Ambasadori i BE: Rritja e numrit të azilkërkuesve rrezikon heqjen e vizave
Ambasadori i Bashkimit Europian shpreh shqetësimin për rritjen e aplikimeve për azil nga shqiptarë që pretendojnë se kanë probleme me gjakmarrjen. “Situata është nën monitorim dhe do të pasqyrohet në raportin e Komisionit Europian. Forconi politikat frenuese”
Debutimi i suksesshëm i shqiptarëve në periudhën e parë pas liberalizimit të vizave i ka lënë vendin shqetësimit mbi rritjen e numrit të azilkërkuesve në vendet e BE-së. Gjakmarrja është motivi kryesor që ata paraqesin për të përfituar azil, e që për ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, do të verifikohet me kujdes, pasi dyshohet se ka raste me dokumente të falsifikuara. Gjatë një konference të mbajtur dje, ambasadori Sequi u ka bërë apel zyrtarëve dhe qytetarëve shqiptarë, duke kërkuar forcimin e politikave frenuese për azilkërkuesit, për të shmangur më pas penalitetet. “Numri i azilkërkuesve nga rajoni në BE është rritur dukshëm, ndërkohë që po monitorohet e gjithë situata dhe shifrat do t’i paraqiten KE-së në mbledhjen e dhjetorit, e cila do të marrë një vendim përfundimtar”, - tha ambasadori i BE-së, gjatë prezantimit të portalit të Bashkimit Europian. Ai shtoi se ky fenomen shqetësues do të pasqyrohet në një raport që Komisioni Europian po përgatit për Ballkanin Perëndimor, lidhur me liberalizimin e vizave. "Ne kemi parë një rritje të azilkërkuesve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Dhe kjo do të pasqyrohet në raportin që Komisioni Europian është duke përgatitur. Këto kërkesa rritën shqetësimin, pasi udhëtarët e këtyre shteteve duhet të përmbushin detyrimin e liberalizimit të vizave. Ajo që kërkojmë të bëjmë është forcimi i politikave të këtyre vendeve për të shmangur fenomenin", - theksoi Sequi gjatë këtij takimi. Sipas ambasadorit të Bashkimit Europian, janë propozuar disa garanci për azilkërkuesit që pretendojnë se janë në probleme gjakmarrjeje në Shqipëri, por edhe këto aplikime do të shihen në raport me detyrimet e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë. "Ne kemi propozuar disa garanci në lidhje me pretendimet e azilkërkuesve që largohen për gjakmarrje, por edhe disa sanksione të këtyre vendeve për liberalizimin e vizave. Ky propozim është akoma duke u diskutuar në Këshill", - bëri thirrje ambasadori i BE-së. Kreu i prezencës së BE-së në Tiranë nuk dha shifra të sakta të azilkërkuesve, ndërkohë që ka theksuar se shumë qytetarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shkelur rregullat e liberalizimit të vizave dhe se rrezikojnë deri edhe në prishjen e marrëveshjes së lëvizjes së lirë me Bashkimin Europian.