E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Presidentin e ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

12 maj 2009
Shkup

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, zhvilloi sot një takim me Presidentin e ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në Rezidencën e Presidentit të Republikës së Maqedonisë, në Shkup. Takimi mes dy krerëve u zhvillua menjëherë pas pjesëmarrjes së Presidentit Topi në ceremoninë solemne të marrjes së detyrës së Presidentit të ri Ivanov në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Presidenti Topi, duke shprehur kënaqësinë e këtij takimi të parë, uroi homologun e tij maqedonas me rastin e marrjen e detyrës së lartë, zgjedhjen në postin e Presidentit, si dhe siguroi për vazhdimësinë e takimeve e bashkëpunimit të ngushtë edhe në të ardhmen. Duke u ndalur në nivelin e lartë të dialogut politik midis dy vendeve tona, Presidenti Topi shprehu gatishmërinë për thellimin e tij, si në funksion të marrëdhënieve dypalëshe, shumëpalëshe e rajonale, nëpërmjet vazhdimësisë së praktikës së takimeve dhe vizitave të niveleve të larta.

Kreu i shtetit shqiptar përshëndeti me këtë rast organizimin e mirë të zgjedhjeve, si hap i rëndësishëm për stabilitetin e Maqedonisë, një garanci më shumë për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për perspektivën e saj evropiane e euroatlantike. Presidenti Topi vlerësoi të gjithë zgjedhësit maqedonas, edhe ata shqiptarë, për mënyrën dinjitoze në zhvillimin e procesit zgjedhor, si dhe kontributin e faktorëve politikë shqiptarë, të cilët me fushatën e tyre të qytetëruar i paraprinë normalitetit të zhvillimit të procesit të votimit, shenjë kjo e maturisë politike dhe e kapacitetit të tyre demokratik. Presidenti Topi vuri në pah se mesazhet tona për faktorin shqiptar në Maqedoni inkurajojnë në vazhdimësi bashkëpunimin, integrimin, angazhimin e veprimin institucional.

Gjithashtu, Kryetari i shtetit shqiptar shprehu vlerësime për bashkëpunimin shumë të mirë me palën maqedonase nё kuadёr tё angazhimit të pёrbashkёt pёr anёtarёsimin nё Bashkimin Evropian. Ndërsa, duke evidentuar ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e mbrojtjes dhe në përgjithësi në kuadër të përmbushjes së standardeve të Aleancës së NATO-s, Presidenti shqiptar shprehu besimin se shumë shpejt edhe Maqedonia do të mund t’i bashkohet vendeve të tjera të Kartës së Adriatikut, Shqipërisë dhe Kroacisë, për të vazhduar së bashku rrugën si anëtarë me të drejta të plota të Aleancës.

Nga ana e tij, Presidenti i ri maqedonas, Gjorgje Ivanov, pasi i uroi edhe një herë Presidentit Topi mirëseardhjen, e falenderoi Kryetarin e Shtetit për urimet e ngrohta. Takime të këtij niveli, u shpreh Presidenti maqedonas Ivanov, japin një mesazh dhe imazh të ri mbështetur mbi parime të përbashkëta mbi aspiratën tonë për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Presidenti Ivanov shprehu urimet për Presidentin Topi me rastin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO, duke nënvizuar gëzimin që “një vend fqinj si Shqipëria u bë anëtar i Aleancës së Atlantikut dhe do të jetë edhe avokati ynë dashamirës për në NATO”.

Në vijim të bisedës, Presidenti i ri i Maqedonisë vuri në dukje se shteti maqedonas do të ofrojë përvojën e tij si vend kandidat për në BE, për lëvizjen e lirë të njerëzve, që do të mundësojë rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe të shkëmbimeve tregtare. Duke u ndalur në zhvillimet e brendshme në Maqedoni, Presidenti Ivanov u shpreh se realiteti në Maqedoni tashmë ka ndryshuar dhe shqiptarët janë bërë pjesë e vendimmarrjes politike.

Dy Presidentët folën gjithashtu edhe për Kosovën, realitetin e ri gjeopolitik në rajonin ballkanik, si dhe nevojën e pranisë së saj në tryeza dhe nisma rajonale dhe projekte të përbashkëta ekonomike, duke vlerësuar edhe rolin moderator të faktorit shqiptar në rajonin tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›