Investime strategjike në “Klik Ekspo Group”, fokus në arkitekturë, teknologji dhe industrinë e lehtë

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, i organizuar nga “Klik Ekspo Group”, është kthyer këtë vit në një platformë të rëndësishme për investime strategjike dhe bashkëpunime të reja ndërkombëtare. Nga arkitektura moderne dhe teknologjia bashkëkohore, deri te industria e lehtë, panairi ka tërhequr një numër të madh sipërmarrjesh të huaja dhe vendase me synimin për të zgjeruar praninë e tyre në tregun shqiptar. Arkitekti Julian Beqiri, prezantoi një nga projektet më ambicioze urbane që do të ndërtohen në kryeqytet
“Është hera e parë dhe ndoshta më e rëndësishme sepse merr pjesë më një veprat më të rëndësishme që do ndërtohen së fundmi në Tiranë. Është një nga ndërtimet prestigjioze ku merr pjesë kompania zvicerane e cila është e njohur për cilësinë, standardin dhe reputacionin e lartë që ka në projektimin arkitekturor në mbarë globin”, u shpreh arkitekti, Julian Beqiri.
Në këtë edicion, kompanitë e huaja shfaqën interes të veçantë për investime në infrastrukturë, energji dhe zhvillim urban, ndërsa sipërmarrësit shqiptarë prezantuan projekte të reja me vizion avangard dhe inovativ.
“Jemi këtu për të ndërtuar partneritete me biznese shqiptare sepse Tirana është një qytet me ambicie dhe me shumë talent. Panairi është një mundësi fantastike për tu takuar me njerëz”, u shpreh Harry Robson – Menaxher i Lartë në Burstock London.
“Ne operojmë në fushën e elektronikës dhe matjeve teknike, kjo është hera e parë që marrim pjesë në panairin e Tiranës për të prezantuar zgjidhjet tona për elektrifikimin hekurudhor”, tha Petjaš Marinko, CEO i kompanisë Belmet EMI nga Sllovenia.
Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë u shprehën optimistë për zgjerimin e bashkëpunimit me bizneset shqiptare. Përfaqësuesja e Dhomës së Tregtisë së Malit të Zi theksoi se vendi i saj merr pjesë për të tetin vit radhazi në panairin e Klikut, këtë herë me kompani të konsoliduara dhe biznese të reja që synojnë të operojnë në Shqipëri.
“Kemi marrëdhënie të mira me bizneset shqiptare, dhe jemi këtu për ti afruar edhe më shumë dy tregjet tona. Panairi zgjat 4 ditë dhe presim më shumë kompani shqiptare të na vizitojnë” tha ajo.
Panairi Ndërkombëtar i Klikut 2025 po dëshmon edhe një herë rolin e tij si një qendër e rëndësishme e nxitjes së investimeve dhe partneriteteve ndërkombëtare, duke reflektuar zhvillimin dinamik ekonomik që po përjeton Shqipëria.
/rtsh.al/