Vajza me HIV, prindërit: Edukatorja përhapi panik

ELBASAN/ Familjarët e binjakeve 5-vjeçare kërkojnë të gjehet një zgjidhje për arsimimin e dy vajzave të tyre
ELBASAN - Edukatorja ishte ajo që informoi prindërit duke shkaktuar reagimin e tyre ndaj fëmijës së infektuar me virusin HIV. Kështu shprehen prindërit e dy binjakeve në qytezën e Belshit, teksa po përballen me shqetësimet për arsimin e fëmijëve të tyre.
Nëna e vajzës 5-vjeçare, Violeta Idrizi, thotë se e dinte që do të përballej me paragjykime dhe frikë, por nuk e priste se do të arrihej deri në refuzimin e vajzës në kopsht. Mjaft e shqetësuar ajo thotë se binjaket, njëra prej të cilave e infektuar me sëmundjen e sidës dhe që tani është rreth 5 vjeç e gjysmë, nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra.
Por edukatorja dhe prindërit e fëmijëve të tjerë e kanë refuzuar binjaken dhe shumë prej prindërve nuk i sjellin më në kopsht vogëlushët e tyre derisa vajza e vogël të largohet. Situata sipas Violetës është hasur edhe një vit më parë kur ajo ka tentuar t'i çojë në kopsht, por më e mprehtë është bërë tani pasi edukatorja, sipas saj, informoi prindërit duke sjellë edhe reagimin negativ të tyre.
Edhe pse për këtë rast është zhvilluar një takim me prindër me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shëndetit dhe të drejtorisë arsimore, prindërit nuk kanë rënë dakord që fëmijët e tyre të rrinë në një grup me vajzën me HIV. "Unë kam lexuar dhe e di që fëmijët nuk i largon dot njeri nga ambientet publike. Sidomos kur dihet si transmetohet kjo sëmundje.
Unë qëllimisht i lashë të rriteshin edhe pak dhe i çova këtë vit, por sërish u hap i njëjti problem. Nuk mund t'i ndaj vajzat, njërën ta mbaj e tjetrën ta çoj në kopsht. T'i njihet e drejta fëmijëve dhe të merret masë ndaj edukatores. Të gjendet një zgjidhje për fëmijët e mi", thotë Violeta.
Kur e pyesim se çfarë problemesh të tjera po has me fëmijën e saj, ajo thotë se e bija është shumë e ndjeshme dhe sa herë që një grip qarkullon, të parën që do të zërë është vajza e vogël, ndërsa ajo shkon në Tiranë ku bën kontrollin e fëmijës dhe merr medikamentet që e shoqërojnë jetën e vogëlushes së sëmurë.
Familja Idrizi e ka hedhur në gjyq Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa pret procedurat e zgjatura për të fituar të drejtën. Infektimi i foshnjës, atëherë 8-muajshe, u bë në vitin 2005 gjatë një trasfuzioni gjaku në pediatrikun e Elbasanit. Gjaku rezultoi i infektuar dhe për pasojë u infektua një fëmijë dhe një i moshuar. Në atë kohë famija akuzoi shtetin.
Babai: Faji, i edukatores
Xhimi Idrizi, i ati i binjakeve, thotë se tashmë nuk del dot jashtë në qytet pasi kjo situatë i ka bërë shumë keq. I kthyer nga Italia ai shpreht se e ka të pamundur t'i marrë në shtetin fqinj për shkak të dokumenteve dhe do t'i duhet të qëndrojë në Belsh, pasi ka humbur dhe punën. Mundësi të lëvizë drejt qyteteve nuk ka dhe situata për të është mjaft e vështirë. Mjaft i shqetësuar ai tregon se fëmijët kanë qenë fillimisht në kopsht, por më pas nga edukatorja që e dinte sëmundjen e vajzës janë njoftuar prindërit dhe ka ardhur refuzimi i tyre.
"Fëmijët e mi kanë mbi 4 muaj që shkojnë në kopsht me një edukatore zëvendësuese dhe vetëm me kthimin e edukatores që ka qenë pas lejes prindërit u alarmuan dhe kërkuan që vajza ime të largohet nga kopshti. Kërkoj vëmendjen e shtetit që të marrë masa për këtë rast pasi fëmijët e mi nuk mund të rrinë pa mësim. Nuk mund t'i ndaj dot binjaket, ato jetojnë në gjithçka bashkë dhe nuk rrinë dot pa njëra-tjetrën.
Pra, do të më mbeten të dyja pa kopsht e shkollë, - thotë Xhimim ndërsa vijon: - Shkova tek drejtori i shkollës i cili më dha letër që dy fëmijët e mi të pranohen në kopsht. Por nuk kaloi shumë dhe drejtori e ktheu mbrapsht duke thënë se do të gjente një zgjidhje tjetër.
Dërguam një letër në Drejtorinë Arsimore, por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. E kisha frikën se do të m'i refuzonin fëmijët si një vit më parë dhe kjo ndodhi jo në fillim, por tani, pas kthimit të edukatores së vjetër. Unë do t'i çoj fëmijët e mi në kopsht, të tjerët të bëjnë si të duan", përmbyll ai.
Takimi, kërkohet punonjës social për fëmijët
Një javë më parë është zhvilluar një takim me përfaqësues nga Shëndetësia, punonjës social dhe nga arsimi. Të gjithë prindërit kanë refuzuar që vajza me sidë të vazhdojë të mbetet në të njëjtin kopsht me fëmijët e tyre. Propozimet e tyre ishin nga më të ndryshmet, por askush nuk pranon që binjaket të vazhdojnë në të njëjtin grup.
Kur u ra dakord që nëna të shoqëronte fëmijët gjatë gjithë kohës, kjo zgjati vetëm dy ditë pasi, sipas nënës së vajzës, edukatorja i ka thënë të qëndronte vetëm dy ditë e jo më shumë. Edukatorja ka kërkuar një punonjës social që të kujdeset për fëmijët.
Në fund, pas këtij takimi është vendosur nga përfaqësuesit e ministrisë dhe të Shëndetit Publik që derisa të merret një vendim, nëna të shoqërojë dy binjaket në kopsht. Vendimi nuk ka mbërritur ende, ndërsa prindërit kanë reaguar duke mos dërguar fëmijët në kopsht. Kjo ka bërë që edukatoja të mos lejojë fëmijët në kopsht.
Prindërit: Edukatorja e re na tregoi për situatën
Nexhmije Pira është edhe gjyshja e një prej fëmijëve që shkojnë në kopsht në grupin ku ndodhet vajza e infektuar me virusin HIV. Ajo thotë se prindërit nuk e kanë ditur që vajza e sëmurë ishte në grupin e fëmijëve të tyre pasi në të kundërt do të kishin refuzuar qysh në fillim. Nexhmija thotë se kushtet e kopshtit nuk janë të përshtatshme që të qëndrojë një fëmijë me këtë virus. Ajo ka kërkuar që nëna ta shoqërojë vajzën, kusht që e kanë pranuar edhe prindër të tjerë, në të kundërt asnjë fëmijë nuk do të shkojë në kopsht.
"Edukatorja ishte zëvendësuese dhe nëna e dy vajzave i sillte në orën 9 dhe i merrte në orën 11:00 dhe ne nuk i shihnim. Kur erdhi edukatorja e re, e mësuam këtë. Vajzat janë për grupin e dytë, pasi ato janë 5 vjeç e gjysmë e jo 4 e gjysmë, por ndërkohë pasi një vit më parë edukatorja e atëhershme nuk i pranoi, atëherë i vunë në grupin e parë. Vjet ajo i solli një ditë dhe nuk i solli më.
Kurse sivjet i ktheu sërish në kopsht. Ne jemi të mendimit që vajzat të vijnë në kopsht, por t'i shoqërojë e ëma dhe të kujdeset ajo, pasi edukatorja ka 35 fëmijë dhe nuk mund të shikojë çdo gjë që ndodh. Ne jemi shumë dakord për këtë zgjidhje tjetër". E moshuara ngre edhe shqetësimin e godinës dhe dhomës ku qëndrojnë fëmijët. "Godina nga brenda është shumë e amortizuar.
Shumë fëmijë qëndrojnë në një klasë të vogël me një banjë të vetme. Ambjentet e kopshtit janë aq të këqija, sa është vërtet për t'u alarmuar. Të gjendet një zgjidhje dhe grupi i parë mund të ndërrojë klasën me grupin e dytë për një klasë më të madhe, ku ka më shumë hapësirë".
Tafani: Vajzat kanë të drejtë të arsimohen
Kryetari i bashkisë, Arif Tafani, i pyetur për këtë rast tha se ekziston një shqetësim nga ana e prindërve. Edhe kjo familje e këta fëmijë kanë të drejtat e tyre, por duhet gjetur një zgjidhje që të kënaqë të gjitha palët.
Sipas tij, Drejtoria Arsimore mund të përcaktojë një edukator special për vajzat duke qenë se problemi ka marrë të tilla përmasa. Fëmijët kanë të drejtë të arsimohen, por sipas prindërve frika dhe rreziku janë të përhershëm.
Ndërkohë, të pyetur përfaqësues të Drejtorisë Arsimore thanë se janë të njohur me këtë rast. Kanë zhvilluar një takim me prindërit, por fakt është se këta të fundit refuzojnë të sjellin fëmijët në kopsht prej këtij rasti. Edukatorja nuk ka asnjë faj për këtë situatë të krijuar.
Megjithëse janë bërë takime me prindërit dhe i është shpjeguar forma sesi merret sëmundja nga ana e specialistëve, sërish prindërit nuk kanë pranuar të sjellin të vegjlit. Një fenomen i tillë ndodhi disa kohë më parë edhe në një shkollë të kryeqytetit.