E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbështetja e bujqësisë, Sejko-bankave tregtare: Të rritet kreditimi. Malaj: 3 miliardë lekë garanci sovrane

Pavarësisht rolit jetik që ka bujqësia në ekonomin e vendit, sistemi bankar ende nuk po e shikon me sy prioritar kreditimin e këtij sektori.

Për këtë arsye, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u bëri thirrje bankave tregtare që të rrisin mbështetjen në këtë fushë.

“Nivelet aktuale të kreditimit për bujqësinë mbeten të ulëta. Kjo është një mangësi, e cila duhet korrektuar një orë e më parë, nëse synojmë të nxisim zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori jetik për ekonominë shqiptare. Të ndërgjegjshëm për këtë, Banka e Shqipërisë vendosi në fokus të Programit të saj të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël e të Mesëm, rritjen e kredisë për sektorin bujqësor. Ky program, pjesë e së cilit janë bërë të gjithë aktorët e sektorit bankar, ju ofron ju një bazë të sigurt e të qëndrueshme fondesh, me kosto të ulët, për kreditimin e projekteve të zhvillimit të sektorit bujqësor, duke përshirë edhe agroturizmin dhe industrinë agroushqimore.

Shkalla e ulët e kreditimit të sektorit bujqësor nuk duhet të shihet vetëm si dëshmi e problemeve që ekzistojnë në këtë proces, por dhe si tregues potencial i kthimit të lartë që mund të siguroni nga investimi në të. Për këtë arsye, ju ftoj t’i jepni bujqësisë vëmendjen dhe ekspertizën që meriton,” deklaroi guvernatori Sejko.

Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se për të nxitur kreditimin me kosto të ulët në bujqësi, qeveria ka bërë gati programin e garancisë sovrane prej 3 miliardë lekësh.

“Ne po hedhim hapin e radhës përmes miratimit të një skeme të re garancie sovrane, që për herë të parë do të mbështesë sektorin e bujqësisë me një fond prej 3 miliardë lekësh apo 30 milionë eurosh. E para do të garantojë deri në 70 për qind të vlerës së kredisë për fermerët dhe për SME-të [red. ndërmarrjet e vogla dhe të mesme] në sektorin bujqësor, do të ketë një normë të kufizuar prej 2 për qind, si dhe përdorimi i fondeve do të jetë ekskluzivisht për agropërpunimin, për rritjen e mekanikës bujqësore, për agroturizmin, peshkimin apo agrokulturën, si dhe për serrat moderne,” tha ministri Malaj.

Shuma e kredisë do të jetë deri në 25 milionë lekë për secilin aplikant me normë interesi jo më të lartë se 2 për qind.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›