E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inva Mula, më 27 janar ngjitet në skenën teatrit Campoamor të Spanjës

Sopranoja shqiptare me famë botërore do të shfaqet më 27 janar para publikut të Asturias me një koncert recital, e shoqëruar vetëm nga Genc Tukiçi me piano. Ishte parashikuar që Mula të interpretonte rolin e Mimit në operën La Boheme të Puçinit që në muajin tetor të vitit 2008, por përplasja e datave të programit, bëri që sopranoja e njohur shqiptare të shtynte koncertin në Spanjë. Rikthimi i saj në skenën e teatrit Campoamor është pritur me entuziazëm

nga publiku dhe mediat spanjolle. Sopranoja Inva Mula ka zgjedhur që në këtë recital të shumëpritur për dashamirësit e saj në Spanjë të shoqërohet nga një tjetër shqiptar, pianisti Genc Tukiçi. Repertori me të cilin ajo do të bëjë për vete publikun e Asturias, pritet të përfshijë edhe disa arie nga Mimi. Ndërkohë që disa kohë më parë kryeqyteti francez Parisi, ka çelur sezonin e ri operistik me operan Mireille të kompozitorit francez Charles Gounod. Opera që konsiderohet si një vepër shumë e vështirë për rolin kryesor, atë të Mireille, rol të cilin Nicolas Joel ia besoi Inva Mulës. Jam shumë i gëzuar nga Inva Mula, që është për mendimin tim e shkëlqyer në rolin e Mireille. Është një rol shumë i vështirë, shumë i rëndë, sepse është tepër i gjatë, kërkon realizime vokale të vështira dhe ajo ia arrin t'i bëjë të tëra, thotë Joel. Vetë Inva tregon se kjo është një vepër që nuk luajtur kurrë në Paris për 25 vjet, për shkak të vështirësive që paraqet. Po ashtu, për herë të parë në historinë e televizionit francez, kjo opera u transmetua direkt në mbrëmje në Francë 3.  Ndërkohë që Inva Mula është në qendër të aktualitetit edhe sepse Virgin Classics ka hedhur në treg diskun e saj të parë recital. Alain Lanceron, president i Virgin Classics dhe zëvendëspresident i EMI, mendon se disku do të jetë një sukses i vërtetë komercial: Sigurisht që shpresojmë shumë që ky disk të jetë një sukses i vërtetë komercial, jo vetëm në Francë, por në mbarë botën dhe ne do të punojmë për këtë. Reputacioni i Invës i ka kaluar me kohë kufijtë dhe ndaj mendoj se ky disk nuk është i rezervuar vetëm për publikun francez, ai do të gjejë një jehonë të gjerë në mbarë botën, thotë Lanceron. Një jetë në skenë e nisur me emocionet e para, kur këndoi për herë të parë në Festivalin Kombëtar të Fëmijëve në Shkodër. Pikërisht sopranoja, që vite më pas do të interpretonte përkrah të madhit tenorit spanjoll, Plaçido Domingo, apo edhe me tenorin e njohur grek, Mario Franguli, e shumë emra të tjerë sot është pa dyshim një nga talentet e skenës operistike. Shfaqja e Invës në çdo skenë provokon menjëherë duartrokitje. Sopranoja shqiptare, që nuk rresht së kënduari në skenat më të mëdha të botës, nga Parisi në Barcelonë, nga Nju Jorku në Milano nuk i harron emocionet që i dha skena shqiptare. Për interpretimin e parë në skenën e festivalit Inva Mula është shprehur: Kur më erdhi radha për të kënduar, çdo gjë mu errësua dhe nuk ngjitesha dot në skenë. Për një fëmijë ndoshta ishte një lojë, por për një artiste të ardhshme ishte guri i parë i një karriere të pakthim mbrapa. Që nga ajo kohë dhe deri tani sopranoja shqiptare ka rezultuar e suksesshme në çdo skenë ku ajo ka kënduar.

Last Updated on E Merkure, 13 Janar 2010 22:34

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›