3.5 milionë qytetarë shqiptarë nuk ia kanë borxh politikës për të pasur 15 parti në Kuvend. Në parlamente të vendeve me 40, 50 milion, apo më shumë banorë, ka më pak parti. Jo vetëm për shifrat e pajustifikueshme, por edhe për shkak të një anormaliteti që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe, duke mos respektuar ndarjet bazë që bëhen mes mazhorancës dhe opozitës, ndarje që vjen si rezultat i asaj që qytetarët kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar në Parlament,  për të krijuar një qeverisje stabël. Që qeveria të mos bëhet pre e presioneve të  grupeve të parave, të grupeve të presionit brenda dhe jashtë Parlamentit. Kur shqiptarët të besojnë një mandat, këtë mandat 4-vjeçar të kesh të drejtë ta ushtrosh deri në momentin e fundit, pa pasur frikën e partive që, për  interesa që s’kanë asnjë lidhje me principet, vizionin dhe interesat e qytetarëve, mund të të fusin në spirale krizash që dëmtojnë vendin.

Pse ndryshojnë kompetencat e Presidentit dhe çfarë përmbajnë ato? Janë diskutuar në Komisionin e Ligjeve, por nga partitë e vogla të majta janë cilësuar si “Konferenca e Mukjes”.
Nuk e kam dëgjuar këtë. Duket se e kanë ende shumë familjare Konferencën e Mukjes. Nuk ka asnjë ndryshim kompetencash të Presidentit, ka vetëm një thjeshtësim të procedurave të zgjedhjes së Presidentit. Sipas propozimit të bërë, nuk është e domosdoshme që të shkohet deri në raundin e pestë me 3 të pestat e votave, por të bëhet ashtu siç ndodh edhe në parlamente europiane, si në Itali, Greqi e në vende të tjera, që nëse në katër raundet e para njëri prej kandidatëve nuk arrin të marrë votat e duhura,  në raundin e pestë të arrihet zgjedhja me një shumicë të thjeshtë të votave dhe kështu vendi nuk rrezikon të kalojë në krizë, që do të thotë stopim reformash, regres dhe probleme të tjera, që natyrisht ndikojnë kryesisht tek ekonomia e vendit dhe te jeta dhe mirëqenia e qytetarit.

Po për mocionin ndaj Kryeministrit?
Besoj se është një propozim shumë i mirë. Ne duhet të ecim në parim siç ndodh në Spanjë, Greqi, në vendet me demokraci funksionuese që nuk i kanë krijuar vetes gjatë viteve kriza institucionale, kriza që kemi parë të shfaqen në mënyra të ndryshme në Itali. Në qoftë se shqiptarët ia besojnë një lideri të caktuar mandatin, është ai që e çon vendin deri në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të evitojmë idenë se duke i bërë presion do ta spostojmë nga programi i tij, apo do ta shtyjmë të  bëjë lëvizje të cilat nuk i ka pasur pjesë të platformës së tij gjatë fushatës elektorale. Pra, kjo e ndihmon atë që do të zgjidhet kryeministër që t’i qëndrojë me besnikërinë më të madhe  programit, për të cilin është votuar. Në rast të kundërt, në zgjedhjet e ardhshme do të përballet me votuesit. Është morale, është parimore, është e adaptuar edhe në vende të tjera europiane.

Keni drojë nga aleatët që po e shtojnë presionin dita-ditës?
Unë besoj se ata që ndërmarrin reforma nuk kanë pse të kenë drojë nga askush. Mendoj se është momenti për të guxuar dhe marrja e ftesës për NATO është një detyrim për të guxuar.
 
Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm 5 vjet është mjaftueshëm?
Realisht, personalisht nuk jam për 5 vjet. Jam për një mandat më të shkurtër. Në rast se gjatë kësaj periudhe ke treguar se je eficient, i pa ndikuar, i pavarur dhe  ke një produkt të punës tënde mund ta përsërisësh këtë mandat.
 
Kthehemi pak në kampin tuaj, në Partinë Demokratike, tek qeverisja e saj, mendoni se ka nevojë për ndryshime në Qeveri?
Besoj se kjo është Qeveria që ka sjellë sukseset më të mëdha, ka bërë neshkrimin e MSA-së, po bën ratifikimin e MSA-së në një ritëm unik, ka nënshkruar marrëveshjen e lehtësimit të vizave, ka nisur negociatat për liberalizimin e vizave, është Qeveria që solli ftesën për në NATO. Unë besoj se nuk ka një periudhë tjetër  në 17 vite, përveç periudhës 92’-95’ kur Qeveria shqiptare të ketë pasur një mbështetje kaq të madhe ndërkombëtare sa ç’ka qeveria aktuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›