Departamenti i Shtetit: Shqipëria është vend burimi për trafikun e qenieve njerëzore
Me një ceremoni në Departamentin e Shtetit, Sekretarja Hillary Rodham Clinton paraqiti të martën pasdite Raportin mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012. Raporti bën vlerësimin e përpjekjeve të qeverive kudo në botë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Në pjesën për Shqipërinë, raporti thotë se ajo është kryesisht një vend burimi ku burra, gra dhe fëmijë i nënshtrohen trafikimit për seks dhe punë të detyruar, duke përfshirë detyrimin e fëmijëve për të lypur. Në pjesën kushtuar Kosovës, raporti shprehet se vendi është burim, destinacion, dhe ndoshta vend tranzit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar. Raporti thotë se qeveria e Kosovës po bën përpjekje domethënëse për të përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por në të veçohet gjithashtu fakti se pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve qeveritarë, asnjë zyrtar nuk është dënuar për këtë vepër penale.
Viktimat shqiptare, thuhet në raport, janë objekt i kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit për seks në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe kudo në Evropën Perëndimore.
Shqipëria vazhdon të jetë vend i klasifikuar në shkallën e dytë përsa i përket trafikimit të qënieve njerëzore. Në klasifikimin e Departamanetit të Shtetit janë gjithsej katër shkallë, ku shkalla e parë përfshin vendet që i përmbahen plotësisht standardeve minimale për eliminimin e trafikut.
Autoritetet kanë raportuar se gjatë vitit në Shqipëri kanë gjetur viktima trafikimi nga Greqia dhe Ukraina. Fëmijët janë shfrytëzuar për seks komercial, lypje të detyruar dhe kriminalitet të detyruar, si vjedhje dhe shpërndarje droge. Edhe vajzat i janë nënshtruar prostitucionit ose punës së detyruar pas martesave me detyrim. Ka prova, thuhet në raport, se burra shqiptarë i janë nënshtruar punës së detyruar në bujqësi në Greqi dhe në vende të tjera fqinje.
Qeveria e Shqipërisë, thotë raporti, nuk u është përmbajtur plotësisht me standardet minimale për eliminimin e trafikut. Megjithatë ajo po bën përpjekje të rëndësishme për këtë qëllim. Gjatë vitit, qeveria shtoi aftësitë për të identifikuar viktimat e trafikimit si dhe përdori programin për mbrojtjen e dëshmitarëve për të mbrojtur një viktimë trafikimi.
Raporti rekomandon që Shqipëria të verë në zbatim procedura të reja standarde për identifikimin e viktimave si dhe të shtojë fondet për organizatat joqeveritare që merren me ndihmën për viktimat.
Ai rekomandon gjithashtu që të merren masa për vazhdimin e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe të hetojë në mënyrë aktive rreth zyrtarëve që mund të kenë gisht në trafikimin e qenieve njerëzore./VOA