Inva Mula uron me videoprojeksion nënën për 80-vjetorin e lindjes
Shumë urime e shumë buqeta me lule ka marrë në 80-vjetorin e lindjes sopranoja Nina Mula, në ceremoninë që u zhvillua dje në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Një ekspozitë fotografike për këngëtaren lirike, por dhe interpretimi i disa prej roleve të Nina Mulës ndër vite, si Rozinën te “Berberi i Sevilies”, 1958; Tatjanën tek “Eugen Onjegini”, 1961; Olimbinë te “Lulja e Kujtimit”, 1961; Suzanën te “Dasma e Figaros”, 1962 etj., nga solistët e TKOB-së, e kanë emocionuar ish-sopranon. Por surpriza më e bukur për të ka qenë momenti kur në një videoprojektor shfaqet vajza e saj, sopranoja Inva Mula, e cila nuk ka mundur të jetë e pranishme në ceremoninë festive që po zhvillonte TKOB, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së nënës së saj. Inva Mula mundi të ishte pranë nënës përmes kameras, kur ajo e uroi atë me anë të një video projeksioni në hollin e TKOB-së. Urimi përmes kameras i ka emocionuar shumë çiftin Avni dhe Nina Mula, që nuk i kanë përmbajtur lotët. Në këtë ceremoni Nina Mula ka patur gjithë kohës në krah bashkëshortim Avni Mula, por dhe shumë miq e kolege. Në 80-vjetorin e lindjes Artisja e Merituar Nina Mula ka marrë mesazhe urime edhe nga politika shqiptare.