Drejt një arkitekture

Tirana është rritur dhe dendësuar, hapësirat e gjelbra dhe të lira po tkurren. Atëherë ku është Tirana?
Pesë arkitektë të rinj propozojnë ide që rizbulojnë të vjetrën dhe disiplinojnë revanshin. Një dialog objektiv për arkitekturën pa dënuar dhe lavdëruar, duke kritikuar mungesën e një zhvillimi koherent të qytetit
Pesë arkitektë të rinj shqiptarë ndajnë përvojën e parë me publikun me projekte që i kushtohen Tiranës. Ata pyesin "Ku është Tirana?", titull i ekspozitës që është hapur në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe i përgjigjen me propozimet e tyre hipotetike, sepse asnjë prej projekteve nuk i përket ndonjë plani zbatimi.
Si mendohet Stacioni i Trenit, Sheshi Skënderbe, pika të tjera afër qendrës kryesore apo ndërtimet në periferi të Tiranës?
Janë disa çështje arkitekturore që paraqiten si zgjidhje nga këta pesë të rinj, Skënder Luarasi, Gjergji Bakallbashi, Armand Vokshi, Enida Mitro dhe Egest Gjinali, të cilët jetojnë ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve ku janë diplomuar, Amerikë, Austri, Itali, Zvicër. Propozimet e tyre janë vetiu edhe një qëndrim kritik ndaj politikës që ndiqet me qytetin dhe vendet ku jetojmë.
Ndonjë prej tyre tha se vjen në Shqipëri me dëshirë të madhe për të bërë diçka dhe ikën prej këtej me dëshpërim po aq të madh. Një tjetër e shikon situatën më me dritë dhe beson se "ekziston një rrjet informacioni, një fluks i madh mendimesh dhe përpjekjesh që hyjnë në Shqipëri dhe dalin nga Shqipëria".
Të tjerë të intervistuar janë kthyer dhe shpresojnë që të japin kontributin e tyre sado pak të jetë e mundur.Ky brez tridhjetëvjçarësh që janë formuar jashtë Shqipërisë, për herë të parë bëhen iniciatorë të një dialogu objektiv për arkitekturën, siç thonë ata "pa dënuar dhe lavdëruar" ndokënd, por kritikojnë mungesën e një zhvillimi koherent të qytetit.
Kënaqësia me të zakonshmen
Gjergji Bakallbashi ka bërë një kërkim dyvjçar për idetë që propozon për Tiranën në tre drejtime: për riciklimin e vilave rezidenciale, për përshtatjen e disa ndërtesave si për shembull Zyrat Qendrore të KESH-it, dhe për nënvizimin e disa të tjerave (p.sh tenda mbuluese për hyrjen e Hotel Tiranës). Bakallbashi, kurator i kësaj ekspozite, ka studiuar arkitekturë, në Universitetin e Maryland-it dhe në Harvard University, Graduate School of Design. Aktualisht ka hapur në Tiranë VIZA Arkitekts.
Propozimet e tua duken modeste dhe nuk merren me ndërtime të reja.
Kjo që propozoj nga një anë ka të bëjë me atë që është e mirë për imagjinatën, nga ato gjërat që e tërheqin fëmijën, janë këto kthinat e vogla, gjërat e papritura. Mund ta quash një dëshirë shumë naïve, por është nga ato gjëra që të bën të duash një vend, sepse ka diçka që është e veta dhe nuk është komplet e formatuar si hapësirë.
Pavarësisht se këto janë projekte hipotetike, a mund të ndërhyhet në ndërtesat 2 dhe 3-katëshe dhe në cilat zona në Tiranë?
Ka, patjetër dhe zonat nuk janë pak, duhet studiuar terreni. Mjafton që të kesh një lloj syri vëzhgues dhe ta vlerësosh atë që duket "hapësirë e hedhur". Gjen diçka për të cilën njerëzit thonë kjo duhet hequr, duhet zhdukur dhe të gjesh një mënyrë që t'i japësh vlerë. Këtë bën procesi i riciklimit.
Ajo shtëpia private e ulët që shohim që ti e propozon si objekt për riciklim, ku ndodhet?
Ndodhet mbrapa bulevardit qendror. Është shumë afër nesh dhe është një gjë që ndryshon shumë nga pallatet ngjitur me njëri-tjetrin. Janë aspekte të ndryshme ose shtresa të ndryshme të historisë që qytetit që rrinë pranë njëra-tjetrës dhe formojnë këto hapësira.
Bën përshtypje që ti i jep rëndësi "rizbulimit" të vendit ku jetojmë.
Është pothuajse një lloj të kënaquri me të zakonshmen, thjesht t'i shtosh diçka e cila e bën tërheqëse, edhe pa shpenzuar shumë.
"Korrigjimi" nëpërmjet nënvizimit tek ato ndërtesa ku periudha të ndryshme të historisë nuk bashkëjetojnë drejt. Ku është më i dukshëm ky problem?
Më duket aty ku hiqet e vjetra pa marrë fare parasysh diçka më të re. Kjo ndodh gjithmonë. Ndërtimi i qyteteve është një proces violent. Duhet pasur parasysh edhe se si propozohet e reja.
Në këto 20 vitet e fundit ku është gabuar me Tiranën?
Tronditës është fakti që ndërtimet fillojnë e mbulojnë terrenin rreth e përqark, amfiteatrin natyral i cili është aq shumë pjesë e qytetit. Vetë qyteti mund të konfigurohej duke e marrë parasysh. E vështirë ta bësh këtë kur ka kërkesa aq të forta për densitet dhe për të ndërtuar lart.
Ndërhyrja në ish Komitetin Qendror
Enida Mitro është marrë me studimin e një ndërtese historike si ish Komiteti Qendror duke marrë shkas nga konkursi për ndërtimin e një kompleksi të ri parlamentar. Ajo propozon një ndërhyje radikale që merr parasysh marrëdhënien e një ndërtese të vjetër me të renë.
Ky projekt hipotetik është puna e saj e diplomës për Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Vjenës. Enida ka kryer studimet për arkitekturë, universitare dhe master, në Grac dhe Vjenë ku jeton dhe punon.
Pse një ndërtesë me shumë histori si ish Komiteti Qendror?
Ishte e rëndësishme pas kaq vitesh studimi në Austri të bëja një projekt në lidhje me Tiranën, sepse është qyteti im. Ishte momenti kur zhvillohej ky konkurs.
Tema ishte aktuale. Ishte mundësia për të përdorur një ndërtesë ekzistuese që vinte nga e kaluara e errët, e cila do të ishte një ndërtesë për demokracinë. Të gjithë e mbajnë mend si ish Komiteti Qendror, e ndërtuar më 1954, nga një grup arkitektësh shqiptarë, me një stil neoklasicist për ta harmonizuar me ndërtesat e ministrive.
Ndodhemi në Tiranë, ku çdo hapësirë bosh po mbushet. Nuk do doja një ndërtesë të re, por më intrigonte lidhja e dy historive shumë ndryshme. Një nga problemet është se kjo ndërtesë është e vendosur në vijën e trotuarit dhe nuk ka asnjë hapësirë kalimtare.
Duke pasur parasysh funksionin e një ndërtese të tillë, ajo duhej të kishte hapësirën për njerëzit, në fakt e ka, por është në pjesën e mbrapme. Mundësia e vetme ishte që kjo hapësirë të lidhej me aksin e bulevardit duke larguar pjesën ballore të fasadës.
Është një ndërhyrje shumë radikale e fortë, por që krijon një hapësirë në këtë aks, ndryshon ritmin e ndërtesës sepse kthehet në dy fasada. Është ndërhyrje në një kontekst historik që na bën ta shohim të vjetrën me një sy tjetër.
Si është pritur ideja jote?
Në Fakultetin e Vjenës, d.m.th në një kontekst krejt tjetër nga ai i Tiranës, ku të punosh mbi ekzistuesen është e përditshmja e arkitektit sepse nuk ka më hapësira të lira, projekti është pritur mirë dhe u pa si një gjë e guximshme, një ndërtesë që funksionon mirë që sjell një hapësirë për njerëzit. Ndërsa në Shqipëri, kjo ndërtesë, e vetmja e këtij lloji në atë aks, e vetmja e ndërtuar në atë kohë, është e vështirë ta pranosh këtë ndërhyrje kaq të fortë.
Arkitektura në Shqipëri sikur nuk ka lidhje me njerëzit. Si mund të sillet në qendër të vëmendjes dhe debatit?
Në zanafillë të këtij problemi unë shoh mungesën e debatit ndërmjet arkitektëve, të diskutohet profesionalisht për arkitekturën. Sa për qytetarët, megjithëse të gjithë janë të pakënaqur, prapë se prapë ndodh.
Kjo është absurde, gjëja më e keqe. Nga kultura e të ndërtuarit në Austri di që ka debate ku thirren njerëzit, bëhen referendume: të ndërtohet apo jo, të pyesim popullin, por debate profesional është i kudondodhshëm.
Arkitektët janë të parët që shkruajnë, që thërrasin, që mblidhen, që kundërshtojnë. Në qoftë se politika është kundra, arkitektët ngrihen dhe thonë arsyet e tyre. Arkitektët duhet të mendojnë për njerëzit. Të ndërtuarit është për njerëzit.
Çfarë nuk shkon në ndërtimin e Tiranës në këto 20 vite?
Problemi kryesor është mungesa e një planifikimi urban në shkallë të gjerë. Patëm një plan francez rregullimi për Tiranën, por që erdhi përpara disa vitesh, ndërkohë që kishte filluar dëmtimi i rëndë.
Mungesa e këtij rregulli të cilit të gjithë duhet t'i përmbahen, është kryesorja, ajo shkakton kaosin, pakënaqësinë, ajo i lejon ndërtuesit që të ndërtojnë shpejt, thjesht për fitim dhe të mos u japin njerëzve atë për të cilën vërtet kanë nevojë.
Çfarë për di për gjendjen e sistemit universitar ku formohen arkitektë?
Vë re se ka një tendencë drejt edukimit të shpejtë të të rinjve dhe të të moskuptuarit të arkitekturës si një shkencë ose si diçka që është shumë komplekse dhe e vështirë.
Duhet të jesh shumë modest, d.m.th nuk është ajo që bën ti më e mira, por ideja që mund të bëhet shpejt, më pak llogari dhe pak mundim. Për ma kjo nuk është arkitekturë, është thjesht të ndërtosh. Të ndërtosh dhe të bësh arkitekturë janë dy gjëra të ndryshme. Kjo nuk i edukohet brezit të ri.
Follie për Tiranën e pakapshme
Skënder Luarasi ka bërë disa investigime arkitektonike që i ka paraqitur në ekspozitën e arkitekturës për Tiranën. Njëri prej tyre hamendësohet para Bibliotekës Kombëtare, tjetri në fshatin Ibë.
Autorin e shqetëson mungesa e vëmendjes ndaj periferive të kryeqytetit. Luarasi ka kryer studimet për arkitekturë në Wentworth Institute of Technology, dhe në Massachusetts Institute of Technology në Boston. Është asistent profesor në Shkollën e Arkitekturës së Universitetit të Massachusetts.
Çfarë paraqet objekti i parë që duket se ju ka angazhuar më shumë?
Këtu është një seminar që kam zhvilluar në Universitetin UFO, në vitin e tretë arkitekturë në verën e 2008-ës.
Më poshtë janë dy projektet e mia. Objekti i parë është i tipit follie që nga anglishtja dhe frëngjishtja, do të thotë paksa i krisur. Quhet ashtu sepse ka një program minimal por kjo kompensohet me një intensitet të formës. Pra dhe projekti im dhe projekti i studentëve hyn në këtë kategori.
Këtu jemi përballë Bibliotekës Kombëtare.
Faktikisht follie-të ndërtohen në parqe. Është një tipologji e vjetër, rreth 300-400 vjet e vjetër. Zakonisht vihen në parqe, intensifikojnë fluksin e njerëzve dhe nuk janë plotësisht objekte tipike arkitektonike.
Përse mendon se këtu rri një ndërtesë e tillë?
Këtë vend ua dhashë unë studentëve. Është një vend strategjik sepse ka fluks njerëzish në të dyja drejtimet. Lidhet dhe me anën historike, këtu ka qenë një ëmbëltore, një librari, kohë përpara, më kanë thënë prindërit, sepse unë nuk i mbajt mend. Faktikisht programi parashikon pikërisht një ëmbëltore, një librari dhe një kafe.
Ndryshe nga gjithë projektet e tjera, ti propozon arkitekturë në periferi, në zonën e virgjër të një fshati në Tiranë.
Tirana nuk është më këtu ku jemi ne. Edhe periferinë edhe zonën rurale mund ta konsiderojmë si Tiranë.
Ky objekt është një hotel në Ibë, rreth 20-30 minuta larg me makinë nga Tirana. Është një hotel i vogël me 15 dhoma dhe mundohet të lidhet me kontekstin. Është mjaft i ulët si objekt, 5m i lartë. Mundohet që mos ta dominojë terrenin.
Konkurset e arkitekturës për Tiranën, çfarë i kanë sjell asaj?
Në Tiranë kanë ndodhur shumë ndërtime. Shumica janë ndërtime që kanë të bëjnë me aktivitetin ekonomik të zhvillimit të Shqipërisë, me kërkesat për strehim. Projektet e konkurseve kanë pasur qëllim ofrimin e një imazhi kontemporan të Tiranës.
Është një lloj tjetër objektesh ku nuk ka rëndësi vetëm ana funksionale por është një imazh për Tiranën. Por unë do thosha se po aq të rëndësishme janë edhe pjesët e tjera. Zona jashtë Tiranës do ishte mirë të studiohej, zhvillimi i infrastrukturës, i urbanistikës, i imazhit.
Çfarë ka ndodhur në këto 20 vite?
Shkalla arkitektonike është shumëzuar me një numër shumë të madh, d.m.th brezi i ri nuk mund ta kuptojë shkallën e mëparshme. Ka qenë një shkallë shumë e vogël me pallate 5 katësh maksimumi.
Duhet thënë që kjo shkallë duhet të përputhet dhe me zhvillimet infrastrukturale që i përgjigjen kësaj shkalle, si p.sh ndërtesave të larta, hapësirës ndërmjet tyre. Është një tjetër qytet në krahasim me 20 vjet përpara ku kriteret e zhvillimit kanë ndryshuar.
Sheshi Skënderbe në të bardhën e shenjtë
Armand Vokshi propozon zgjidhje për hapësirën më tunduese dhe njëherësh më të frikshme për guximin profesional që kërkon. Pika më e fortë e idesë së tij qëndron tek elementët e mesdhetarë dhe tek ngjyra e bardhë që e quan "të shenjtë" sepse ajo do të lidhte në një arkitekturat e tjera të sheshit.
Me temën "Rikualifikimi i Sheshit Skënderbej" ai ka mbrojtur diplomën në Shkollën e Arkitekturës në Firence. Pas përvojës së punës në mësimdhënie në këtë qytet, ai vjen dhe punon në Tiranë.
Ti i quan arrogante ndërhyrjet që janë bërë gjithmonë në shesh.
Sepse është një arkitekturë që nuk lidhet fare me pjesën tjetër të Sheshit Skënderbej që është një nga më kompleksët e Shqipërisë.
Aty paraqitet historia e saj e përkthyer në arkitekturë, duke filluar nga xhamia deri tek ndërtesat e realizmit socialist. Gjithmonë është ndërhyrë në mënyrë arrogante dhe nuk është marrë parasysh konteksti. Në një shesh ti ndihesh brenda një ndërtese ku mungon vetëm çatia. Në Sheshin Skënderbej këtë sensacion nuk e ke.
Kjo për sa i përket anës urbanistike. Nëse do të ndërtohej, ndërhyrja duhet të jetë në lidhje me ndërtesat që janë aty, që janë të ndryshme njëra nga tjetra, të gjitha arrogante njëra karshi tjetrës. Një ndërtesë tjetër moderne do të ishte po aq arrogante sa të tjerat.
Dhe propozon një arkitekturë mesdhetare...
... që lidh pak a shumë gjithë ndërtesat që janë aty. Është një ndërtesë shumë e thjeshtë që rimerr vijat e indit urban.
Mund të tregosh një tipar thelbësor të kësaj arkitekture që do t'i lidhte gjithë të tjerat?
E bardha. Kemi parasysh gjithë shtëpitë me qerpiç tiranase. Në vitet 20, babai i arkitekturës moderne Le Corbusier, një nga parametrat që ai përdori në arkitekturën e vet ishte e bardha mesdhetare, të cilën e mori nga udhëtimet e famshme që bëri në vendet mesdhetare.
I ke ndjekur konkurset e arkitekturës për qendrën e Tiranës?
Në fakt projekti im është bërë përpara konkursit të famshëm për Sheshin Skënderbej, në vitin 2004-2005. Ndërhyrjet që mund të bëhen në shesh, do kenë gjithmonë një të keqe nga mbrapa, sepse sheshi ka marrë disa grushta në periudha të ndryshme dhe është deformuar.
Kështu që duhet marrë zgjidhja që ka problemet më të vogla.
Projekti aktual, për shkak të fondeve të pakta ndoshta e lë sheshin ashtu siç është. Nuk ka një ndërhyrje të fortë.
Unë i kam parë të gjitha projektet e tjera, përvç asaj kulle mbi bulevard që është totalisht e kritikueshme, pjesa tjetër e lë sheshin të pacenuar. Ndoshta kjo është një e mirë, sepse më vonë mund të bëhen të tjera konkurse për rivlerësimin e sheshit.
Ku janë bërë gabimet më të mëdha gjatë tranzicionit?
Në Shqipëri shihen ca mutacione që rrallë të bie t'i shohësh tjetërkund. Në vitet nëntëdhjetë njerëzit ishin të lodhur nga arkitektura racionale, nga arkitektura gri dhe u rebeluan. Arkitektët shqiptarë filluan të nxjerrin forma të tjera, ndryshe nga të vjetrat, por shpesh duke bërë sinteza të gabuara.
Pastaj ndodhi implementimi i ngjyrave të forta, humbi kështu tradita e të bardhës mesdhetare. Tani jemi të lodhur me të gjitha dhe duhet të fillojmë një epokë të re të gjithë bashkë dhe të mendojmë për të gjetur rrugën e duhur.
Plug in Stacioni i Trenit
Egest Gjinali, mungoi në prezantimin e së dielës, duhet përgëzuar që objekt të studimit të tij ka marrë më të nëpërkëmburin e objekteve në Tiranë: Stacionin e Trenit, simbol i tranzicionit të thellë e ka quajtur një kineast i ri.
Projekti i tij merr parasysh lidhje të shpejta Tiranë-Durrës, po edhe një linjë urbane tramway e cila nis nga korpusi universitar që kalon përgjatë Bulevardit, ndalet në gjithë qendrat midis Tiranës dhe Durrësit. Stacionin e Tiranës ai e sheh si nyje lidhëse midis linjës së tramway-it, trenave të shpejtë, autobusëve urbanë dhe interurbanë.
"Ndërtimi i kësaj nyje infrastrukture, do të jetë një rast për zhvillimin e urbanizimin e qytetit në pjesën veriore të tij. Vendi i stacionit ndodhet sot në vijën ndarëse midis qendrës urbane të Tiranës dhe zonave informale të saj.
Ai duhet të ketë rolin e një ndërtese konsoliduese dhe lidhëse midis këtyre zonave", shënon Egesti në tekstin me titull "Plag in Tirana" që shoqëron prezantimin e projektit në ekspozitë.
Ai shtron çështjen se si të ndërtohet një hapësirë publike kaq e nevojshme për qytetin, në kushtet e një Tirane e cila "nuk prodhon dot hapësirë për banoret e saj. Përgjigja për stacionin është që ai vetë të kthehet në një hapësirë gjysmëpublike me kafene, me tregje, me dyqane, me kopshte, biletari, midis të cilave vijnë e shkojnë trenat. Kjo besoj do të ishte më tepër efikase se sa një monument i mbyllur i cili gjithsesi do të mbytej nga kioskat, e informaliteti rreth e rrotull tij.
Treni është një investim ekonomik pa interes. Mirëmbajtja kushton më tepër sesa fitimi. Megjithatë është një investim shoqëror, është një lloj luksi që një komunitet i ofron vetvetes. Shtetet më sociale kanë dhe sistemin hekurudhor më të zhvilluar."
Gjeja më interesante që ka prodhuar Tirana e viteve të tranzicionit sipas Egestit janë ndërtesat hibride. "Mungesa e rregullave dhe nevoja për mbijetesë i ka dhënë jetë lloj-lloj shpikjeve. Një që unë e përmend shpesh është një "ngrehinë" që tregton mish saçi, zogj fshati dhe lavazho."
Këtë të ri e shqetëson fakti që nuk merret parasysh në studime lidhja e Tiranës me qytetet e tjera të Evropës, çka i duket një proces shumë i largët. Si më vizionarin e projekteve të fundit ai vçon idenë e një tram-treni që do të lidhë Tiranën e Durrësin si një zonë e vetme urbane.
Egesti Gjinali ka kryer studimet për arkitekturë në Shkollën e Lartë Politeknike në Lozanë, Zvicër dhe tani punon për "Studio 8" në Gjenevë.