Investimet e huaja, marrëveshje mes MPJ-së dhe AIDA-s

Ministria e Jashtme ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Marrëveshja e cila u nënshkrua nga Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe Drejtoresha e AIDA-s Eneida Guri ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në shërbim të rritjes dhe zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike-tregtare të Shqipërisë me jashtë.
Në fjalën e tij ministri Haxhinasto vlerësoi se kjo marrëveshje i jep një dimension të merituar diplomacisë tonë ekonomike, e cila është një synim prioritar për Ministrinë e Jashtme. Ai theksoi se përmes këtij bashkëpunimi do të arrihen rezultate konkrete të prekshme për të rritur në mënyrë progresive interesin e investitorëve të rëndësishëm për Shqipërinë.
Ministria e Punëve të Jashtme merr përsipër që, përmes rrjeteve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore dhe strukturave të MPJ-së, të përpunojë dhe të përcjellë informacion pranë AIDA-s, për investitorët potenciale dhe trendet e zhvillimeve ekonomike ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe të promovojë AIDA-n në të gjitha aktivitetet ku ajo merr pjesë.
Ndërsa agjencia AIDA, do të japë kontributin e saj të specializuar si një agjenci zhvillimi, për përpunimin e dokumenteve dhe studimeve mbi hartën globale të tregjeve, dhe zhvillimeve ekonomike, dhe t`ia vendosë këtë në dispozicion MPJ-së.