Intuitë dhe instinkt

Një detektiv model: i ndjeshëm, nuhatës, inteligjent, mendërisht i ndritur që luftoi krimin në vitin 1891 në Angli. "Sherlock Holmes" i Guy Rithcie-it, premierë në "Millenium" pas 26 shkurtit
Në kinema "Millenium" u projektua dje për mediat filmi thriller aksion, "Sherlock Holmes" i regjisorit anglez Guy Ritchie. Dy muaj, pas shfaqjes në kinematë e Amerikës dhe Anglisë, dhjetor 2009, "Sherlock Holmes" vjen në Shqipëri, dhe po këtë muaj konkurron në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Fantastik në Yabari, Japoni (Yubari International Fantastic Film Festival).
"Sherlock Holmes" i Guy Ritchie-it, me skenar të katër autorëve, Michael Robert Johnson, Anthony Peckham, Simon Kinberg dhe Lionel Wigram, mbështetet në historinë që Arthur Conan Doyle ka krijuar për figurën e detektivit Sherlock Holmes, të fundit të '900-ës dhe fillimeve të shekullit XX, në Angli. Doyle-i e ka mbrujtur detektivin me një logjikë të shkëlqyer, me arsyetim të thellë, të mprehtë dhe i aftë të zgjidhë edhe çështje nga më të vështirat.
Guy Ritchie-i ka realizuar në filmin e tij po të njëjtin Sherlock Holmes. Misioni i tij është të zbulojë krime në Anglinë e '900-ës, të bjerë në gjurmët e çdo vrasësi, të zbulojë enigmat më të mëdha, të ndëshkojë vrasësit. Në këtë luftë, Holmes (në rol aktori Robert Downey i Riu) shihet përkrah mikut të tij Doktor John Watson (Jude Law).
Rithcie-i ka zgjedhur dy aktorë që nuk bëjnë pjesë në listën e emrave të bujshëm të kinemasë amerikane (Downey-i) dhe asaj angleze (Law). Dy rolet e tjera me peshë në film i takuan Rachel McAdams (Irene Adler), Mark Strong (Lordi Bllekud).
Qysh në krye, Sherlock Holmes dhe miku i tij duhet të ndalin kamën vrastare të Lordit Blackëood (në rol Mark Strong), i cili ka kryer pesë vrasje në seri dhe gëzon pushtet dhe Respekt në Parlamentin Anglez.
Sherlock-u dhe miku i tij arrijnë ta ndalojnë vrasjen e radhës në kohë dhe ta dërgojnë lordin në burg. Sulmin ndaj kundërshtarit, dedektivi e ka të projektuar në mendjen e tij, çdo lëvizje ekziston qartë në mendjen e tij dhe në fund të dyluftimit sulmi i tij realizohet saktësisht.
Janë goditje të llogaritura me një përpikmëri absolute, që fillojnë me "hutimin e kundërshtarit", "bllokimin", "trullosjen", "thyerjen e brinjve", "shtrembërimin e nofullës" së tij dhe marrin fund me goditjen vdekjeprurëse në diafragmë.
Lëvizja e shkathët e aktorit Robert Downey, është po kaq e mirëllogaritur në realizimin e Ritchie-it.
Fillimisht personazhi shpalos forcën fizike të tij, që nuk buron nga fiziku i fortë, muskujt e fryrë, por nga lëvizjet e menduara thellë, fryt i një logjike, që e kap në çark kundërshtarin. Tri muaj pas arrestimit, Blackwood-i kërkon një takim në burg me Holmes-in dhe e paralajmëron për tri vrasje që do të ndodhin pas vdekjes së tij. E njofton gjithashtu "të kalisë mendjen" dhe "të hapë horizontin".
Misteri që rrethon shumicën e ngjarjeve dhe nuk ka asnjë garanci si do të vijojnë, simbolet e fshehta dhe fjalët kyçe, e mbajnë në pezëm shikuesin. Holmes-i nuk është mbinjeri. Është një detektiv që ka intuitë, shkon pas saj, sheh atë që syri i të tjerëve e anashkalon dhe e vë inteligjencën e tij në funksion të çdo detaji, i përpëliten gjatë në kokë ide, dyshime, derisa arrin tek qartësia. Ritchie nuk ka krijuar një histori fund e krye misterioze.
Në çdo skenë ai zbulon diçka nga personazhet, në një moment u kthehet pas skenave dhe i bën të qarta ato, duke lejuar kështu që historia të rrjedhë dhe shikuesi ta ndjekë natyrshëm atë.
Tre muaj pasi Blackwood-it është varur nga policia e Londrës, varri i tij është shkatërruar dhe trupi i tij është lëvizur prej vendit. Këtu fillojnë historitë që rrëfejnë për pushtetin e magjisë, të përfolura edhe në Evropën e kësaj kohe. Në këtë moment, Holmes-it i duhet të vërë në punë aftësitë e tij, nuhatjen dhe ndjeshmërinë, të shkojë deri edhe në "Tempullin e Katër Urdhrave" dhe në shoqëritë e fshehta për të zbuluar rrënjët e krimit. Aty mes lordëve, në dhomën e parlamentit, ku mbahet mbërthyer pushteti i kohës.
Në këtë moment heroi ynë shpërfaq një tjetër dhunti, atë që lexon simbolet: secili prej tyre ka të bëjë me një vrasje. Personazhi më pranë tij është Watson-i, miku i tij, në shoqëritë e të cilit, publiku sheh Sherlock Holmes-in njeri, që ndodh të gabojë në përcaktimet e tij, që ndjen nevojën e konsultimit të mendimeve të tij, të mbështetet për veprimet që bën dhe të ndihmohet.
"Sherlok Holmes", duke filluar nga 26 shkurti shfaqet për publikun në kinemanë "Millenium". Jashtë skenave ku e ka vendosur, dhe ngjarjeve të veçanta, që i duhet të hetojë, me këtë film Ritchie-i ka krijuar modelin e një detektivi me tipare njerëzore që zotëron mjeshtërisht tri armë: nuhatjen, instinktin, intuitën. Ky film është një provë se bota, me problemet dhe zgjidhjet, komandohet nga fuqia mendore e njeriut.
Guy Ritches (1968), e ka nisur karrierën me filmin e shkurtër "The Hard Case" 1995. Është një regjisor që njihet për idetë e veçanta të filmave të tij. Është regjisor dhe skenarist i "Lock, Stock, and Tëo Smoking Barrels" (1998), "Snatch" (2000), "Swept away" (2002), "Revolver" (2005), "RocknRolla" (2008). Kontributin e tij vetëm si regjisor e ka dhënë "The hire: Star" (2001), "Suspect" (2007), dhe tek "Gamekeeper" (2010). Guy u martua me këngëtaren e suksesshme të muzikës Pop, Madonna në vitin 2000, dhe lindën djalin e tyre Roko. Ritchie dhe Madonna kanë interpretuar bashkë tek "Swept Away". Martesa e tyre zgjati 8 vjet.