E Diel, 1 Nëntor 2026

Intralot: Në Maltë paguam 39 milionë euro për Lotarinë Kombëtare, Shqipëria e shet vetëm 3 milionë

Share

Drejtori i zhvillimit të biznesit në kompaninë Intralot, Harris Dotsis, në një intervistë telefonike për Top Channel hedh dyshime të forta mbi tenderin për licencën e llotarisë kombëtare.

Zoti Dotsis shpjegon arsyet se përse kriteret që qeveria shqiptare po përdor në tender janë përjashtuese dhe po çojnë drejt një rezultati tashmë të ditur.

Para së gjithash, më lejoni të them se operojmë në më shumë se 50 shtete dhe në shumicën e këtyre vendeve kërkohet licencë për lotaritë kombëtare, ashtu siç po kërkohet edhe në Shqipëri. Ne kemi licencë për lotari kombëtare në disa vende, si në Afrikën e Jugut, në Australi, në Maltë, etj, etj. Por, ju siguroj që në asnjë nga këto vende nuk kemi parë tender me kritere të tilla si këto që janë vendosur në Shqipëri. Këto kritere na skualifikojnë jo vetëm ne, por gjithë kompanitë më të mëdha që kanë eksperiencë ndërkombëtare në këtë fushë. Për shkak të këtyre kritereve, unë mund tiu siguroj që ky tender do të jetë me një konkurrencë ekstremisht të kufizuar, deklaroi Dotsis.

Dyshime të forta ka edhe për çmimin e shitjes së licencës. Qeveria shqiptare nuk e ka vendosur çmimin si një nga kriteret konkurruese në tender, por e ka paracaktuar atë të fiksuar. Pra, sipas zotit Dotsis, qeveria nuk kërkon të përfitojë nga oferta më e lartë që vjen nga një konkurrencë e gjerë.

Nëse autoritetet do të kishin përfshire tarifën e licencës në kriteret e tenderit, sigurisht që çmimi do të rritej pasi kompanitë konkurrente do të garonin me njëra-tjetrën. Mënyra më e mirë për të sqaruar është tiu jap një shembull. Ne sapo fituam një tender për licencën e lotarisë kombëtare të Maltës. Çmimi me të cilin e fituam ishte 39 milionë euro. Qeveria shqiptare e ka paracaktuar çmimin 500 milion lekë shqiptare, që në mos gaboj është tre milionë e gjysëm euro. Pra bëjini vetë llogaritë sa është popullsia e Maltës dhe se sa është ajo e Shqipërisë, krahasoni çmimin dhe do ta keni të qartë atë se çfarë po ndodh, shtoi drejtori i Intralot.

Në datën 15 qershor, drejtori ekzekutiv i kompanisë i ka nisur një letër zyrtare kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku denonconte procedurat që po ndiqte qeveria, duke kërkuar edhe pezullimin e tenderit dhe shtyrjen e tij.

Ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga qeveria juaj për letrën dhe ankesat tona. Të pakten deri më tani jo. Tashmë është e qartë që ne nuk do të marrim pjesë, se ashtu si kompanitë e tjera të mëdha në këtë fushë jemi skualifikuar nga kriteret që ka vendosur qeveria. Ne kërkuam pezullimin e procesit të paktën përkohësisht dhe me pas të zhvillohet një konsultim i gjerë publik për të riparë kriteret e tenderit, shtoi Dotsis.

Por, sa i kufizuar do të jetë numri i kompanive që do të marrin pjesë në tender?

Unë nuk e di sa kompani do të jenë tamam pjesëmarrëse, një apo dy. Ajo që unë di është se numri i tyre do të jetë shumë i kufizuar dhe ne presim një kompani specifike të fitojë sepse është e vetmja që përmbush kriteret, shtoi Dotsis, pa dashur të jepte emrin e kompanisë në fjalë.

Kriteret e dyshimta, të gjitha gjurmët të çojnë te vetëm një kompani

Qeveria shqiptare ka vendosur si kriter të detyrueshëm në tender disponimin nga kompanitë pjesëmarrëse të dy certifikatave.

E para është certifikata e lotarisë së përgjegjshme e nivelit të katërt dhe e dyta është certifikata e standardit të kontrollit të sigurisë. Të dy këto certifikata lëshohen nga Shoqata Botërore e Lotarive.

Këto certifikata disponohen kryesisht nga lotaritë kombëtare, të cilat janë kompani ose plotësisht publike ose në një pjesë të caktuar.

Për rrjedhojë ky kriter përjashton automatikisht nga tenderi të gjitha kompanitë private më të mëdha në botë me eksperiencë në fushën e lotarive.

Së dyti, për shkak se kanë natyrë publike lotaritë kombëtare që disponojnë këto licenca marrin shumë rrallë pjesë në tendera ndërkombëtare. Kjo kufizon në mënyrë të ndjeshme pjesëmarrjen në tender.

Afati i fundit i dorëzimit të ofertave për tenderin e lotarisë kombëtare është dita e mërkurë e datës 20 qershor, kur do të vijohet edhe me hapjen e tyre.

Por, me gjasë pritet që në tender të ketë një numër shumë të kufizuar kompanish dhe sipas konkurrentëve grekë të përjashtuar do të jenë vetëm vetëm dy kompani pjesëmarrëse, nga të cilat vetëm njëra pritet të përmbushë kriteret.

E ndërsa të ardhurat që do të arkëtoje shteti nga konkursi pritet të jenë të kufizuara, ajë që do të zbulohet nga tenderi është nëse fituesi do të jetë një kompani publike e një vendi të BE, siç e paralajmërojnë drejtuesit e Intralotit grek. /TCH


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›