E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Perez: Shqipëria lehtësira fiskale për biznesin

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se temë e bisedimeve në takimin zyrtar mes dy Krerëve të Shteteve dhe delegacioneve respektive ishin marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe vullneti reciprok për t'i çuar përpara edhe në të ardhmen.

Në këtë drejtim Presidenti Topi vlerësoi si një moment të veçantë hapjen e Ambasadës së Izraelit në Shqipëri, e cila do të ofrojë mundësi të drejtpërdrejta për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve në sektorë me interes të ndërsjellët si dhe për forcimin e miqësisë historike dhe tradicionale mes dy popujve e vendeve tona. 

Presidenti Topi solli në vëmendje mundësitë e shumta dhe legjislacionin lehtësues tatimor që ofron Shqipëria, tashmë një anëtare e NATO-s dhe në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, duke vënë në dukje se burimet e shumta natyrore të vendit tonë mund të jenë me mjaft interes për investitorët izraelitë në fusha si agro-industria, infrastruktura, teknologjia e informacionit, bioteknologjia, kërkimi shkencor, turizmi, etj.

Nga ana e tij, Presidenti i Shtetit të Izraelit, Shimon Perez, pasi vlerësoi pjesëmarrjen për herë të dytë të Presidentit Topi në Konferencën e katërt Presidenciale në Jerusalem, vuri në dukje se Shqipëria është një vend mik dhe lidhjet tradicionale midis dy vendeve janë të vjetra e të konsoliduara, duke bërë që edhe marrëdhëniet bilaterale të jenë shumë të mira. Kreu i Shtetit të Izraelit theksoi se "roli i Presidentit Topi si simbol i bashkimit të popullit dhe kontributi i tij pozitiv e moderator për transformimin dhe arritjet e Shqipërisë janë për t’u admiruar dhe vlerësuar".

Presidenti Perez theksoi se Izraeli e vlerëson gjithashtu edhe mbështetjen që Shqipëria me politikën e saj të jashtme dhe qëndrimet e saj parimore i ka dhënë në kuadër të organizatave ndërkombëtare si edhe rolin e saj moderues dhe aktiv në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë. /Start/

                                                                                             2012-06-19 17:27
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›