E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi jep një pritje për përfaqësuesit e medias me rastin e festave të fundvitit.

23 dhjetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dha sot një pritje në Pallatin e Brigadave për përfaqësues, drejtues dhe punonjës të medias shqiptare me rastin e Vitit të Ri 2010.

Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Kryetari i Shtetit u shpreh:

“Përshëndetje të gjithëve!

Unë sinqerisht ndjehem i gëzuar dhe i nderuar me praninë tuaj këtu në këtë fundviti, ku të gjithë së bashku tentojmë t’i largohemi momenteve të punës dhe t’i kthehemi vetëm mesazheve të urimit për festat e fundvitit. Unë ndjej një detyrim personal pastaj dhe institucional për t’ju falenderuar për të gjithë punën tuaj tepër të rëndësishme. Nuk besoj se mund të përkufizohet me fjalë të përgjithshme vlerësimi për punën e njerëzve të medias. Këtu padyshim futen gazetarët, qoftë të medias së shkruar, qoftë të asaj vizive, njerëzit e spektakleve, të gjithë njerëzit që bëjnë të mundur që jeta jonë të jetë më e pasur. Unë nuk dëshiroj të flas gjatë sot, sepse boll kemi folur gjatë gjithë vitit, kemi ngjallur një ‘heshtje paraelektorale’ ku të gjithë bëjnë reflektimet e çastit dhe i urojnë njëri-tjetrin për një mision, i cili është sa fisnik, po aq i vështirë. Të gjithë jemi koshientë që media është rritur paralelisht me të gjitha institucionet e tranzicionit demokratik në Shqipëri. Pra, kur ju e kritikoni politikën, brenda kësaj kritike duhet të ketë dhe një sens autokritik, sepse vjen në një rrugë paralele, në një rrugë që ndoshta nuk kuptohet me ecjen e përditshme, por jam i bindur që vetë kompleksiteti i jetës politiko-sociale dhe ekonomike, e bëjnë të domosdoshme që të gjithë të jenë bashkëudhëtarë. Unë do të bëj patjetër një refleksion personal se si e kam përjetuar unë të gjithë peformancën e medias. Sot është e natyrshme që kemi mundësi të jashtëzakonshme dhe akses për të ndjekur kanalet televizive kudo, nëpërmjet satelitit. Dikur ndiqnim me vështirësi të madhe spektaklet e Radio-Televizionit italian. Jam i bindur që të gjithë kemi kaluar nëpërmjet këtij mundimi, duke tentuar që t’i kapim këto spektakle, apo emisione të spikatura të televizioneve prestigjioze. Sot ne kemi mundësinë të shohim një pjesë të konsiderueshme emisionet në televizionet shqiptare, mediat shqiptare kanë bërë një progres të jashtëzakonshëm. Progresi është në dy linja: së pari në çështjen e vizionit dhe së dyti në çështjen e teknologjisë. Dhe janë shumta rastet kur vetë vizitorët e huaj që vijnë dhe nga bota e politikës dhe e spektaklit janë në gjendje që ta konstatojnë këtë gjë, që televizonet shqiptare, media shqiptare ka bërë progres të rëndësishëm jo thjesht në sinkronizimin e parametrave të profesionalizmit, por edhe në teknologji. Kështu që ju meritoni patjetër një vlerësim, një lavdërim që vjen në linja shumë të sinqerta nga ana ime.

Pjesa tjetër natyrisht që është e komplikuar, sepse e komplikuar është jeta, qoftë e politikës këtu në Shqipëri, qoftë e institucioneve, të cilat bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’u kanalizuar në atë linjën e stabilitetit. Unë besoj që këto janë momente që lidhen me një etapë të caktuar të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri. Pavarësisht nga sensi i kritikës që keni dhe që ka për ne dhe të gjithë aktorët e institucioneve, unë besoj që edhe në politikë, edhe në institucione ka progres të dukshëm. Është një progres që vjen në mënyrë shumë evolucionare, vjen çdo ditë, nuk vjen me hope dhe më mirë që vjen hap pas hapi, sepse është një rrugë më e stabilizuar, është një rrugë më e konsoliduar dhe unë e di fare mirë që në misionin tuaj jo gjithmonë e keni të lehtë. Në radhë të parë nuk e keni të lehtë për të qenë të vërtetë, sepse në disa raste nuk ju lejojnë të jeni të vërtetë për t’i thënë gjërat ashtu si janë. Nga ana tjetër e kërkon vetë situata që të jeni të moderuar në disa raste, sepse ju jeni kontribues të jashtëzakonshëm të stabilitetit politik dhe social në Shqipëri. Ne këtë e konstatojmë çdo ditë, ne e konstatojmë me njëri-tjetrin, vlerësojmë dhe profesionalizmin, por vlerësojmë edhe kurajon edhe guximin. Nuk është gjithnjë e lehtë të jesh analist, të jesh gazetar. Nuk është gjithnjë e lehtë të jesh vetvetja. Kërkohet një lloj kondicionimi që është e domosdoshme në natyrën e institucioneve të medias. Nuk ndodh vetëm në Shqipëri, ndodh kudo, por në përgjithësi unë kam parë dhe kam vlerësuar që ju jeni treguar realistë, keni qenë pasqyruesit kryesorë të evenimenteve shumë të rëndësishme. Unë kam parë vetë nga afër se si keni punuar për t’u sinkronizuar me teknologjinë bashkëkohore. Keni qenë përçues të lajmit të drejtëpërdrejtë nga evenimentet më të rëndësishme të politikës shqiptare që kanë të bëjnë me fatet e Shqipërisë, të integrimit në NATO, të evenimenteve të caktuara, të evenimenteve të tjera që keni bërë të mundur t’ia përçoni publikut dhe publiku ju ndjek me shumë vëmendje. Keni përcjellë në transmetim të pafund të gjithë situatën e zgjedhjeve në Shqipëri, keni bërë komente, keni bërë analiza dhe keni plotësuar një moment shumë të rëndësishëm. Jo gjithmonë në politikë ka kualitete për të përcjellë mesazhin politik në shoqëri. Fatmirësisht ju jeni komplimentarë në të gjithë diskurin politik, në të gjithë debatet politike dhe na keni bërë të ndjehemi komod në marrjen e informacionit, keni bërë që njerëzit ta marrin informacionin me shumë dëshirë, dhe nuk më mbetet gjë tjetër që në këtë kompleksitet të vlerësimit për median, t’ju falenderoj për misionin tuaj, t’ju uroj një vit të mbarë! Një vit i mbarë qoftë për të gjithë shqiptarët dhe jam i bindur që të gjitha sfidat e rëndësishme politike që do të ketë Shqipëria në vitin 2010, ju jo vetëm do i përcillni, por do të jeni një suport shumë i fuqishëm për t’i dhënë një imazh gjithnjë e më të mirë Shqipërisë.

Edhe një herë urimet më të mira! Shëndet për ju dhe për familjet tuaja edhe qoftë një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›