E Diel, 1 Nëntor 2026

Investime në rrjetin energjetik në Durrës, Balluku: Humbjet në sistem 17%. Në 2013 ishin 45%

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizitoi sot nënstacionin elektrik “Tirana 2”, ku është realizuar një investim për rritjen e kapaciteteve transmetuese. Balluku theksoi se ky projekt garanton furnizim më të qëndrueshëm me energji për Durrësin dhe zonën jugperëndimore të vendit. Ajo nënvizoi se humbjet në rrjet janë ulur nga 45% në vitin 2013 në vetëm 17% sot, një nivel i krahasueshëm me vendet evropiane.

“Në vitin 2013v kur qeveria Rama mori punët për të drejtuar, në sistemin e shpërndarjes ishin 145 %. Por nga ana tjetër sot ne kemi arritur në 17% është bërë një punë kolosale, dhe 17% është një mesatare për të gjithë republikën. Pa harruar se kemi vende siç është rasti i kombinatit që kemi 4% humbje”, u shpreh Balluku.

Ministrja foli edhe për projektet ndërkufitare si linja interkonjeksion Fier–Bidola, ku 80% e punimeve janë përfunduar. Në plan është edhe ndërtimi i një linje nënujore energjetike që do të lidhë drejtpërdrejt Shqipërinë me Italinë, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara.

“Republika e Shqipërisë prej kohësh, përmes operatorit të transmetimit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është ulur në tryezën e negociatave me qeverinë italiane por edhe me kompaninë e operatorit të transmetimit italian për të diskutuar dhe me një partner të tretë që janë Emiratet e Bashkuara për të diskutuar ndërtimin e linjës nënujore që do të lidh Shqipërinë me brigjet italiane”, tha ministrja.

Ndërkohë, drejtori i OST, Elisian Bici, deklaroi se nënstacioni “Tirana 2” është një pikë kyçe e rrjetit energjetik, me investime të mbështetura nga Banka Gjermane e Investimeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›