E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taulant Balla kërkon informacion nga Bode për tenderin e Lotarisë Kombëtare

Share

Një ditë para se Ministria e Financave të mbyllë pranimin e ofertave për tenderin e Lotarisë Kombëtare, procesi është veshur me hije dyshimi për paracaktimin e tij. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka dërguar një letër Ministrisë së Financave ku i kërkon informacion të detajuar lidhur me këtë tender, brenda 15 ditëve, raporton Vizion Plus. Në letrën e tij zoti Balla kërkon të dhëna lidhur me kriteret e përcaktuara në ligj për përzgjedhjen e fituesit si dhe pritshmërinë që do të ketë buxheti i shtetit nga kjo lotari. Kërkesa e Partisë Socialiste vjen ne një moment kur, një nga kompanitë që ka shfaqur interes për licencën e Lotarisë Kombëtare, grekja Intralot, i ka dërguar një letër ankese kryeministrit Berisha ashtu edhe Ministrit të Financave, Ridvan Bode. Në letrën e saj kompania jep informacione të detajuara, sipas të cilës kriteret që ka përcaktuar qeveria për firmën fituese nuk janë profesionale, por janë kushte që të paracaktojnë fituesin. Sipas Intralot, një sërë dokumentesh që kërkohen në këtë tender, mund të ofrohen nga një numër i limituar kompanish, duke përjashtuar një sërë firmash të tjera me eksperiencë në këtë fushe. Përfaqësuesit e Intralot vijojnë më tej argumentet në letrën e tyre duke shprehur se konkurrenca është e limituar dhe i kërkon qeverisë që të shtyjë afatin e tenderit duke riparë edhe një herë procedurat dhe kriteret. Sipas vendimit të qeverisë, data 20 qershor është edhe afati i fundit kur firmat e interesuara do të dorëzojnë ofertat e tyre pranë Ministrisë së Financave. Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Ministria e Financave lidhur me këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›