Investime publike për turizmin malor, ballkoni panoramik, një tjetër atraksion i Razmës

Turizmi dimëror së fundmi është kthyer në një atraksion për shqiptarët dhe të huajt. Pika turistike e Razmës mbetet më nga më të frekuentuara në qarkun Shkodër.
Përgjegjësi i turizmit në bashkinë e Malësisë së Madhe Eristian Smajlaj bënë të ditur se po i kushtohet një vëmendje e shtuar pikave turistike siç është Razma ku së fundmi janë bërë disa investime.
“Janë bërë investime konkretisht është bërë një pjesë ballkoni panoramik për të krijuar një lloj atraksioni dhe një hapësirë shlodhëse. Vazhdimisht borëpastrueset janë të stacionuara për të asistuar në raste problematike”, tha përgjegjësi i turizmit në bashkinë e Malësisë së Madhe Eristian Smajlaj.
Ndërtimi i ballkonit panoramik në fshatin Vrith është një tjetër atraksion që i shtohet Razmës. Investime e bëra gjatë këtyre viteve siç është pedonalja, pastrimi i territorit nga ndërtimet pa leje apo sistemimi i ujërave nxisin interesin për investime private që zhvillojnë potencialin e jashtëzakonshëm të Razmës për lulëzimin e turizmit malor.
/RTSH/