E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e Presidentit Topi dhënë sot për BBC-në në Shkup.

12 maj 2009
Shkup

Presidenti i Republikës, Bamir Topi u intervistua nga korrespondenti i BBC-së në Shkup, Nazim Rashidi, sot, pas pjesëmarrjes në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe takimit të zhvilluar me të.

Më poshtë vijon intervista e plotë:

BBC: Si e vlerësoni mosprezencën këtu të homologut tuaj, Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu?

Presidenti Topi: Natyrisht me shumë keqardhje! Unë nuk mund të futem në ekskluzivitetin e të zotit të shtëpisë për të komentuar predispozicionin për ftesën. Duke e gjykuar shumë më gjerë, jo thjesht me ndjeshmërinë që ka Kryetari i Shtetit të Shqipërisë, por edhe me nevojën që ka rajoni për t'u njohur dhe ambientuar, pavarësisht nga pozicionet me një realitet të ri gjeopolitik. Aq më shumë kur shtetet respektive në rajon, me përjashtim të Serbisë, që nuk ka për ta njohur ndonjëherë dhe kjo është e kuptueshme, por të gjitha shtetet që e kanë njohur (Kosovën), duhet ta njohin edhe detyrimin për pjesëmarrje, jo vetëm në aspekte ceremoniale, por mbi të gjitha në tavolina të rrumbullakta ku diskutohen jo thjesht çështje politike të rajonit, por diskutohet e ardhmja e rajonit, për çështje të bashkëpunimit ekonomik, të marrëdhënieve njerëzore.

Unë jam i bindur që ky rast patjetër do të nxjerrë edhe mësimet e veta, që lidershipi i Ballkanit, që mendoj është një lidership i ri i orientuar totalisht në familjen euroatlantike, do të dijë që me shumë moderacion dhe shumë predispozicion, që të jetë në tavolinë me përfaqësuesit e të gjitha shteteve ç'ka do të thotë edhe me shtetin më të ri të Kosovës. Të jeni i sigurt se kam qenë vazhdimisht në kontakt me Presidentin Sejdiu, sikurse jemi vazhdimisht, kam komunikuar me të edhe brenda harkut kohor të këtyre ditëve, por dhe disa minuta më parë para se të vij në këtë takim. Patjetër ka qenë edhe mirëkuptimi i tij që kjo çështje të shprehet për të ardhmen e tavolinave të vendeve të Ballkanit.

BBC: A do t’ia shprehni këto konstatime autoriteteve këtu, çfarë mesazhesh do dërgoni në emër të Presidentit Sejdiu?

Presidenti Topi: Unë natyrisht flas në emër të shtetit shqiptar. Patjetër që jo thjesht në politikë, por në natyrën time dhe në natyrën e institucionit që përfaqësoj, unë nuk jam shumë konfidencial në dhënien e mesazheve. Mesazhet kanë vlerë kur jepen publikisht. Jam i drejtëpërdrejtë dhe do t'i jap këto mesazhe në të mirë të situatës në rajon, por edhe rolin e rëndësishëm moderator që ka Shqipëria në këtë rajon.

BBC: Zoti Topi nga organizata studentore pati thirje që ju të mos merrni pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Gjithashtu një parti shqiptare, PDSH nuk mori pjesë në inaugurim. Si i shikoni këto çështje emocionale që shfaqen dhe nuk gjendet elegancë nga autoritetet e Maqedonisë, që ato të tejkalohen?

Presidenti Topi: Unë kam një mirëkuptim të plotë me studentët. Absolutisht. Studentët janë pjesa më eksplicite e shoqërisë, por jam i bindur që studentët duhet të mirëkuptojnë se politikat e shtetit shqiptar janë politika të afrimit dhe të rregullimit të gjërave nëpërmjet dialogut. Jam i bindur që studentët shqiptarë kur do të dëgjojnë mesazhin e Presidentit të Shqipërisë të thënë publikisht në interes të pjesëmarrjes dhe detyrimit të pjesëmarrjes së Kosovës në tavolinat formale, sigurisht do të qetësohen dhe do të krenohen për përfaqësimin dinjitoz të shtetit shqiptar.

BBC:Maqedonia ka tani një president të ri. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë vlerësuar gjithmonë si të mira, por mendoni se do të ketë një dinamikë të re, duke pasur parasysh edhe këto zhvillime të fundit që ju i artikuloni qartë?

Presidenti Topi: Unë besoj se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është në familjen euroatlantike, ç'ka do të thotë që ka një orientim të qartë, të të gjitha këtyre vendeve për të arritur standarde më të larta edhe të dialogut politik. Vendet tona duhet patjetër të rrisin nivelin e dialogut të shkëmbejnë marrëdhënie ekonomike, të ndërtojnë infrastruktura të përbashkëta sikurse është sistemi energjitik rajonal dhe mbi të gjitha të realizojmë lëvizjen e lirë të njerëzve, atë që ne aspirojmë duke u futur në Evropë. Besoj se marrëdhëniet do vijnë gjithmonë duke u përmirësuar dhe të njëjtin vullnet unë e ndjej edhe tek partnerët.

BBC: Ju falemnderit Zoti Topi!

Presidenti Topi: Edhe ju!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›